Të Dielën XII të Mattheut, më 4 shtator 2022, atmosfera në enorinë e skajshme të Çarshovës ishte prekëse dhe kataniktike. Kisha e Enorisë që nderohet në kujtim të “Shën Kozmait të Etolisë”, u shenjtërua sipas gjithë tipikosë që parashikon tradita Orthodhokse.
Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, kryesoi Shërbesën e Shenjtërimit dhe në vijim kreu Liturgjinë Hyjnore në kishën e porsapëruruar, së bashku me klerikë të shumtë të zonës së Përmetit, por edhe nga enori kufitare nga Greqia.
Herë pas here Mitropoliti sqaronte për besimtarët e shumtë pjesëmarrës dhe bashkëlutës rëndësinë e Shenjtërimit të Tryezës së Shenjtë, për konsolidimin si qendër shpirtërore dhe adhuruese të një kishe për komunitetin, i cili thirret ta mbulojë atë me respektin dhe kujdesin shpirtëror. Interpretonte, gjithashtu, të gjithë hapat që hidheshin me vendosjen e Lipsaneve të Shenjta, vulosjen e Tryezës së Shenjtë dhe Mirosjen.
Gjatë Liturgjisë Hyjnore pjesëmarrja në psaljen e tropareve prej grave orthodhokse të Përmetit edhe një herë tjetër krijoi klimën e veçantë të përjetimit të Misterit të Eukaristisë.
Mitropoliti shprehu falënderimin për Perëndinë Jetëdhënës, që denjësoi komunitetin e besimtarëve të Çarshovës dhe të gjithë besimtarët në Mitropolinë e Gjirokastrës dhe në Kishën Orthodhokse në Shqipëri, në përjetimin e kësaj mrekullie të shenjtërimit të kishës. Ai tha se për këtë duhet t’i jemi mirënjohës Kryepiskopit tonë Anastas. Ai hapi rrugët e hierapostullimit në vendin tonë dhe në Çarshovë dhe dashuria dhe kontributi i tij sakrifikues janë dëshmi e gjallë. Sepse në një fshat aq të skajshëm ngriti atë kishë të mrekullueshme dhe ia dedikoi Shën Kozmait, Hieromartir dhe të barabartë me Apostujt, për të gjallëruar shpresën dhe për të qenë mbrojtës i banorëve të tij. Kishat e tjera të fshatit ishin rrënuar gjatë viteve të persekutimit, ndërkaq që vendbanimi ishte transferuar në territorin aktual. Dhe jo vetëm e ndërtoi dhe e pajisi me gjithçka të nevojshme për funksionim, por siguroi dhe siguron mundësinë dhe praninë herë pas here të klerikëve për të kryer Liturgjinë apo të tjera shërbesa, sidomos gjatë të kremteve të mëdha të vitit kishtar.
Në afërsi me Çarshovën, pranë kufirit shtetëror me Greqinë, ndodhet edhe Manastiri i “Fjetjes së Tërëshenjtës” së Molivdoskepastos, Igumeni i të cilit, Arkimandrit Arseni dhe gjithë vëllazëria në veçanti, kontribuuan në përgatitjen e Shenjtërimit dhe sidomos në pajisjen e Tryezës së Shenjtë dhe Hierores. Për këtë dhe kontributin të shtrirë në kohë për të gjitha enoritë dhe besimtarët përreth, Mitropoliti i Gjirokastrës përcolli edhe falënderime të klerikëve dhe besimtarëve të pranishëm.
Në fund të Liturgjisë dhe me rastin e Shenjtërimit u ofrua qerasje në ambientet përreth kishës për të gjithë pjesëmarrësit.
***
Kisha e “Shën Kozmait të Etolisë” në Çarshovë ndodhet në një pozicion të favorshëm, buzë rrugës nacionale që të shpie drejt Leskovikut dhe te pika kufitare “Tre Urat” dhe si e tillë është një vend adhurimi hierapostolik për kalimtarë të shumtë dhe jo vetëm besimtarët e atij fshati.
U ndërtua me nismën, udhëheqjen e vazhdueshme dhe fondet që grumbulloi dashuria e Kryepiskopit Anastas në periudhën 1998 – 2000. Njëherësh, në atë kohë u bënë ndërhyrje për të rehabilituar edhe godinën e shkollës publike në krah të kishës, e cila në atë kohë grumbullonte një numër të konsiderueshëm nxënësish edhe nga komunitetet përreth.
Kisha është bazilikë e thjeshtë, me tri nefe dhe tavan prej druri dhe ka hajat me çati të mbuluar mbi arkada në dy anët gjatësore. Sipërfaqja e ndërtuar e kishës është 240m² dhe ka truall përreth 800m².
Orfea Beci