Çdo 24 gusht, Kisha jonë kremton Hierodëshmorin Kozma të Kolkondasit. Në vitet më të errëta të robërisë, shenjtori la manastirin dhe u përpoq me të gjitha forcat për të rigjallëruar kandilin e besimit Orthodhoks, që po fikej nën errësirën osmane. Kjo e kremte kremtohet jo vetëm në manastirin e tij, por edhe në mbarë vendin.
Të hënën, 23 gusht 2021, Mbrëmësorja e shenjtorit u krye në bregun e lumit Seman, afër fshatit Mujalli, në vendin ku u martirizua Shën Kozmai. Që nga viti 2018, atje ngrihet një kryq i madh druri, pranë të cilit u krye shërbesa nga Mitropoliti i Apollonisë, Nikolla.
Të nesërmen, e martë 24 gusht 2021, kremtimet u kryen në Manastirin kushtuar shenjtorit, në fshatin Kolkondas të Myzeqesë, kisha dhe ambientet e të cilit u mbushën me besimtarë të ardhur nga gjithë zona, por edhe nga gjithë vendi, si dhe nga jashtë. Liturgjia Hyjnore u krye nga Mitropoliti i Apollonisë, Nikolla bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin, dhe klerikë nga zona, nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë, si dhe nga jashtë vendit.
Pas Liturgjisë Hyjnore u krye Litania e lipsanit të hirshëm të Shën Kozmait dhe ikonës së tij të nderuar.
Thoma Dhima