EmailFacebookKontakt

Unë jam i krishterë orthodhoks

Unë jam i krishterë orthodhoks sepse:

– Prindërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit e mi kanë qenë orthodhoksë.

– Kisha Orthodhokse e ka prejardhjen nga Zoti ynë Iisu Krisht dhe nga Apostujt e Shenjtë që prej dy mijë vjetësh.

– Mbi varrin e Iisuit prej të cilit rrezaton dritë në të gjithë popujt, është Kishë Orthodhokse. Në Vithleem ku lindi Iisui, në Nazaret ku Ai kaloi fëmijërinë dhe në Jordan ku u pagëzua, ka kishë Orthodhokse.

– Shpëtimtari Krisht erdhi në Lindje. Kisha Orthodhokse është në Lindje. Lindja është djepi i krishtërimit. Nga Lindja u përhap drita e Ungjillit në popujt.

– Kisha Orthodhokse është dhe vazhdon të jetë Kisha e shenjtorëve dhe e dëshmorëve.

– Kisha Orthodhokse ruajti në mënyrë të përsosur lidhjen me Zotin tonë Iisu Krisht dhe me Apostujt e Shenjtë, duke mbajtur besimin, hirin dhe doktrinën hyjnore të pastra. Ajo, as ka shtuar, as ka hequr gjë nga ç’ka trashëguar prej Shpëtimtarit. Thesari i saj është i kulluar dhe i pastër si ujët e burimit.

– Kisha Orthodhokse ka të shtatë misteret (burimet e hirit hyjnor) që shenjtërojnë njeriun: Pagëzimin, Mirosjen, Rrëfimin, Kungatën, Priftërinë, Martesën dhe vajin e Bekuar (Efqelinë).

– Në Kishën Orthodhokse zhvillohen shërbesat dhe uratat më të bukura. Shërbesa më e rëndësishme është Mesha Hyjnore, në të cilën Shpëtimtari sjell veten fli të pagjakshme në Kungatën Hyjnore dhe na paraqet tërë jetën e tij. Kisha Orthodhokse ka urata për shenjtërimin e të gjitha qenieve dhe gjërave.

– Në Kishën Orthodhokse ka kisha kombëtare.

– Në kishën Orthoodhokse kryhen shërbesat në gjuhën e çdo populli, kështu që çdo popull dhe gjuhë është një lule në kopshtin e Perëndisë, që duhet të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe të japë erën e saj të këndshme prej luleje.

Çdo popull e lavdëron Perëndinë në gjuhën e tij.

– Kisha Orthodhokse ka si forum më të lartë udhëheqjeje Sinodhin e Shenjtë. Një njeri mund të gabojë. Krishti nuk tha: “Ku është një, aty jam unë”, por tha: “Atje ku janë dy a tre të mbledhur në emrin tim, atje do të jem edhe unë në mes të tyre:” (Mat. 18:20). Krishti zgjodhi 12 apostuj. Mbi këta e themeloi Kishën e Tij.

– Kisha Orthodhokse është mëma jonë shpirtërore në gjirin e së cilës ne gjejmë gjithnjë ngushëllim, mbrojtje dhe shpëtim.

Ne, sikundër duam mëmën tonë, ashtu duhet të duam Kishën.

B.