EmailFacebookKontakt

U krye Shërbesa e Bekimit të aparatit të Rezonancës Magnetike

Në datën 16 nëntor 2023, në Qendrën Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi” në Tiranë u krye një veprimtari sa e ngrohtë, aq edhe domethënëse: Shërbesa e Bekimit të aparatit të Rezonancës Magnetike, i instaluar kohët e fundit, si edhe i disa shërbime të reja që ofrohen atje.

Me këtë rast, përveç personelit të Qendrës Diagnostike, ishin mbledhur edhe përfaqësues nga institucionet kryesore të Kishës sonë dhe tre përfaqësues të Fondacionit “Stavros Niarhos”, që dhuroi këtë aparaturë mjekësore të teknologjisë së fundit.

Ata pritën me ngrohtësi ardhjen e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, i cili kreu Shërbesën e Bekimit, i ndihmuar nga Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe shoqëruar nga kori bizantin. Pas bekimit të Rezonancës Magnetike, Kryepiskopi bekoi edhe disa shërbime të reja të qendrës: Skanerin modern, farmacinë dhe autoambulancën e re. Pas shërbesës, bashkë me përfaqësuesit e Fondacionit “Stavros Niarhos”, Fortlumturia e Tij preu shiritin e inaugurimit të mjediseve dhe aparaturës së re.

Më pas, të pranishmit u mblodhën në sallën e veprimtarive të Qendrës Diagnostike, ku foli për historinë e këtij bashkëpunimi Drejtor Ekzekutiv i saj, z.Vasil Kristo, mjeku imazherist z.Roland Hasa dhe përfaqësuesi i Fondacionit dhurues, z.Jorgos Mihalopulos. Në vijim, të pranishmëve iu drejtua Kryepiskopi Anastas, i cili theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe interesimin dhe investimin në vite nga Kisha jonë për kujdesin shëndetësor. Ai falënderoi veçanërisht përfaqësuesit e Fondacionit “Stavros Niarhos”, për bashkëpunimin e frytshëm dhe interesimin e tyre të vazhdueshëm.

Fortlumturia e Tij u dhuroi një ikonë të Ngjalljes së Krishtit, të realizuar nga një nga ikonografët e rinj shqiptarë, për ta vendosur në mjediset e Fondacionit.

Th. Dhima