Dhe në muajin e gjashtë, engjëlli Gavriil u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, me emrin Nazaret, te një virgjëreshë e fejuar me një burrë, që quhej Josif, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Mariam. Dhe me të hyrë engjëlli tek ajo, tha: Gëzohu, o hirëplotë; Zoti është bashkë me ty; e bekuar je ti në mes të grave. Dhe kur pa këtë, ajo u turbullua nga fjala e tij, dhe po mendohej se ç’të jetë vallë kjo përshëndetje. Dhe engjëlli i tha: Mos u frikëso, Mariam, se gjete hir para Perëndisë. Dhe do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë e do t’i vesh emrin Jisu. Ky do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Shumëlartit; dhe Zoti Perëndia do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakovit në jetë të jetëve, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim. Dhe Mariami i tha engjëllit: Si do të më ndodhë kjo, meqenëse nuk njoh burrë? Dhe engjëlli iu përgjigj e i tha: Shpirt i Shenjtë do të vijë mbi ty dhe fuqia e të Shumëlartit do të të hijesojë; prandaj edhe Shenjti që lind, do të quhet Bir Perëndie. Dhe ja, Elisabeta, kushërira jote, mbeti edhe ajo shtatzënë me djalë në pleqëri të saj; dhe ky është muaji i gjashtë i asaj që quhet shterpë; se asnjë fjalë nuk është e pamundur për Perëndinë. Dhe Maria tha: Ja, shërbëtorja e Zotit; u bëftë tek unë sipas fjalës tënde. Dhe engjëlli iku prej saj.
Lluka 1:26-38