EmailFacebookKontakt

U kremtua më bukur se çdo herë Profet Ilia

Para pesë vjetësh, pikërisht më 20 korrik 1991, liturgjia e asaj dite të shënuar u krye nga at Vangjel Xoxe në një mjedis krejt të rrënuar, në një kishë që nuk i kish mbetur gjë, veç katër mureve, edhe ato të shkatërruara. Më pas, me aprovimin dhe financimin e Kryepiskopit Anastas dhe me ndihmat e vetë besimtarëve beratas, që derdhnin në arkat e kishave të ndryshme, u bë rindërtimi. U ndërtua ikonostasi, u zbulua ora diellore dhe e gjithë shtruarja e dyshemesë, e cila u ribë për të ruajtur origjinalitetin e vet, u shtrua bukur dhe u pajis me të gjitha orenditë përkatëse Ajodhima, u ndërtua porta e jashtme dhe dy dyer të brendshme dhe ja, në vitin e pestë, u pajis me rreth 100 frona, me fronin e episkopit etj.

Mbrëmjen e 19 korrikut drejt kishës së Profet Ilias u derdh një lumë i pafund besimtarësh, për të marrë pjesë me besim të madh në mbrëmësoren e drejtuar nga At Petraq Simsia, si dhe të nesërmen për të ndjekur me përkushtim Liturgjinë Hyjnore. Një pjesë e mirë e besimtarëve e kaluan natën duke ndenjur breda në kishë, me shpresën për të shëruar sëmundjet dhe për të rritur besimin në Zotin tonë Iisu Krishtin.

Ilia Zaha