Në 16 maj, në mjediset e Kampit të Punëtorëve Durrës, ku zhvillon veprimtarinë mësimore Seminari Orthodhoks, u mblodh Asambleja e Klerikëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në qendër të diskutimeve ishte figura e klerikut në situatat e reja që përballon Kisha dhe problemet e mirë-administrimit financiar. Një vit më parë Asambleja e klerikëve e mbledhur në Tiranë ngrinte zërin ndaj sulmeve dhe kufizimeve të lirisë fetare, ndërsa sot problemet janë të ndryshme, por jo më pak të mprehta.
Në fjalën e tij të hapjes, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, pasi foli për situatën e vështirë që u kalua, duke vënë në dukje edhe një herë se, siç e treguan faktet, është besimi i patundur tek Perëndia e vetmja rrugëzgjidhje, theksoi përpjekjen e re që duhet ndërmarrë, për të përballuar nevojat e problemet, bazë për të cilën është qëndrimi dhe veprimtaria e klerikëve. “Nëse do të kemi mundësi që me Hirin e Perëndisë të jemi siç e kërkon Ai, – tha Kryepiskopi, – njerëz të besimit, të gatshëm për të pranuar vullnetin e Tij, me sakrificë dhe bindje të plotë, nuk kemi arsye për të pasur frikë nga asgjë dhe zhvillimi i Kishës sonë do të jetë i bekuar”.
Më pas, në fjalët e lektorëve u trajtuan aspekte të ndryshme të figurës së klerikut. I pari e mori fjalën At Justini, i cili theksoi si kusht të domosdoshëm për gjithë të krishterët, veçanërisht për orthodhoksët, korrektësinë e fjalës dhe të përjetimit. Para mësimdhënies duhet të vijë veprimi. “Ndërsa një mësues mund ta japë mirë mësimin, pavarësisht se si është në jetën private, kjo nuk mund të vlejë për klerikun. Modeli ynë është Krishti, i cili dha vetë shembullin. Edhe pas tij Apostujt bënë të njëjtën gjë. Thanë Etërit e Shenjtë: Eshtë gjë e madhe të flasësh për Perëndinë, por është edhe më e madhe të pastrosh veten”.
Diskutimi i Sekretarit për anën teologjike të KOASH, teologut Dhimitër Beduli, kishte për temë “Personaliteti i priftit në enori, në famulli dhe në përgjithësi, në shoqëri”. Ai vuri në dukje respektin e thellë të klerikëve të moshuar për rrobën e misionin e tyre, duke sjellë shembuj nga e kaluara, për të trajtuar me forcë se misioni priftëror është hyjnor dhe duhet kuptuar si i tillë nga çdo klerik. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e përsëritjes dhe ripërtëritjes së parimeve themelore, pavarësisht se në pamje të parë mund të duken të ditura, sepse vihen re disa siptoma e mangësi elementare që shqetësojnë.
I treti e mori fjalën At Efraimi, murg nga Mali i Shenjtë, pedagog për disa kohë në Seminar, i cili bëri një shpjegim praktik të mënyrës së të vepruarit të klerikut, duke theksuar se Liturgjinë Hyjnore duhet ta nisim nga shtëpia jonë, sepse s’mund ta kryejmë misionin tonë pa qenë të pastër në trup e shpirt, për të vazhduar pastaj diskutimin e tij me shembuj të shumtë konkretë. Ndërsa At Luka, zbërtheu në ligjëratën e tij faktin së “ne, si klerikë, s’kemi një punë, por shërbimin më të madh që ekziston”.
Problem tjetër, që u trajtua në pjesën e dytë të mbledhjes, ishte ai i gjendjes ekonomike, për të cilën foli Kryedhiakoni Sotir Kanxheri, dhe Sekretari për anën Administrative, z. Aleko Dhima, si dhe diskutuan mjaft priftërinj. “Gjatë këtyre 4 viteve jetojmë me mbështetjen e vëllezërve tanë nga bota, por ajo është në rënie, – tha në ndërhyrjen e tij Kryepiskopi Anastas, – se ishte për periudhën e parë dhe për qëllime konkrete. Problemi sot është se si do të arrijmë të qëndrojmë me këmbët tona. Kjo është një çështje ndaj së cilës të gjithë duhet të tregojmë kujdes”.
Para persekutimit, së pari, kisha kishte prona; së dyti, kishte gjithë objektet e kultit dhe manastiret, nga të cilat siguronte edhe të ardhura; së treti kishte subvencionime nga shteti. Tani manastiret e Kishat janë të rrënuara e duan ato vetë subvencione. Për prona pothuaj s’bëhet fjalë. Nga shteti jo vetëm s’ka subvencione, por detyrohemi të paguajmë para për të marrë mbrapsht godinat tona. Pra, në se s’do të kishte qenë ndihma nga jashtë Kisha s’do të mund të qëndronte asnjëherë me këmbët e saj. Po s’u kuptuan këto, gjendja vështirë se mund të ndryshojë dhe nuk do të arrihet dot një pavarësi ekonomike e Kishës sonë. Gjithashtu, u vunë në dukje edhe të meta konkrete, si mosmbajtje e rregullt e dokumentacionit, moszbatimin në kohë të udhëzimeve të dërguara etj., dhe u vunë detyra për forcimin në të ardhmen të kontrollit, i cili do të jetë i vazhdueshëm dhe më cilësor.
Në fund, takimi u mbyll me lutjet ndaj Zotit, në një mbrëmësore të përbashkët në Kishëzën e Seminarit.
Korresp. i “Ngjalljes”