“…u kryqëzove me dashje nga njeridashja”
Duke qenë Mbret i qiellit dhe i tokës, o i Pakuptueshëm, u kryqëzove me dashje nga njeridashja; këtë kur e takoi Ferri poshtë, u hidhërua, dhe kur e pritën shpirtat e të Drejtëve, u ngazëlluan. Dhe, kur të pa Adami në më të poshtmet, Ty, Krijuesin, u ngjall. O çudi! Si shijoi vdekje jeta e të gjithëve? Veç, siç deshi vetë, për të ndriçuar botën, e cila thërret e thotë: O Zot, që u ngjalle së vdekurish, lavdi më Ty.
Si u mbërtheve mbi Kryq, o Jeta e të gjithëve, dhe u numërove me të vdekurit, o Zot i pavdekshëm, u ngjalle pas tri ditësh, o Shpëtimtar, dhe ngrite Adamin nga prishja; prandaj Fuqitë e Qiejve të thërrisnin, o Jetëdhënës: Lavdi pësimeve të tua, o Krisht; lavdi Ngjalljes tënde; lavdi pranimit tënd me dashje, o i vetmi njeridashës.
Kur u mbërtheve mbi drurin e Kryqit, atëherë vdiq pushteti i armikut; krijesa u trondit nga frika jote dhe Ferri u plaçkit nga pushteti yt; të vdekurit i ngjalle nga varret dhe Kusarit i çele Parajsën. O Krisht, Perëndia ynë, lavdi më Ty.
Me Kryqin tënd shfuqizove mallkimin e drurit; me Varrimin tënd vrave pushtetin e vdekjes; dhe me Ngritjen tënde ndriçove gjininë e njerëzve. Prandaj po të thërresim: Mirëbërës Krisht, Perëndia ynë, lavdi më Ty.
(Marrë nga Shërbesa e Ngjalljes)