– Me këtë rast u krye një Liturgji Hyjnore Sinodike në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë dhe Kryepiskopi Anastas shtroi një drekë në Manastirin e Shën Vlashit, për përfaqësuesit e të katër dioqezave të Kishës sonë –
Të hënën, në datën 2 gusht, u zhvilluan shërbesa dhe veprimtari me rastin e kremtimit të 12-vjetorit të Fronëzimit të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasit, çast ky që shënon edhe fillimin e Ringritjes Kanonike të Kishës sonë.
Liturgjia Hyjnore Sinodike u zhvillua në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në Tiranë. Në këtë Liturgji bashkëmeshonin me Kryepiskopin edhe Mitropoliti i Beratit Ignati dhe Mitropoliti i Korçës Joani. Kisha ishte e mbushur edhe me dhjetëra klerikë e qindra besimtarë, përfaqësues të të gjitha dioqezave të Kishës sonë.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Mitropolitët e Beratit dhe të Korçës uruan Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas.
Hirësia e Tij Ignati tha ndër të tjerat: “..Dëshmi e suksesit të tij në ringritjen e Kishës brenda pak vitesh janë edhe klerikët e shumtë që e rrethojnë, si edhe Sinodi i Shenjtë që u formua nën pëlqimin dhe drejtimin e Fortlumturisë së Tij, por edhe besimtarëve, që gjejnë shpresën dhe besimin dhe dashurinë në zemrën dhe krahët e Kryepiskopit. Ç’të kujtojmë më parë? Kishat që ngriti nga themelet dhe riparoi me investimet e tij, klerikët që hirotonisi, ngritjen e Akademisë Teologjike, qendrat diagnostike dhe kujdesin e tij per shëndetin e njerëzve, botimet e shumta, apo frymën e tij të misionarizmit, e cila frymëzon këdo? Nuk gjejmë fjalë të shprehim as kontributin e tij financiar për të gjitha mitropolitë. Në Mitropolinë e Korçës po përgatitemi të përurojmë Katedralen, gjithashtu Katedralja e Beratit po ngrihet me kontributin e tij. Nga ana tjetër të tjera kisha në Mitropolinë e Gjirokastrës dhe liceu kishtar presin përkujdesjen e tij të veçantë. Lutemi Zotit t’i japë shumë vjet që të drejtojë këtë Kishë të Shenjtë”.
Ndërsa Hirësia e Tij Joani u ndal në domosdoshmërinë e kujtimit të kësaj mrekullie: “Çdo frymë që është me Perëndinë kujton dhe falenderon, sepse kujtimi dhe falenderimi janë çështje bazë të besimit tonë. Por falenderimi nuk është abstrakt. Ne falënderojmë Perëndinë për gjithçka që ka bërë. Por kjo ndodh nëpërmjet njerëzve që iu përkushtuan Atij dhe me sakrifica të shumta kontribuan për të ngritur këtë Kishë të rënuar dhe sa here ne kujtojmë dhuratat e Perëndisë kujtojmë edhe ata me anë të të cilëve Perëndia ka vepruar. Në përvjetorin e dymbëdhjetë të Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas kemi shumë gjëra për të kujtuar dhe falenderuar. Duhet të lutemi që Perëndia t’i japë këtij bariu të devotshëm shëndet, forcë e mençuri, sepse në detin e trazuar që ecën Kisha jonë i duhen kapitenë të sprovuar, të ditur dhe të fortë. Stuhitë nuk kanë mbaruar ende, ato vazhdojnë në forma të ndryshme. Kryepiskopi ynë i dashur është bërë at real i të gjithë besimtarëve. E ka udhëhequr Kishën në paqe dhe në kohë trazirash, gjithmonë me mençuri dhe urtësi, aq sa Kisha jonë është një faktor i rëndësishëm në jetën shoqërore të Shqipërisë dhe një institucion i nderuar në mbarë botën. Fryma e Kryepiskopit është përhapur kudo, fryma e paqes dhe mirëkuptimit, e mençurisë dhe respektit për çdo qënie njerëzore. Për shumë vjet o Kryezot”.
