EmailFacebookKontakt

U Ngjall vërtet Krishti në zemrat tona?

Në atmosferën ngazëlluese të Pashkës ne urojmë e përshëndesim të gëzuar njëri-tjetrin “Krishti u Ngjall!”.

Po me vepra a tregojmë vërtet se besojmë në Ngjalljen e Zotit; në triumfin e Dashurisë mbi egoizmin?

Përgjigjen e japin më mirë njerëzit nevojtarë që na rrethojnë dhe që ndonjëherë i neglizhojmë! Në qoftë se ndihmojmë të varfer e jetimë ose i shërbejmë të sëmurëve dhe të moshuarve, atëherë tregojmë me vepra Ngjalljen e Zotit. Nëse kujdesemi për të vetmuar e të pastrehë dhe vizitojmë të dënuar në burg, rrëfejmë praktikisht se Zoti u Ngjall dhe bashkë me Të ngjallemi edhe ne.

Kur sakrifikojmë pasionet e dëshirat tona dhe lejojmë me paqe të na akuzojnë ose bëjnë padrejtësi përsëri jemi bashkuar me Krishtin e Ngjallur.

Zoti tha: “Shkoni, pra, e bëni dishepuj … duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.”

Kështu vepruan gjatë periudhës së Pashkës edhe gratë e grupit “Përhapja e Dashurisë”, Tiranë. Si gra miroprurëse, duke ngjyrosur 2000 kokrra vezë të kuqe, ato përhapën 2000 urime të Ngjalljes. Pa u lodhur, por me zemra të gëzuara ato përgatitën dhe shpërndanë 200 pako me ëmbëlsira për të dënuarit e burgut 325, ku përcollën gjithashtu bekimet e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas dhe urimet e përzemërta të Zyrës “Diakonia Agapes”, që financoi direkt për këtë aktivitet. Vizita u bënë për Pashkë në disa azile të moshuarish. Me gratë u bashkuan edhe etër të Kishës, të cilët iu dhanë pleqve Kungatën Hyjnore – dhuratën më të çmuar që Zoti ua la për shpëtimin e shpirtrave tanë në kujtim të dashurisë së Tij vetmohuese.

Dreka e Pashkës bashkoi në afersi të kishës së Shën Prokopit shumë besimtarë të paralizuar, të moshuar, të varfër etj. Nën organizimin e at Lukës dhe priftëreshës Fotini disa gra dhe të reja ndihmuan në shërbimin e drekës dhe argëtimin e femijëve.

Një kënaqësi të veçantë në këtë atmosferë festive ndjenë edhe fëmijët e jetimores “Zyber Allulli”, Tiranë. Ata patën mundësi të gëzojnë ambientin e bukur dhe komod që i krijuam në sallën e lojërave. Në bashkëpunim me zyrën teknike të Mitropolisë kryem riparimet elektrike, lyerje, shtrim të dyshemesë me tapet dhe shpenzimet u mbuluan nga fondi i Zyrës së Grave. Krahas kësaj femijët në fundjavë janë aktivizuar në lojëra argëtuese, sportive, krijuese etj., ku kanë gjetur zbavitje, mësim dhe mbushje shpirtërore.

Vetëm një jetë e jetuar sipas porosive të Krishtit mund të flasë dhe të vërtetojë besimin e vërtetë të krishterë.

R. Sh.