EmailFacebookKontakt

Ujësjellës në Nderan, i ndërtuar nga Kisha jonë

Fshati Nderan në zonën e thellë malore të Zagorisë, Mitropolia e Gjirokastrës, është një fshat me një komunitet të gjallë njerëzish, që bie më shumë në sy në krahasim me fshatrat e tjerë të zonës, të cilat ndoshta nga papunësia e kryesisht nga kushtet shumë të vështira të infrakstrukturës janë pak të populluara.

Duke iu përgjigjur një kërkese të komunitetit dhe të autoriteteve të Komunës, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, po bën realitet një ëndërr të tyre për të furnizuar fshatin e Nderanit me ujë të pijshëm. Linja e furnizimit me ujë është e gjatë 3.5 km dhe së bashku me pajisjen me tuba realizohet vepra e marrjes së ujit, hapja e kanaleve etj.

Bëhet fjalë për një vepër që në përfundim do t’i kapërcejë vlerën prej 35000 euro dhe sigurisht përbën një nga premisat thelbësore për përmirësimin e kushteve të jetesës në këtë fshat. Përveç kësaj është një sinjal i rëndësishëm për ringjalljen e jetës në zonën e Zagorisë që sikundër edhe Pogoni janë nga krahinat më të vështira. Kështu hapet rruga e shpresës e tyre, por motivohet për të rritur kërkesat e tyre për më shumë vepra infrastrukturale dhe zhvilluese.

Në Nderan paralelisht vazhdojnë punimet për ngritjen nga themelet të kishës së Shën Nikollës, në themelet ekzistuese. Këtë kishë të bukur e kishin tërësisht të rrënuar për të ngritur në vend të saj, në vitet e persekutimit ateist, si dhe në shumë raste analoge, “vatrën e kulturës”.

Gjatë gjithë këtyre viteve edhe në viset e Mitropolisë së Gjirokastrës, nën kujdesin dhe me financime të siguruara nga Kryepiskopi Anastas, bëhet një ndërhyrje me vlerë në veçanti në zonat e vështira rurale. Në Zagori është treguar një kujdes i veçantë për të gjitha kishat e zonës, të cilat përbëjnë monumente të rëndësishme në disa raste me vlera të veçanta arkitektonike dhe artistike. Në të gjitha këto raste janë kryer ndërhyrje konservuese ose restauruese si për zgjatjen e jetës së këtyre monumenteve, ashtu dhe për t’i sjellë ato në gjendje liturgjike.

Gjithashtu, priftërinjtë vizitojnë rregullisht zonën për kryerjen e mistereve të shenjta të Kishës sonë si dhe shërbesave të tjera. Me mbështetjen e Kryepiskopit dhjetëra të rinj nga kjo zonë mundësohen me bursë të ndjekin shkollën e mesme në Gjirokastër ose Bularat.

Korresp. i “Ngjalljes”