Në vijim, Kryepiskopi Anastas mori urime edhe nga përfaqësuesi i Lidhjes Rinore “Bij të Dritës”, e cila është organizuar në të gjithë vendin, duke marrë pjesë energjikisht në jetën e Kishës. Kjo sipas vizionit të Kryepiskopit, se Rinia Orthodhokse nuk përbën vetëm të ardhmen e Kishës, por edhe të tashmen e saj. Ndërsa fëmijët jetimë të “Shtëpisë së Shpresës” e uruan Kryepiskopin duke i dhuruar atij lule.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi Anastas tha se kjo festë nuk lidhet vetëm me Fronëzimin e tij, por edhe me Ringrijen Kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, fakt kanonik ky që lidhet edhe me krijimin e Sinodit të Shenjtë, si organi më i lartë i Kishës.
Në vazhdim Fortlumturia e Tij falenderoi të pranishmit nga i gjithë vendi, që kishin udhëtuar shumë orë për tu gjendur në këtë ditë me rëndësi historike për të gjithë Shqipërinë.
Në fjalimin e tij Kryepiskopi u ndal në tre elemente: “Zoti i dashur dhe i dhembshur ka qenë i rreptë vetëm për një gjë, për pafrytshmërinë. Ai dha urdhër dhe fiku pa fruta u tha. Njeriu që nuk jep fryte nuk ka të ardhme dhe as shpresë për të pritur bekimin e Krishtit. Fryti që japim, a është i mirë? Kjo pyetje fillon nga episkopët, vazhdon me priftërinjtë, besimtarët madje edhe tek fëmijët e vegjël. Që prej fillimit kemi pasur shumë probleme, por po ta keni besimin sa një kokërr sinapi do t’i thoni malit lëviz nga vendi dhe ai do të lëvizë. Me besim të fuqizuar kemi përballuar shumë probleme madje edhe një problem që është paraqitur kohët e fundit për ndërtimin e Kishës Katedrale në Tiranë. Sot kishin programuar që të kryenim shërbesën e gurit themeltar. Nuk dua t’u hyj detajeve për të paraqitur pengesat e shumta që na kanë ndaluar për dy vjet. Ndaj këtyre nuk do të reagojmë as me zemërim, as me protesta, por vetëm me besim. Më shumë lutje me këmbëngulje edhe nga secili prej nesh në veçanti dhe prej të gjithëve si grup në kishë. Ndërsa po hyjmë në një vit tjetër, t’i lutemi Perëndisë të na ruajë të mos jemi pemë pa fryte, të na falë besim të fortë dhe të na bëjë njerëz të lutjes dhe t’i ndajmë bekimet e tij me të tjerët. Dhe vendi ynë ka nevojë për shumë lutje dhe besim dhe këto janë rrënjë që do të japin fryte të tjera që janë dashuria dhe paqja. Në këtë periudhë të re le të marrin vendimin për ta ndjekur pas Krishtin me besim, me dashuri dhe me shumë gëzim”.
Pas Liturgjisë Hyjnore, të pranishmit e shumtë u drejtuan për në manastirin e Shën Vlashit, ku Kryepiskopi Anastas do të shtronte drekën e rastit. Dreka kaloi nën një atmosferë familjare dhe përveç urimeve dhe këngëve, biseda udhëtoi edhe tek kujtimet e më të vjetërve për vitet e para të ringritjes së Kishës.
Në fund, Kryepiskopi Anastas u shpërndau klerikëve botimin e ri të Uratores së Vogël, botim i cili u prit me shumë interes. Si çdo vit aktivitetet e këtij përvjetori do të mbylleshin me Shërbesën e Efqelisë, në manastirin e Shën Vlashit.
Aleks Çuri