EmailFacebookKontakt

U festua në të gjithë vendin e kremtja e madhe e Fjetjes së Hyjlindëses

Edhe këtë vit, e kremtja e madhe e Fjetjes së Hyjlindëses, më 15 gusht 2023, pati kremtim masiv edhe të hareshëm në kishat e manastiret e Kryepiskopatës dhe të Mitropolive.

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin dhe klerikë të Kryeqytetit. Predikimi i rastit u mbajt nga atë Ilia Mazniku, i cili foli për rëndësinë e kësaj dite për mbarë njerëzimin.

Në Mitropolinë e Korçës, Hirësi Joani e kreu Liturgjinë Hyjnore në kishën “Fjetja e Hyjlindëses” në Pogradec. Gjithashtu, pjesëmarrje masive të besimtarëve në festim pati edhe në shumë kisha të kësaj Mitropolie, si Manastirin me të njëjtin emër në Boboshticë, në kishën në qytetin e Korçës, në Leskovik, Voskopojë, Vithkuq, Vodicë, Drenovë, Niçë, Ziçisht etj.

Në Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit, Liturgjia Hyjnore panagjirike u krye në kishën historike “Fjetja e Hyjlindëses, në Manastirin e Apollonisë. Liturgjia Hyjnore u krye nga Hirësi Nikolla dhe klerikë të Mitropolisë.

Në Mitropolinë e Elbasanit, Hirësi Andoni e kreu Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shën Athanasit.

Në Mitropolinë e Beratit, Liturgjia u krye në kishën e mrekullueshme “Fjetja e Hyjlindëses” në kala, e cila është kthyer nga shteti në muzeun “Onufri”. Kjo Mitropoli ka mjaft kisha kushtuar Hyjlindëses, ku u kremtua, si në Manastirin e Zvërnecit, Sinjë etj.

Në Mitropolinë Gjirokastrës Liturgjia Hyjnore u krye në shumë kisha e manastire që u janë kushtuar Hyjlindëses së Tërëshenjtë, si në Piqeras, Himarë, Kostar, Goranxi, Leusë, Kakome, Dhivër, Derviçan, Kameno, Kosinë, Peshkëpi, Zervat, Vrahogoranxi etj. Në Gjirokastër Liturgjia u krye në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.

Kujtojmë se, megjithëse sot kjo e kremte e madhe nuk renditet në festat zyrtare të shtetit dhe ditët e pushimit, deri në Luftën II Botërore, ishte në kalendarin e festave zyrtare.