EmailFacebookKontakt

U mbyll viti i dytë i Seminarit

Bij të ngjalljes

“… Vizioni ynë bazë dhe qëllimi ynë kryesor është formimi i një kleri të aftë shqiptar të të gjitha gradave, i cili të jetë në gjendje t’i shërbejë me dije, entuziazëm e vetësakrificë Kishës Orthodhokse dhe të drejtojë grigjën Orthodhokse…”

Nga fjala e Fronëzimit e Kryepiskopit Anastas

I vënë përballë një realiteti sa të panjohur aq edhe kaotik, në një kohë kur nga shumica e njerëzve, hedhja e themeleve të shëndosha të një zhvillimi perspektiv të besimit orthodhoks konsiderohej e vështirë në mos e pamundur, Kryepiskopi Anastas (Eksark i Patrikanës Ekumenike në atë kohë) nuk pati hezitime në dhënien e prioriteteve, ndër të cilat formimi i një kleri të aftë të të gjitha gradave zinte vend nga më parësorët. Kjo për nga vetë fakti se numri i klerikëve të aftë për shërbim, që kishin mbijetuar persekutimin (gjithsej 10 priftërinj dhe një kryedhiakon, shumica në moshë të shkuar me shëndet të dobët) nuk mund t’u përgjigjeshin as minimumit të nevojave të besimit orthodhoks në Ngjallje.

Për rrjedhojë, më 7 shkurt 1992, u çel në Durrës (në kanipin e punëtorëve të zënë me qira) Seminari Teologjik – Ieratik Orthodhoks. Fillimi i mbarë dhe vazhdimësia e suksesshme e kësaj përpjekjeje shtronte domosdoshmërinë e kapërcimit të vështirësive të njëpasnjëshme: financimi i funksionimit të Seminarit i cili kërkonte sigurimin e fondeve të konsiderueshme; gjetja e kuadrit mësimdhënës i cili u plotësua me profesorë të ardhur si nga Evropa ashtu dhe nga Amerika; përgatitja e literaturës përkatëse, zgjedhja e kandidatit më të përshtatshëm, sfida, krahas këto, që pavarësisht nga barra shtrënguese që krijonin u kapërcyen falë hirit të Perëndisë.

Studimet e sezonit I shkurt – maj 1992 u ndoqën nga 58 seminaristë, ndërsa në sezonin II tetor 1992 – maj 1993, krahas kursit të dytë, funksionoi edhe kursi I me 47 kandidatë të rinj (shumë seminaristë janë diplomatë të universiteteve të vendit). Programi mësimor përmbante nga 17 lëndë për çdo kurs. Krahas lëndëve të përbashkëta si Dogmatika, Patrologjia, Interpretimi i teksteve të Etërve të Kishës, Interpretimi i Ungjillit, Historia e Kishës së Shqipërisë etj. Çdo kurs kishte edhe lëndët specifike si: Katekizmi, Organizim enorie, Jeta shpirtërore orthodhokse etj. Për kursin e dytë Liturgjia, Pimantika, Herezitë, Dhiata e Re për kursin e parë. Çdo lëndë mësimore u kurorëzua me provim.

Krahas me përgatitjen teorike, Seminari i dha një vend të veçantë edhe përgatitjes praktike të kandidatëve. Përveç shërbesave të përditshme të Orthrit (Mëngjesit) Esperinoit (Mbrëmësoret) dhe Pasdarkës e Liturgjisë hyjnore të së dielës, kur gjithë seminaristët së bashku me pedagogët dhe klerikët shpërndaheshin në qytete të ndryshme të vendit, zhvillohej edhe një Liturgji Hyjnore gjatë ditëve të javës në Kishën e vogël të Seminarit.

Gjithë seminaristët e hirotonisur priftërinj apo dhiakonë, krahas pjesëmarrjes së rregullt në programin mësimor, nuk lanë për asnjë moment pas dore detyrimet ieratike nëpër enoritë e tyre.

Një kontribut i rëndësishëm i Seminarit është përgatitja e Literaturës së nevojshme fetare në gjuhën shqipe. Librat ekzistues u shumëfishuan në një kohë që u përgatitën tekste të lëndëve të veçanta teologjike që nuk ishin përkthyer në gjuhën shqipe deri më sot.

Por pa dyshim suksesi më i madh i seminarit qëndron në realizimin e qëllimit themelor të tij: Përgatitjen e kuadrit klerik: 23 priftërinj të rinj, 12 dhiakonë, 10 veta që vazhdojnë studime universitare Orthodhokse në botë. Dhe si rrjedhojë, dhjetra enori të reja që filluan të funksiononin, mijëra besimtarë të tjerë gëzojnë mundësinë e pjesëmarrjes në misteret e shenjta. Dhe nëse do të bënim një krahasim modest, brenda 1 viti e gjysëm numri i klerikëve u katërfishua, jeta e Kishës u ngjall sepse siç e ka theksuar dhe z. Beduli çdo dhiak, çdo prift, që hirotoniset nga Fortlumturia e Tij Anastas do të thotë të hapet një kishë e re, të krijohet një komunitet i ri, ku besimtarët tanë të marrin hirin e perëndishëm përmes këtyre.

Por vizioni për të ardhmen është krijimi i shkollës Teologjike e cila siç ka theksuar Kryepiskopi, mendojmë të zhvillohet në nivel universitar. Veçse Kishës Orthodhokse, megjithë kërkesat e përsëritura për marrjen e një trualli të përshtatshëm, nuk i është krijuar një mundësi e tillë, duke e detyruar që të paguajë shuma të mëdha të siguruara me shumë mund nga miq dhe të njohur të Kryepiskopit anembanë botës, për të paguar qiranë e godinës (7 mijë $ në muaj) ku strehohet seminari. Një qëndrim i tillë është i pakonceptueshëm si edhe i papranueshëm. Nuk mund ta kuptojmë indiferencën, burokracinë, a çfarëdo emri tjetër mund të mbajë, sidomos kur bëhet fjalë për Seminarin Teologjik -Ieratik të nivelit universitar, i cili do të jetë një metropol dijësh, mushkëri shpirtërore për gjithë vendin; një qendër e cila do të përgatisë njerëz që pasojnë Krishtin në shërbimin e njerëzve, në rrugën e Golgotasë, në rrugën e Ngjalljes… Bij të Ngjalljes.