EmailFacebookKontakt

Ungjilli sipas Markut

Dritë nga Ungjilli

Ungjilli sipas Markut

Mësime të Tërëndinjarit, Zotit tonë Jisu Krisht

Dhe u tha atyre: Shkoni nëpër gjithë botën dhe predikoni Ungjillin tek çdo krijesë. Ai që do të besojë dhe do të pagëzohet, do të shpëtojë; kurse ai që nuk do të besojë, do të dënohet.

Dhe për ata që do të besojnë, do të jenë këto shenja: Në emrin tim do të nxjerrin demonë; do të flasin gjuhë të reja; do të kapin gjarpërinj; dhe nëse do të pinë ndonjë gjë vdekjeprurëse, nuk do t’i gjejë asgjë e keqe; do të vënë duart mbi të sëmurët dhe ata do të shërohen.

(Marku: 15-18)

“Sikurse është shkruar nga profetët: ‘Ja, po dërgoj lajmëtarin tim para teje, që të përgatitë rrugën tënde’. Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Përgatitni rrugën e Zotit, bëjani atij…” (Marku; 2-4)

Autori i Ungjillit të dytë, si del dhe nga emërtimi, është Marku. Nëna e tij quhej Maria dhe kishte një shtëpi të sajën mjaft të madhe, të cilën e vuri në dispozicion dhe në shërbim të kishës së parë të krishterë. Në këtë shtëpi mblidheshin të krishterët për të kryer ritet e tyre. Ekziston mendimi, se në pjesën e sipërme të kësaj shtëpie Zoti kreu Darkën Mistike. Po në këtë shtëpi shkoi Petri pas lirimit të tij të mrekullueshëm nga burgu, ku “qenë mbledhur mjaft vetë dhe faleshin” (Vepr. 12:12).

Marku nuk e ka njohur personalisht Zotin, megjithë që mbisundon mendimi se Marku qe ai, “i cili solli shtamën me ujë”, të cilin duhej ta ndiqnin nga pas të dy nxënësit për të shkuar në shtëpinë ku do të përgatitnin Darkën Mistike. Disa thonë, gjithashtu, se Marku nënkupton vetveten kur tregon se kur Zotin e arrestuan në kopshtin Gjethsimani “e ndoqi nga pas një i ri i veshur me çarçaf” (Marku 14:51). Megjithatë është fakt që ky nuk ka qenë një nga të Dymbëdhjetët. Duket se ka mësuar gjerë e gjatë për Zotin nga apostull Petri, i cili prandaj e quan Markun “bir të tij”, dmth Bir shpirtëror (I Petr. 5:13). Marku përmendet me emër në “Veprat e apostujve” si shoqërues i Pavlit dhe i Barnabës, kur këta sillnin ndihmat e të krishterëve të Antiohisë për të krishterët e Jerusalemit dhe se e morën me vete në Antiohi (shih “Veprat e apostujve”, 12:25).

Në udhëtimin e parë misionar shoqëroi Pavlin dhe Barnabën, duke qenë nip i këtij të fundit, nga Antiohia në Qipro dhe që andej në Pergë të Pamfilisë. Po aty i la të dy apostujt ose nga që është trembur përpara vuajtjeve të rënda të udhëtimit misionar ose, gjë që është më e sigurt, sepse kishte disa rezerva nëse Ungjilli duhej përhapur dhe ndër paganët. Për këtë arsye apostull Pavli nuk deshi ta merrte me vete gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar (shih “Veprat e apostujve”, 15:38).

Por, me kalimin e 10-12 vjetëve Markun e gjejmë në Romë pranë Pavlit të burgosur, bashkë me shumë nxënës të tjerë të zgjedhur të këtij apostulli të madh (Kol. 4:10; Fil. 24). Siç duket, nga Roma Marku shkoi tek të krishterët e Kolosës. Kur Pavli gjendej për herë të dytë i burgosur në Romë, i shkruante Timotheut ta vizitonte dhe të sillte me vete Markun, sepse “kishte nevojë për shërbimin e tij” (II Tim. 4:11). Nuk dihet nëse Marku shkoi në Romë dhe nëse arriti ta shihte Pavlin para vdekjes martirike. Mirëpo gjatë kohës së kaluar Marku kish qenë dhe pasues i apostull Petrit, të cilin e kishte shoqëruar edhe deri në Babiloni (I Petr. 5:13). Sipas traditës, nga shek. IV thuhet se ai ka qenë themelues i Kishës së Aleksandrisë.

Ungjillin e tij e ka shkruar për të krishterët e Romës dhe në përgjithësi për të krishterët që vinin nga paganët. E ka shkruar me një gjuhë greke të pastër. Ngjarjet që tregon i ka marrë vesh në pjesën më të madhe nga apostull Petri, prandaj dhe quhet “interpretues besnik i Petrit”. Nuk merret me prejardhjen e Zotit, si ungjillor Mattheu, as me profecitë e shumta, që u plotësuan në personin e Zotit. Paraqet doktrinën e Zotit dhe sidomos mrekullitë e tij të mëdha e të shumta për të katekizuar me thellë e forcuar besimtarët, si dhe për të tërhequr ata që nuk kishin besuar ende.

Koha se kur është shkruar Ungjilli i tij nuk dihet saktësisht. Predominon pikëpamja se ai është shkruar midis viteve 65-70 pas Krishtit. Siç dëshmojnë shumë shkrimtarë, ai e ka shkruar në Romë, por Shën Joan Gojarti është i mendimit se e ka shkruar në Egjipt.

Përkthyen e përgatitën:
Dhimitër Beduli
Thoma Qendro

Ka thënë për Shkrimin e Shenjtë Shën Joan Gojarti:

Studimi i Ungjillit është një e mirë shumë e madhe:
– Dërgon mendjen nga toka në qiell,
– Është burim i pambaruar dhe thesar i pashtershëm,
– Mund të keqen dhe mbjell Virtytin,
– Kur mbretëron në zemrat tona na bën të duam barazinë dhe vëllazërimin,
– Sjell mbretërinë e qiejve në tokë.

Të mësojmë lutjet tona

Psalmi XXVIII

Psalm i Davidit, që këndohej ditën e fundit të së kremtes së Tendëbërjes.

Sillini Zotit, o bijtë e Perëndisë, sillini Zotit qengja si therore, sillini Zotit lavdi dhe nderim.
Sillini Zotit, lavdi emrit të tij; faljuni Zotit në oborrin e tij të shenjtë.
Mbi ujërat është zëri i Zotit; Perëndia i lavdisë bubulloi; Zoti është mbi ujërat e shumtë.
Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
Zëri i Zotit thyen kedrat, dhe Zoti do të copëtojë kedrat e Libanit.
Dhe pluhur do ta bëjë Libanin si viçin e artë, dhe i dashuri i tij si pjellë demi do të jetë.
Zëri i Zotit ndërpret flakën e zjarrit.
Zëri i Zotit bën të dridhet shkretëtira; Zoti e bën të dridhet shkretëtirën e Kadës.
Zëri i Zotit i bën të lindin sorkadhet, dhe pyjet i zhvesh. Dhe në tempullin e tij gjithkush i thërret: Lavdi.
Zoti banon mbi përmbytjen, dhe Zoti, mbret qëndron për gjithë jetën.
Zoti do t’i japë fuqi popullit të vet; Zoti me paqe do ta bekojë popullin e tij.