14 Shtatori është një nga të kremtet më të ndjera nga besimtarët. Në këtë ditë të shënuar ata kujtojnë me shpresëtari Lartësimin e Kryqit të Nderuar. Ata kremtojnë edhe gjetjen e Kryqit nga Shën Elena, nëna e perandorit Konstandin, në Jerusalem, në kodrën e Golgothasë; të Kryqit ku u kryqëzua Zoti ynë Jisu Krisht. Gjithashtu kujtohet rimarrja dhe lartësimi i tij. Pasi u rrëmbye nga persianët, ai u rimor nga perandori Irakli, në shek. VII. Pas kësaj ai u “lartësua” në Kishën e Ngjalljes në Jerusalem. Që atëherë kjo ngjarje filloi të kremtohej në të gjitha Kishat e perandorisë dhe më pas nga të gjitha Kishat Orhodhokse.
Në këtë të kremte të shënuar, më 14 Shtator 2021, në Kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi Anastas bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin, Episkopin e Bylisit, Astin, dhe klerikë të Kryepiskopatës.
Në fund të Liturgjisë, Fortlumturia e Tij iu foli besimtarëve për rëndësinë dhe simbolikën e së kremtes. Ndër të tjera ai theksoi: “Përsëri Kisha jonë na fton të ngremë brenda zemrës dhe mendjes sonë Kryqin e Zotit. Sot, ashtu si edhe në kohët e vjetra, ka nga ata për të cilët kryqi është skandal apo marrëzi. Por, për të krishterët orthodhoksë mbetet Zot i fuqisë dhe Zot i urtësisë. Me parakushtin që ky kryq të na frymëzojë gjithmonë; që të fuqizojmë dashurinë tonë për Perëndinë dhe për ikonat e Tij – njerëzit e tjerë… Për ne të krishterët orthodhoksë, Liturgjia Hyjnore nuk është thjesht një kujtim i asaj çfarë ka ndodhur me Kryqin, por një përjetim i ri i kësaj ngjarjeje…. Gjithashtu, le të kujdesemi që në këtë periudhë dhimbjeje që ka sjellë pandemia, me anë të dhembshurisë, me lutjet, me dashurinë tonë, të lehtësojmë dhimbjen, vuajtjen e vëllezërve tanë që ndodhen nën goditjen e kësaj pandemie.”
Kjo festë u kremtua nga besimtarë të shumtë në kishat e Kryepiskopatës dhe të Mitropolive.
Th. Dh.