“Krishti u ngjall së vdekurish”
Tiranë, Kisha e Ungjillëzimit, e shtunë 17.4.1993, ora 24.00
Tiranë
Me madhështi e gëzim të madh u festua Pashka në kryeqytet. Të shtunën, darken e Pashkës mijëra e mijëra qytetarë të besimeve të tjera, të të gjitha moshave, ishin grumbulluar para kishës së Ungjillëzimit, duke mbushur jo vetëm sheshin para kishës por dhe të gjitha mjediset rreth e rrotull, duke përfshirë edhe një pjesë të rrugës së Kavajës ku ishte vendosur tribuna nga ku Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas mbajti mesazhin që i drejtoi me këtë rast besimtarëve orthodhoksë dhe u këndua himni madhështor “Krishti u ngjall”. Pastaj liturgjia vazhdoi në Kishën e Ungjillëzimit në prani të qindra besimtarëve. Me këtë rast kudo ishin vëndosur pllakate me ikonën e ngjalljes së Krishtit, ndërsa besimtarët mbanin në duar qirinjë të ndezur dhe në mesnatën e së shtunës duke u gdhirë e diele me t’u kënduar himni i ngjalljes sipas traditës, u çukitën vezët e kuqe.
Ditën e Pashkës besimtarët shkuan për vizita në familjet e njëri-tjetrit duke uruar me fjalët “Krishti u ngjall”, “Vërtet u ngjall”. Pasdite në kishën e Ungjillëzimit Kryepiskopi Anastas, priftërinj dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pritën vizita. Për të uruar Pashkën erdhi edhe Presidenti i Republikës Sali Berisha, ministri i Jashtëm Alfred Serreqi, ministra, deputetë të Kuvendit Popullor, drejtues të partive politike, përfaqësues të trupit diplomatik dhe mjaft personalitete të tjera.
Gjithashtu erdhën për të uruar Pashkën edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike, Nunci Apostolik Ivan Dias, si dhe kryetari i Komunitetit Islamik të Shqipërisë Hafiz Sabri Koçi, Kryegjyshi botëror i Bektashinjve baba Reshat Bardhi dhe mjaft persona të tjerë.
Durrës
Gjatë gjithë Javës së Madhe të Pashkës kisha e Shën Gjergjit në Durrës ishte e mbushur plot e përplot me besimtarë gjatë gjithë ditës deri natën vonë, madje shumë prej tyre sipas traditës, i gdhinë netët në kishë duke u falur e duke u lutur. Madhështore u zhvillua ceremonia e nxjerrjes së Epitafit nëpër qytet, sipas rrugës së ndjekur prej dhjetra e dhjetra vjetësh, ndërsa mijëra qytetarë i shkonin pas me qirinj të ndezur. Si asnjëherë tjetër ishin grumbulluar shumë mijëra qytetarë darkën e së shtunës së Pashkës duke mbushur gjithë rrugën që çon iart tek kisha në kodrat e qytetit. Pasi u lexua mesazhi i Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastas, kori i fuqishëm i qytetarëve në unison, nën drejtimin e At Spiro Tolës kënduan himnin “Krishti u ngjall”.
Berat
Këshilli kishëtar i Beratit dy javë para ditës së Pashkëve organizoi mbledhjen e vet të zgjeruar për të shtruar dhe diskutuar me shumë besimtarë aktivistë përgatitjet që duhet të bënin për kremtimin sa më mirë të kësaj feste të madhe të orthodhoksëve. Të gjithë ramë dakord për të hartuar një program të madh me detyra të veçanta për çdo grup pune dhe për çdo individ të veçantë. Me t’u larguar nga mbledhja secili filloi të kryente detyrën e vet.
