EmailFacebookKontakt

U hap ekspozita “Sigurimi në fjalët e veta”

Në datën 30 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit çeli ekspozitën me titull: ZHDUKUR “Sigurimi me fjalët e veta”. Ajo u organizua në lulishten “Fadil Kokomani, Vangjel Lezho”, pas godinës së Kryeministrisë. Në të u prezantuan 3299 jetë të vjela nga dokumentet e historikëve të 19 degëve të ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit në komunizëm”, të ICMP-AIDSSH, të mbështetur nga BE dhe Ambasada Zvicerane.

Gjatë programit, fjalën e hapjes e mbajti Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Më pas përshëndetën Matthew Holliday, Shef i Programit, Ballkani Perëndimor, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP; Alexis Hupin, Zv/Ambasador i BE në Shqipëri (TBC); Luigj Mila, përfaqësues i shoqatës “Muzeu i Spaçit”; Ylber Merdani, Kryetar i Shoqatës të ish- të Përndjekurve Politikë të Korçës dhe Kryeministri Edi Rama.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, së bashku me Komunitetet Fetare tradicionale në vend, është e interesuar për gjetjen e personave të zhdukur në periudhën e komunizmit dhe sidomos për personat klerikë apo laikë të komunitetit orthodhoks. Ajo u përfaqësua në këtë aktivitet nga Episkop Asti dhe Thoma Shkira.