EmailFacebookKontakt

Udhëheqës shpirtëror i disa brezave besimtarësh

Kur kthen kokën prapa e sheh me sytë e mendjes ata që njeri pas tjetrit i shërbyen kishës sonë, patjetër do veçosh Dhimitër Bedulin. Ai qe nga të paktët fatmirë që e shoqëroi Kishën në të tre epokat e fundit: në të mëkëmbjes në kohën e paraluftës, në të përndjekjes së gjatë të periudhës komuniste e megjithë moshën e kaluar edhe në atë të ringjalljes së saj, sot në demokraci. Këtë s’mund ta quash ndryshe, veçse favor të Perëndisë. Dhe sekreti është puna e tij e palodhur. Ka qenë ky përkushtim i pakursyer në punët e kishës, që i dha fuqi të rrezistojë, sepse, ndryshe nga logjika e fitimit në botë, ku lodhja të harxhon, në punët e dashurisë për Perëndinë e njerëzit, lodhja të mban. Krahas Theofan Popës, që i dha Kombit e Kishës një kontribut të shquar, unik, kryesisht në zbulimin e artit tonë të fshehur në shekuj, Dhimitër Beduli u shqua në lëmin tjetër, po aq të domosdoshëm, të botimeve e predikimit, të muzikës e të historisë. Në sajë të punës së heshtur të këtyre dy theologëve fisnikë, kontributi i Krishtërimit në shoqërinë shqiptare e ka një zë të qartë dhe gjithë shqiptarët mund t’u jenë mirënjohës. Në punën e “heshtur” të Bedulit mjafton të thuhet ky fakt. Në kohën kur disa inkompetentë, xhelozë të rreptë për gjëra që s’i njohin, ngritën zërin në gazeta duke thirrur për sakrilegj, ngaqë me ribotimin e Librave Liturgjikë u shkelka puna e Nolit për Shkrimet e Shenjta, iu propozua Bedulit të botohej në gazetë, bashkë me përgjigjen, edhe një pasazh i letrës që i shkruante vetë Imzot Noli para luftës, ku, me bujarinë e krijuesit të distancuar, i deklaron Bedulit: “t’i ke bërë për shkrimet e Kishës më shumë se unë”. Ai refuzoi… Modestia e tij ishte e tillë: të merrej me të gjitha e mos pretendonte asgjë.

Qenë të tjerët që u kujdesën edhe për shëndetin e tij, të cilin e harxhoi deri në çastin e fundit, pa kursim. Ai merrte udhët për kudo ku të ishte nevoja. E kam shoqëruar në ditë të ftohta dimri, për t’u marrë me çështje të thjeshta administrative, e kam parë në makinë drejt Seminarit të Durrësit, duke luftuar me frymëmarrjen, për të mos lënë dy orë mësim që i kishte në program. E kam parë në pultin e psaltit, duke qëndruar në këmbë e duke kënduar me zë të plotë, me orë të tëra. E kam parë natën vonë, të sëmurë në shtrat, duke shkruar… dhe në kohën e komunizmit, kur dora shtrëngohej rreth kishës dhe një epitropi e komanduar nga regjimi, mendoi ta këpuste edhe nga lidhja e fundit që kishte me kishën (mbasi më parë e kishin larguar nga funksionet e tij), i kumton se i pritej rroga si psalt, ai paraqitet të nesërmen rregullisht tek vendi i tij, në të djathtë të altarit, sikur mos kishte ndodhur gjë. Të habitur, e pyesin a s’e kishte marrë pushimin? Dhe ai, i qetë e i qeshur: “Po unë nuk psal për rrogë…”

Si drejtor i revistës “Jeta Kristiane” ai ka kaluar nga dora tërë materialet e botuara aty; shkruante vetë, përkthente, redaktonte. Po s’bazohej vetëm tek fondet e kryesisë. Në vitet ’30, së bashku me Dhimitër Përmetin, teolog e drejtor i Seminarit përpara tij, vunë të nga një sasi të hollash nga rroga e tyre e botojnë literaturë fetare e pastaj, me fitimet e nxjerra, e përsërisnin botimin me libra të tjera. Jeta e tij kishte kuptim vetëm në mjedisin e kishës e në shërbim të kishës. Mund të themi se dinte gjithçka për kishën, për historinë, për problemet, për personat. Ndaj, përcaktimi i Kryepiskopit në shërbesën e përmortshme, se me Bedulin “u dogj një bibliotekë e gjallë”, sintetizon krejt qenien e këtij njeriu të dashur e të vlefshëm, që kaloi 65 vjet në shërbim të fesë. Pengu ynë i vetëm mbetet pse s’ditëm të përfitojmë më tepër, më shpesh, nga goja e tij e gjallë, të tëra ato që dinte dhe që pa kursim i jepte.

Kujtimi i tij le të jetë shembull për të gjithë ne.

Lekë Tasi