EmailFacebookKontakt

U mblodh Asambleja e Përgjithshme e Klerikëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Nga 23-24 qershor, në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë, u mblodhën Këshilli i Përgjithshëm dhe Asambleja e Përgjithshme e klerikëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Klerikët e të 4 dioqezave diskutuan për çështjet më shqetësuese dhe pengesat që hasin, duke e vënë theksin tek problemet e kthimit të pronave, truajve që kërkohen për kishat e reja etj. Theksi u vu edhe në fushatën e egër të shpifjeve të ndërmarrë kundër Kishës dhe veçanërisht ndaj figurës së Kryepiskopit Anastas nga disa qarqe të caktuara dhe u shpreh njëzëri mbështetja e klerikëve dhe besimtarëve të enorive që ata përfaqësojnë për Fortlumturinë e Tij. Gjithashtu, u vunë në dukje edhe tentativat e presionet qëllimkëqia të bëra kohët e fundit ndaj disa priftërinjve, për të nxitur një përçarje me pasoja të paparashikueshme fetare e kombëtare në gjirin e KOASH.

Në fund, u përcaktuan drejtimet dhe prioritetet e punës në të ardhmen dhe u aprovua unanimisht një deklaratë drejtuar autoriteteve shtetërore, forcave politike, organeve të shtypit e informacionit, përfaqësive të huaja në vend etj.

Më pas u shtrua për të pranishmit një drekë pune, gjatë së cilës u bënë konkluzionet e takimit dhe u urua nga pjesëmarrësit Fortlumturia e Tij Anastasi, me rastin e 2-vjetorit të emërimit të Tij si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë nga Patrikana e Kostandinopojës.

Korresp. i “Ngjalljes”