EmailFacebookKontakt

U mblodh Bordi i Presidencës i Këshillit Ndërfetar

Më 3 shkurt 2021, Bordi i Presidencës i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë mbajti mbledhjen e radhës dhe të parën për këtë vit. Në të merrnin pjesë krerët e pesë komuniteteve fetare në vend, bashkëdrejtues të KNFSH-së, H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman, Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo, President i Konferencës Ipeshkvnore, H. Dede Edmond Brahimaj, Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Pastor Ylli Doçi, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore, Sekretari i Përgjithshëm Dr. Genti Kruja dhe përgjegjësja e Financave në KNFSH, znj. Sheldiana Agaraj Jano.

Takimi, i mbajtur në Arqipeshkvinë e Tiranës, u hap nga Mons. George Frendo, njëkohësisht dhe kreu në detyrë i Këshillit, i cili theksoi se edhe pse një vit pandemie me plot sfida, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë një punë të madhe me aktivitete të ndryshme sociale e humanitare, prandaj ai i falënderoi të gjithë për angazhimet e përbashkëta gjatë vitit 2020 dhe sidomos për punën e bërë nga bordet dhe departamentet me angazhimet e bashkëpunëtorëve të tij, Sekretarit të Përgjithshëm z. Genti Kruja dhe znj. Agaraj.

Më pas, sipas dhe rotacionit të miratuar nga Bordi i Presidencës, Mons. George Frendo i dorëzoi detyrën e kreut të Këshillit Ndërfetar H. Dede Edmond Brahimajt, i cili do të kryesojë Presidencën e KNFSH-së gjatë vitit 2021.

Në vijim, mbledhja vazhdoi sipas rendit të ditës, agjendë e cila është ndjekur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar z. Kruja, paraqiti raportin një-vjeçar të KNFSH-së. Ndër të tjera ai përmendi se viti 2020 edhe pse një vit me kufizime dhe pengesa për shkak të pandemisë, vlen të theksohet se janë shënuar angazhime të shumta, siç kanë qenë disa projekte humanitare për familjet në nevojë të zonave të tërmetit, fëmijët jetimë, spitalet, botimi për herë të parë i një katalogu në anglisht, një libri aktivitetesh në shqip dhe anglisht, konferenca dhe simpoziume të ndryshme, realizimi i një dokumentari kushtuar 30-vjetorit të lirisë së besimit etj.

Gjatë vitit 2020 janë zhvilluar gjithashtu dhe disa mbledhje e takime të Bordit të Presidencës, Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë.

Anëtarët e Këshillit të Presidencës, gjatë kësaj mbledhjeje, diskutuan edhe për disa çështje të rëndësishme lidhur me angazhimet e KNFSH-së në vazhdimësi, si dhe për problematika ende pa zgjidhje nga ana e shtetit.