Muajin e parë të pranverës, kur një frymë e re duket se ringjall dhe i jep jetë natyrës, dhe qielli, toka, deti dhe brigjet paraqiten sikur hedhin poshtë tiraninë e dimrit dhe festojnë lirinë e tyre, u dëgjua e përshëndetja që Kryeengjëlli Gavriil i çoi Virgjëreshës Mari në qytetin fatlum të Nazaretit. Ky qytet i vogël i Galilesë ndodhet në anën veriore të luginës së Izraelit dhe mbi një nga kodrat më të bukura që e rrethojnë nga të gjitha anët dhe që klimën e saj e bëjnë shumë të shëndetshme. Në këtë vend rronte dhe mjeshtri Josif, burrë me moshë të kaluar, me Virgjëreshën Mari, të bijën e shën Annës, me të cilën ai lidhej me fejesë. Në personin e Virgjëreshës, që atëherë ishte rreth pesëmbëdhjetë vjeçe, bashkoheshin në mënyrë të admirueshme bukuritë më tërheqëse fizike me dhuntitë më të përsosura shpirtërore.
Fejesa e saj me Josifin u bë sipas providencës Hyjnore për një qëllim shumë të lartë. Josifi do ta mbulonte atë para botës e cila, duke mos ditur misterin e madh të mishërimit të Perëndisë, do të skandalizohej kur të shihte se ajo do të lindte pa qenë e martuar.
Në Nazaret pra, gjatë muajit mars – dhe pikërisht më 25 – u duk një ditë te Virgjëresha Kryeengjëlli Gavriil. Ku pikërisht, nuk dihet, pasi Ungjilli nuk e cakton. Ungjillori Lluka vetëm thotë që hyri tek ajo, shprehje kjo, që na jep të kuptojmë se shfaqja e engjëllit do të jetë bërë në shtëpi të Josifit. Mirëpo në proskinitarin e vendeve të shenjta, që u botua në Jerusalem më 1877 me pëlqimin e Shenjtërisë së Tij, Patrikut të Jerusalemit, Jerotheu I, gjejmë një traditë tjetër për vendin që u duk engjëlli, traditë e cila, siç e dëshmon kisha e Ungjillëzimit, e cila ndodhet jashtë qytetit në fushë të lirë, u kujton pikësëpari gjithë të krishterëve atë lajm gazmor që para njëzet shekujsh gëzoi tërë natyrën. Nga faqja veriore e saj, zbresim në paraklisin e hirshëm dhe të bukur ku ndodhet një gropë që i ngjason një pusi, në fund të së cilës buron ujë. Këtu, sipas traditës sonë, iu shfaq asaj Kryeengjëlli Gavriil. Në kujtim të kësaj ngjarjeje gazmore, e cila ka qenë nisja e ngjalljes së njerëzisë, Kisha jonë e Shenjtë ka caktuar të kremten e madhe të Ungjillëzimit. A mund të ketë, pra, ndonjë gjë më të shenjtë e më të bukur se të mblidhen tërë të krishterët një herë në vit për të nderuar, himnizuar dhe për të lumuruar atë, lumurimi i së cilës është thënë së lartti si një detyrë morale gjatë gjithë shekujve?
Ne orthodhoksët, të bindur në Shkrimet e Shenjta, besnikë në traditat e hirshme të Kishës sonë, e festojmë vit për vit Ungjillëzimin me tërë shpirtin dhe zemrën tonë si të kremten më të madhe theomitorike, nga e cila, si prej një peme të frytshme, dolën e lulëzuan tërë të kremtet e tjera të botës së krishtere. Që prej njëzet shekujsh, fytyra e veneruar e Virgjëreshës zë, pas Perëndisë, vendin më të lartë e më të nderuar në zemrat e të krishterëve. Dhe me të drejtë. A nuk tha engjëlli për të se është më e hirshme dhe më e bekuar ndër të gjitha gratë? E kaluara dhe e ardhmja shkojnë para saj si para një mbretëreshe të pashembullt. Tërë vajzat e tjera që ishin të qashtra, në tërësinë e tyre kishin dhe një diçka të dheshme. Mirëpo ajo nuk ishte si çdo vajzë, por Virgjëresha vetë. Tërë qashtënsia e urtësia, tërë pafajësia dhe thjeshtësia, tërë dhuntitë e mirësisë, stolisën shpirtin e saj dhe zbukuruan sjelljet e saj me veshjen e tyre me ideale hyjnore. Ka qenë e qashtër. Në moshën më të lulëzuar, në kulmin e bukurisë së saj, mbajti gjithnjë, pa as më të voglën njollë, pastërtinë më të lartë.