Kështu p.sh. kujdestarët e kishës së Shën Spiridhonit të lagjës Goricë, zotërinjtë Mihallaq Paçuka, Miltjadh Kushi e Jani Maskuti, së bashku me kishëtarin e palodhur Dhimitraq Cilingiri iu vurë punës për lyerjen e kësaj kishe si brenda ashtu dhe jashtë saj, për vendosjen e xhamave në ikonat e ikonostasit, për zbukurimin e tyre me disa sende zbukurimi të dhuruara nga disa besimtarë orthodhoksë që banonin në SH.B.A. Besimtarët R. Riko, Niko Cylaku dhe P. Baboçi u aktivizuan për ndriçimin dhe funksionimin e qendrës së zërit. Këtë vit u vendos dhe një altoparlant jashtë kishës, muret e së cilës vezullonin nga drita të shumta. Besimtarët Dhimitër Topi dhe Dhimitër Buda afishuan në qytet disa lajmërime, të shkruara bukur dhe qartë, ku u bënin të ditur orthodhoksëve beratas emrat e kishave, datat dhe orët përkatëse të meshimit të tyre gjatë dy javëve që pasonin Pashkët e Mëdha.
Me këtë punë të lavdërueshme paraprake në qytetin tonë të lashtë u krijua një atmosferë mjaft festive dhe e gëzueshme jo vetëm për orthodhoksët, por edhe për komunitetet e tjera fetare. Kështu që në ditën e parë të Javës së Madhe të gjitha kishat e Beratit ishin zbukuruar e pastruar më së miri nga kujdestarët dhe aktivistët e përkushtuar orthodhoksë. E gjithë kjo parapërgatitje i dha frytet e veta: të Mërkurën, ditën e Efqelive, të Enjten e Madhe, u kënduan 12 Ungjijtë, të Premten e Madhe, ditën e kryqëzimit të Iisu Krishtit dhe të nxjerrjes së Epitafit rreth lagjes Goricë dhe ditën e shtunë në orën 24.00, kur u bë ceremonia e ngjalljes së Krishtit, në Kishën e Shën Spiridhonit dhe në oborrin e saj pati një pjesëmarrje të jashtëzakonshme njerëzish. Të gjithë këta, duke përfshirë dhe shumë myslimanë, të cilëve ne u shprehim falënderimet tona të përzemërta, dëgjonin me kënaqësi zërin e ëmbël të At Vangjel Xoxes si dhe të ndihmësit të tij, prift Bartolomeo Bullarit, po ashtu dhe të psaltëve të përkushtuar Minella Heqimi, Sotiraq Tapia, Ilia Koçi, Edmond Filipi, Lili Ceca, Kostaq Bumbli, Peçi Musha, Vasil Kushi, Mimi Bullari, Fori Karaj. Të dielën më 18.4.1993, pikërisht në ditën e Pashkës, zoti Piro Shyti, i ngarkuar nga këshilli kishëtar me miratimin e shumë orthodhoksëve, qysh në mëngjes u dhuroi të gjithë të sëmurëve në spitalin e Beratit nga një vezë të kuqe, si simbol të kësaj dite, gjë që u prit me kënaqësi. Me rastin e kësaj feste në Mitropoli erdhën për të uruar kryetari i Bashkisë se Beratit zoti Ylli Ruli së bashku me zotërinjtë Eduart Dollani, Nasho Koroveshi e Edmond Konxhaku, si dhe kryemyftiu i Beratit, zoti Qeramudin Dudia, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit mysliman, si dhe shumë besimtarë të tjerë.
Të hënën, ditën e dytë të Pashkëve, u fal në ish-katedralen e Beratit, kisha e Fjetjes së Shën Marisë, që ndodhet në Muzeun “Onufri” në kalanë e qytetit. Edhe kjo kishë, e famshme për ikonostasin e saj të gdhendur aq mjeshtërisht në dru arre prej artizanëve të njohur beratas, si dhe për të gjitha mjediset e saj të mrekullueshme, u mbush plot e përplot jo vetëm nga besimtarë të lagjes Kala, por edhe nga ata të lagjeve të tjera.
Ilia Zaka
Sekretar i Episkopatës së Beratit
Ceremoni të ngjashme u zhvilluan në të gjitha Kishat Orthodhokse të Shqipërisë.