EmailFacebookKontakt

Udhëtim nëpër mbresat

Edhe pse stina e pranverës ishte në ditët e para të saj, i ftohti dimëror mbizotëronte në kompleksin gjigant të Shën Vlashit. Qetësia e zakonshme u thye nga zhurmat dhe hapat e çrregullt të studentëve që vinin nga qytete të ndryshme të vendit. Ato ditë do të zhvillohej konferenca triditore e rinisë orthodhokse. Autobuzët dhe makinat kishin mbërritur në oborrin përreth manastirit. Starti i konferencës mori sinjalin e pare. Takime, përshëndetje dhe shtrëngime duarsh nën shoqërinë e një kokteili çlodhës, ishin çelja e këtij takimi të madh me të rinjtë, i cili në terminologjinë diplomatike është përmbledhur shkurtazi në një fjalë të vetme: konferencë. Motoja e këtij aktiviteti ishte:

“Zbulimi i pasurive më të çmuara në jetën tonë”. Kjo temë qendrore u programua të analizohej për të rinjtë në tre referate, të cilat u mbajtën në ditët vijuese. Gjithashtu pjesë e këtij aktiviteti studentor ishin shërbesat fetare, bisedat në grup, aktivitetet sportive, ekskursionet etj, të cilat mbushën orët frytdhënëse dhe çlodhëse të tri ditëve të zhvillimit të konferencës. Të rinjtë morën pjesë në shërbesat fetare të mëngjesit, të pasdites dhe të darkës duke iu lutur bashkërisht Perëndisë. Gjurmë të veçanta lanë tek të gjithë studentët e pranishëm aktivitetet e zhvilluara ditën e dytë (të shtunën). Një pasdite argëtuese e shoqëruar me lojëra apo një shëtitje buzë detit “Adriatik” mes puhisë së dallgëve shkumëzuese, sollën një atmosferë të paharrueshme tek ata. Të gjitha çastet më të veçanta u fiksuan në fotografi dhe u pasqyruan mbrëmjen e po asaj dite. Fragmentet në të cilat ishin fokusuar vetë të rinjtë u përcollën përmes videoprojektorit në komentin humoristik dhe brilant të disa prej organizatorëve të aktivitetit. Si të mos mjaftonte kjo surprizë e këndshme, jashtë sallës ku u shfaq ky program, në oborrin e madh të kompleksit të këtij manastiri, u ndez një zjarr i madh, rreth të cilit studentët kënduan e kërcyen bashkë deri në orët e vona të natës. Të nesërmen, pas shërbesës së mëngjesit, për studentët u shtrua dreka e fundit e konferencës. Ata shprehën falënderimet e tyre për këto ditë të bukura dhe të frytshme shpirtërore, me argëtim dhe mbresa të paharrueshme.

Ja çfarë u tha në punimet e konferencës

“Të njihni njëri-tjetrin, të merrni pjesë në lutje dhe dashuria të jetë parimi thelbësor i jetës suaj”- ky ishte mesazhi kryesor që iu përcolli Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, të rinjve orthodhoksë në konferencën studentore, e cila u mbajt në datat 4-6 prill në kompleksin mahnitës të Shën Vlashit, në Durrës. Hirësi Joani ishte i ftuari special në këtë konferencë tradicionale të rinisë orthodhokse dhe në të dy temat që trajtonin kuptimin e vetvetes dhe të pseudovetvetes ngjalli interes për studentët mikpritës të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe studentët e tjerë të ardhur nga disa qytete të Shqipërisë, madje edhe nga Kosova. Ai e paraqiti situatën aktuale në të gjithë botën si një periudhë ankthi shpirtëror. “Mungon normaliteti dhe paqja e brendshme”- u shpreh Hirësia e tij Joani. Prandaj zbulimi i vetes sonë na ndihmon të jemi të gëzuar. Por këtë të vërtetë ne mund ta njohim vetëm me dritën e Zotit. Ne jemi të sëmurë nga mëkatet dhe këtë e reflektojmë edhe tek të tjerët. Krishti është e vetmja pikë kontakti për të njohur veten tonë ndaj duhet ta dëgjojmë sepse kështu e duam më shumë njëri-tjetrin- iu tha gjatë referatit të tij Hirësi Joani të rinjve, duke iu kërkuar atyre të luftojnë pseudoveten, e cila përbën një sëmundje për të gjithë njerëzimin duke deformuar natyrën tonë dhe na largon nga Perëndia. Fuqia e Zotit është fuqia më e madhe që na ndihmon për shpëtimin tonë- theksoi ai.

Në referatin e tretë, foli drejtori aktual dhe pedagogu i Akademisë Teologjike, Natan Hoppe. Ai trajtoi temën e marrëdhënieve me Perëndinë dhe të afërmin. “Nëse largohemi nga Perëndia humbasim ekzistencën tonë prandaj, nëse duam të jetojmë me Perëndinë duhet të njohim natyrën tonë”- nënvizoi profesor Natani. Burimi i ekzistencës është vetëm Perëndia dhe për të gjetur vetveten duhet të kthehemi tek ajo, të pranojmë se jemi të varur prej saj dhe të vazhdojmë të punojmë për këtë qëllim- iu drejtua ai të rinjve.

Njëra nga organizatoret e konferencës, Ana Baba, e vlerësoi këtë aktivitet si shenjë ngacmuese për të rinjtë në mënyrë që ata të kuptojnë më mirë jetën dhe qëllimin e saj. Sipas znj. Baba:

“Marrëdhëniet me të tjerët dhe me Perëndinë janë ato që e çojnë njeriun në lartësinë e duhur”.

Por si e vlerësuan vetë studentët këtë konferencë si dhe temat që u trajtuan gjatë punimeve të saj? Për Helenën, e veçanta e kësaj konference ishte bashkimi i shumë të rinjve për t’iu lutur Perëndisë sepse sipas saj, duke zbatuar porositë i afrohemi më tepër qëllimit tonë të përbashkët. “Për mua, na thotë ajo, është shumë bukur sepse sa më pranë njëri-tjetrit të jemi aq më pranë jemi me Perëndinë”.

Ndërsa Marina e cilëson konferencën studentore si një përtëritje shpirtërore. “Në këtë aktivitet- thekson ajo, tregojmë unitetin tonë dhe dëshirën për të qenë sa më pranë Perëndisë të bashkuar”.

Mesdita e së dielës ishte fundi i kësaj konference. Studentët u larguan nga ambientet bashkëkohore të manastirit të Shën Vlashit, për t’u ritakuar sërish me njëri-tjetrin në konferencat e ardhshme.

Isidor Koti