Ata që punuan për kishën tonë
U sakrifikua për Kishën Orthodhokse…
Lagjja Kala është më e vjetra e Beratit. Ajo ka patur më tepër se 40 kisha. Sot ka 10 kisha si dhe shumë kisha të vogla, paraklise. Ajo ka qenë ndër shekuj selia e Mitropolisë së Shenjtë. Në lagjen Kala është torturuar Shën Nikodhimi dhe ka lindur Imzot Kristofor Kissi.
Banorët e lagjes Kala janë besimtarë. Midis tyre ka qenë dhe Konstandin Veveçka, i shkolluar në Janinë dhe Firence, njeri me prona e pasuri, epitrop i Kishës së Shën Marisë. Ai gëzonte edhe respektin e dashurinë e të gjithë banorëve të Kalasë.
Në vitin 1905 – 1906, ai bleu në Trieste kambana për këtë kishë. Këtë veprim myhyrdari i Beratit e konsideroi thyerje të ligjit osman për objektet e krishtera të kultit dhe urdhëroi që ato të mos viheshin në punë (të mos binin). Në ato kohëra komuniteti orthodhoks jeton nën kërcënim, frikë e presion për të mos e praktikuar fenë e vet. Madje edhe për t’u tjetërsuar ajo.
Por, pa e përfillur këtë urdhër kërcënues, kambanat ranë!…
Konstandinin e arrestuan. E mbajtën 3 ditë në Berat dhe pastaj të lidhur e dërgojnë në burgun e Janinës.
Atje iu nënshtrua torturave, siç ishte qëndrimi deri në fyt në ujë të ftohtë, gjatë gjithë kohës, për tri javë.
Në Berat ky arrestim shkaktoi reagim ndër banorët. Mjaft persona e shoqëruan atë në Janinë. Midis tyre ishte edhe një prift, të cilin Konstandini e gjeti fëmijë të vogël dhe të braktisur. E mori, e pagëzoi, e rriti dhe shërbeu në kishat e Mbreshtanit dhe të Paftalit.
Ky grup i shoqëruesve protestoi në institucionet qeveritare të Janinës, por më kot. Sensibilizoi dhe arriti të sigurojë ndërhyrjen e konsujve grekë, rumunë etj., por as ata nuku dëgjuan.
Vetëm ndërhyrja e konsullit rus dhe e qeverisë së tij e liroi Konstandinin. I shoqëruar nga besnikët e tij merr rrugën për në Berat.
Por, i dërrmuar nga torturat dhe i sëmurë me të ftohtë, ai zuri shtratin dhe pas disa ditëve vdiq.
Nga kjo familje kanë qenë epitropë Jorgji dhe i nipi, Telemaku. Disa breza epitropësh, që dhanë kontributin e tyre për ruajtjen e vlerave të pallogaritshme të komunitetit orthodhoks, si të Ungjijve, (kodikëve), epitafit, ikonave, si dhe pë mbarëvajtjen e kishës, për të cilën i janë nënshtruar kërcënimit të forcave osmane të “Babës”, të Zogut, të fashizmit dhe të monizmit.
Duke kujtuar K. Veveçkën, njëherazi evokojmë edhe besën e patundur që ka patur dhe ruajtur ndër breza komuniteti orthodhoks i Beratit për fenë e tij.
Thimi Koçi