EmailFacebookKontakt

Ungjilli i shpëtimit dhe shfaqja e dashurisë

Mesazhi i Iisu Krishtit dhe i Kishës Orthodhokse është universal, është një mesazh shpëtimi dhe dashurie të skajshme. Aq shumë e deshi Perëndia botën, sa që dërgoi birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që të gjithë njerëzit që besojnë tek Ai të mund të shpëtojnë prej vdekjes dhe të kenë jetë të përjetshme. Nuk qe nevojë ose detyrë e Perëndisë të dërgonte Iisun, ajo qe një veprim e mëshirës dhe e dashurisë së Tij për ne.

Iisui jetoi një jetë dashurie të përkryer. Ai lindi në një familje të varfër dhe jetoi thjesht. Ai shëroi të sëmurë, ushqeu të uritur dhe ngushëlloi njerëzit e pashpresë. Dhe më pas shprehja e skajshme e dashurisë së Tij ishte se Ai dha jetën e Tij për ne. Ai vuajti, u varros dhe u ngjall së vdekurish, me qëllim që të gjithë që besojnë tek Ai të mund të kenë jetë të përjetshme. Ky është mesazhi i dashurisë së shpëtimit.

Jeta e Iisuit qëndron si një far orientues përjetën, një shembull i dashurisë së përkryer. Edhe pse është biri i Perëndisë Ai nuk erdhi si një mbret, që t’i shërbehej, por si një i varfër që të shërbejë dhe të vdesë për të gjithë. Pasi jetoi këtë shembull të dashurisë vetëmohuese, sakrifikuese, atëherë Ai na tregon ne se kjo është rruga që duhet të ndjekim edhe ne në jetën tonë. Ne jemi porositur nga Krishti të duam njeri-tjetrin me të njëjtën dashuri që tregoi Ai për ne. Iisui tha: “kjo është porosia ime, të doni njëri-tjetrin sikundër unë ju desha juve” (Joani. 15:12).

Si shihet konkretisht, kjo dashuri në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka shumë mënyra. Një prej tyre është nëpërmjet jetës së besimtarëve, të cilët sakrifikojnë për njëri-tjetrin, të cilët ndihmojnë të varfërit, vizitojnë të sëmurët dhe të burgosurit dhe ngushëllojnë të vetmuarit.

Një tjetër mënyrë me të cilën shfaqet kjo dashuri është nëpërmjet impenjimit të KOASH për “Dhiakoninë e Dashurisë”. Në Kishën tonë Dhiakonia është zyrë, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, qëllimi i së cilës është të shprehë dashurinë e Perëndisë duke arritur të ndihmojë individë dhe gjithë shoqërinë, pavarësisht nga besimi fetar. Dhiakonia është një rrugë përmes së cilës shumë të krishterë anembanë botës shprehin dashurinë e tyre për Perëndinë dhe njeriun duke dërguar donacione të cilat, kjo zyrë i shpërndan në Shqipëri.

Për shembull, ndër përpjekjet më të mëdha të grupit të Dhiakonisë gjatë dy viteve të shkuara ka qenë shpërndarja e më shumë se 103 tonelata ushqime dhe 34 mijë litra qumështi të konservuar, me një vlerë të përgjithshme mbi 15 milionë lekë të reja. Shumica e këtyre ushqimeve janë dhuruar nga besimtarë orthodhoksë, kryesisht familje dhe individë nga Greqia, të shtyrë nga dashuria për Perëndinë.

Këto shpërndarje ndihmash janë bërë anembanë vendit, si shprehje e dashurisë, pavarësisht nga përkatësia fetare. Kur përmbytjet e 1992 dëmtuan disa rrethe të Veriut u dërguan maune me patate për të ndihmuar. Tonelata ushqimesh, veshmbathjes dhe batanijesh janë dërguar në fshatra të varfra si në Brizë në Veri, në Zall Herr të Tiranës etj. Donacione u janë dhënë shoqatës së Dhuruesve të gjakut, të Jetimëve, si edhe azileve për të moshuarit, për handikapatët dhe jetimoret shtetërore në Tiranë dhe Durrës. Më shumë se 23.000 familje në total janë ndihmuar nëpërmjet zyrës së Dhiakonisë së Kishës Orthodhokse gjatë 2-vjetëve të fundit.

Por kjo nuk përbën të gjithë çka bën dashuria e Perëndisë nëpërmjet Kishës. Ka patur shumë mënyra në të cilat është mbështetur Shqipëria nëpërmjet donacioneve, të cilat kanë ardhur nga gjithë bota. Disa projekte të realizuara janë edhe të mëposhtmet:

– pajisja me sasi xhami të Fakultetit të Ndërtimit në Universitetin e Tiranës

– donacione në fletore, lapsa, goma, dhe banga në shumë shkolla.

– në disa fshatra janë shpërndarë fara bujqësore, si një mjet tjetër për të ndihmuar në lehtësimin e barrës së popullit

– mbi 5 milionë lekë të reja janë dhënë për të ndihmuar 300 fëmijë jetimë dhe të varfër.

– 100 mijë libra me historitë e Biblës për fëmijë janë marrë nëpërmjet Shoqatës Biblike dhe do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë.

Krahas këtyre projekteve ka edhe shumë të tjera të cilat janë në prag të fillimit:

– Klinika e parë model e Kishës, e cila do të ofrojë treining, kujdes mjeksor dhe ilaçe që do të funksionojë të shpejti në Tiranë.

– Projekte të ndryshme që sigurojnë të ardhura do të fillojnë, me qëllim që të sigurojnë fonde që do të mund të përdoren për veprën bamirëse dhe që t’u japin pavarësinë më të madhe vetë këtyre grupeve.

– do të bëhet financimi për hapjen e një kopshti në Tiranë për fëmijët e vegjël.

Projekte të tjera “Zyra e Dhiakonisë” shpreson të fillojë më vonë kanë synim të mbështesin zhvillimin bujqësor, çështjet e mjedisit dhe probleme të njerëzve që jetojnë nëpër rrugë, pa strehë dhe pa të ardhura, në qytetet kryesore.

Gjithë këto aktivitete dhe projekte janë shenja konkrete të dashurisë së Perëndisë për vuajtjen fizike të qënies njerëzore. Mesazhi i Perëndisë, i dashurisë dhe i shpëtimit është për të gjithë njerëzit. Ky është një mesazh që konsideron si trupin edhe shpirtin. Siç mund të shihet në Shqipëri dashuria e Perëndisë lëviz nëpërmjet Kishës Orthodhokse nëpërmjet Kryepiskopit Anastas, nëpërmjet shumë besimtarëve orthodhoksë brenda vendit dhe nëpërmjet të krishterëve të tjerë nga e gjithë bota, që kontribuojnë në përpjekjen e dhiakonisë, dhe nëpërmjet vetë rrugës së Dhiakonisë së dashurisë.

Perëndia dërgoi birin e Tij për ne, nga dashuria e Tij, Ai dëshiron që të gjithë të besojnë tek Ai dhe duke besuar tek Biri i Tij të mund të na japë jetë të begatë, këtu në këtë botë dhe në jetën e përjetshme në kohët që do të vinë. Le të lavdërojmë Atë dhe të falenderojmë Atë, duke kujtuar gjithashtu qindrat e njerëzve që janë të dedikuar në përhapjen e dashurisë së Tij, duke dërguar ndihmën e tyre në Shqipëri dhe në gjithë botën.

At Martin Ritsi
Përgjegjës i Zyrës së “Dhiakonisë së dashurisë”