Efrosina Noti
“… Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.” (Joani 8:12)
Janë këto fjalë hyjnore të thëna prej vetë Fjalës, prej Zotit tonë Iisu Krisht. Sapo i lexon, në shpirt fillon e plazmohet një dëshirë e tërëfuqishme, e cila imponohet prej shfaqjes së dritës në jetën tënde. Në jetën tënde, në kohën e errët të mijëra problemeve, ku diagrama e shqetësimeve, streseve ngrihet çdo ditë, ndihet nevoja, madje është e domosdoshme, prania e dritës.
Eja, ty t’u shfaq Drita dhe jo një dritë e zakonshme me nuancat e verdha të limontisë, por prej Dritës t’u premtua Drita. E gjeta, por si ta ndjek Dritën?
Atëherë Petri u tha atyre: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Iisu Krishtit për faljen e mëkateve dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë”. (Vep. 2:38-39).
Këtë thotë apostulli për nisjen e kësaj rruge. Ndaj, pranë Kishës sonë Orthodhokse, funksionojnë mjaft kurse katekizmi, mësime feje apo studim Bible, të cilat ndihmojnë, që jo vetëm ta nisësh këtë rrugë drejt Dritës, por edhe ta vazhdosh atë deri në… “Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi” (Psalmi 73:24).
Në këto kurse do gjesh, “mbjellësit e fjalës së Perëndisë”, do gjesh familjen në Krisht, do gjesh dashurinë hyjnore, të gjitha në bashkërendjen e tyre, nëpër rrugën e Dritës. Në Ungjillin sipas Joanit Zoti thekson: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar”. (Joani 13:20)
Këta të dërguar, “mbjellës të fjalës së Perëndisë”, i shërbejnë misionit më të lartë, shpresës së lavdisë, “Krishtit ndër ne”, për këtë mundohen me fuqinë që u jep Zoti, mësojnë dhe mbajnë pranë çdo njeri, në mënyrë që ta drejtojnë tek “përsosmëria në Iisu Krishtin”. Ashtu si Dielli shkëlqen, por ndonjëherë zihet prej reve, kështu dhe mundi i tyre shpërblehet me ngazëllim në shpirt, por herë-herë ata mbajnë mbi vete vështirësi dhe shqetësime të kësaj familjeje në Krisht.
Me bekimin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, rinia jep ndihmën kryesore në dhënien dhe shpërndarjen e Fjalës.
Nën kujdesin e At Theologut të rinjtë: Maria Skëndo, Kristina Hanxhari, Katerina Gjika, Efrosina Noti, Andi Nikolla, Miron Cako, Jorgo Gjika, si dhe disa të rinj seminaristë, drejtojnë kurset e katekizmit e të mësimit të fesë për fëmijët. Misionarja Penny Deligiani, në një kurs special, u mëson vajzave (9-14 vjeç) himne të kishës sonë, pjesë nga Liturgjia Hyjnore, si dhe i përgatit për shfaqje të veçanta. Gjithashtu, priftëresha Fotini drejton kursin për vajzat e shkollave të mesme, motra Galini kursin e mësimit të fesë për të gjitha moshat, (të cilin gjatë mungesës së saj e drejtoi priftëresha Urani.). At Luka Veroni drejton studimin e karaktereve të Dhiatës së Vjetër, si edhe studimin e parabolave të Iisuit, kohët e fundit, ka filluar dhe kursin e katekizmit për të papagëzuarit, ndërsa At Theologu drejton kursin e mësimit të fesë për studentët.
Të gjithë këto kurse veprojnë si faqe të një prizmi në transmetimin e Dritës për mosha të ndryshme, por Burimi ngelet përherë i njëjtë. Vetë Zoti ynë është Mësuesi me fjalën e Tij – “ushqim, që nuk prishet, mbi të cilin vuri vulën Ati, Perëndia”.
“Eja pra të marrësh Dritë nga Drita, që s’perëndon!”
Vendos që ta lësh errësirën qoftë edhe grinë e botës! Flak tej veshjen e mëkatit e shkul prej shpirtit metastazat e tij, prano në veten tënde Perëndinë dhe jeto me Dritën e Tij, “ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes” (Kol. 2:3), freskohu në Burimin Jetëdhënës, “sepse dikurdshit në errësirë, por tani jeni dritë në Zotin, ecni pra si bij të Dritës”, (Efes. 5:8) dhe vazhdo drejt lavdisë me Dashurinë e Tij!