Ka qëndruar e përulur. Kur engjëlli e përshëndeti duke e quajtur hirplote, më të lartë se tërë mbretëreshat dhe të bekuarat mes grash, përulësia ka qenë kurora më e lartë e madhështisë së saj. Ka qenë modeste dhe e hijshme. Bukuria e saj e rrallë nuk i lindi asnjë ndjenjë fodullëku dhe egoizmi. Te syri i saj i pastër, në sjelljet e saj të bukura, pasqyrohej shpirti i saj i virgjër dhe i panjollshëm. Lëvizje, fjalë, buzëqeshje, ndritnin si nga qielli. Pastërtia e saj e brendshme paraqitej si stoli e ndritshme dhe e pashembullt, që përbënte kurorën e dukshme të përsosmërisë së saj ideale.
Por edhe virtyti i butësisë lulëzonte në shpirtin e saj. Me shumë të drejtë himnet e Kishës e quajnë “shqerrë”. Zemërimi, hakmarrja, ligësia, qenë të panjohura për të. Ikën në Egjipt me Foshnjën hyjnore pa ndjerë asnjë dëshpërim. E sheh më vonë atë të fyer dhe të urryer prej njerëzish të ligj e shpirtkalbur, dhe nuk nxjerr nga goja ndonjë fjalë të keqe për asnjë. Dhe kur mbi kodrën e Golgothasë qëndronte pranë Birit që po mundohej e ndiente dhimbjet e Tij të tmerrshme, e dëgjonte thirrjet e Tij agonike drejtuar Atit Qiellor dhe kuptoi shuarjen e frymës së Tij të fundit, shpirti i saj vërtet u përshkua tejpërtej prej një thike vrastare, por me gjithë këtë mbeti shqerra e pafajshme, pëllumbesha e bardhë.
Me të vërtetë, Shën Maria ka qenë një vajzë hirplote, grua e bekuar dhe meriton plotësisht që të nderohet e të lumurohet jetë pas jete. Dhe nëse piktorët më të mëdhenj shpenzuan tërë dhuntitë e artit dhe të frymëzimit të tyre për ta paraqitur sa më të gjallë fytyrën e saj të hirshme, kujtimi i saj i gjallë zotëron ndër miliona e miliona zemra të krishtera, të cilat në çdo kohë kthehen me devocion te Nëna e Shpëtimtarit tonë, e cila është Nënë edhe për ne të gjithë.
Këto ndjenja trashëgohen të pashuara dhe të gjalla nga njëri brez në tjetrin.
Ja pse gjithnjë, por sidomos gjatë së kremtes së Ungjillëzimit, shpirtrat tanë drejtohen me devocion te Hyjlindësja dhe miliona buzë i thonë: “Gëzohu, o Hirplote” Virgjëreshës së pavdekshme, së cilës, para njëzet shekujsh, në kohën e bukur të pranverës i solli Gavriili lajmin gazmor të lindjes së Jisu Krishtit.
Kryepiskopi Anastas, që në momentin që erdhi në Shqipëri, vizitën e parë e bëri bashkë me besimtarët në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, e cila deri atëherë kishte funksionuar si palestër dhe u rikonstruktua me mbështetjen financiare të tij.
Kjo vizitë e Kryepiskopit në këtë kishë, bashkë me besimtarët, të cilët mbanin në duar qirinj të ndezur dhe psalnin “Krishti u ngjall” shpreh rëndësinë qendrore që ka tempulli, episkopi dhe populli shpresëtar në jetën e Kishës.