EmailFacebookKontakt

Turne i pasur me vlera shpirtërore

Gjatë 10 ditëve të qershorit që vizituan Shqipërinë, çifti i bashkëshortëve Dana dhe Sue Talley, tenor dhe pianiste, muzikantë profesionistë orthodhokse nga Amerika, kënduan lavdërime për Zotin dhe ndanë me besimtarët që i ndoqën në koncerte talentin e tyre muzikor dhe përvojën nga turnetë e shumta. Dana dhe Sue Talley kanë arritur një shkallë të avancuar duke studiuar në shkollat muzikore më cilësore të Amerikës dhe më pas në Itali. Ata kanë një përvojë të gjerë profesionale me organizimin e shumë koncerteve të mirërespektuara, si në Komunitetet Kulturale të SHBA ashtu edhe në ato Europiane. Ata kanë ekzekutuar pjesë muzikore në Itali, Rusi dhe në të gjitha shtetet e SHBA, të ftuar në Kisha, shkolla, universitete, spitale dhe baza ushtarake. “Ngjallja” i intervistoi, për të mësuar më shumë rreth historisë së tyre personale dhe mbi përshtypjet e vizitës së parë në Shqipëri.

– Çfarë e ka frymëzuar familjen tuaj të fillojë shërbesën muzikore?

– Ne iu kushtuam plotësisht kur adoptuam djalin tonë Xhonatan, megjithëse kishim luajtur bashkë për shumë vjet në kishat e SHBA-së. Ne ndjemë këtë moment si një mision të veçantë, pasi katër fëmijë tanë vdiqën shpejt pas lindjes. Komuniteti ynë Orthodhokse në atë kohë na dha një nxitje të veçantë.

– Ku dhatë koncerte dhe bëtë vizita gjatë qëndrimit në Shqipëri?

– Vizituam disa qytete kryesore – Durrës, Tiranë, Vlorë, Berat dhe Korçë. Gjetëm kënaqësi të veçantë gjatë Liturgjisë në Manastirin e mrekullueshëm të Ardenicës. Ne u habitëm nga ikonografia dhe arkitektura e një kulture shumë të lartë orthodhokse, por dhe nga shkatërrimet dhe humbjet që ato pësuan gjatë kohës së Hoxhës. Ne admiruam fshatrat e bukur malore dhe bregdetin. Ne patëm kënaqësinë të ishim dëshmitarë të punës së madhe të priftërinjve orthodhoksë.

– Cilat nga interpretimet tuaja jua pëlqeu më shumë publiku?

– Ndjemë një pritje të ngrohtë për të gjithë këngët e krishtera dhe klasike që luajtëm. Për ne pjesët më të suksesshme qenë ato që u kënduan së bashku me artistët e tjerë shqiptarë. Gjithashtu, patëm kënaqësinë të mësonim dhe të këndonim disa nga këngët tuaja në shqip.

– Keni plane për t’u kthyer në Shqipëri? Dhe në qoftë se po çfarë do t’ju pëlqente të bënit?

– Eshtë e sigurtë që dëshirojmë të vijmë prapë. Ne do të dëshironim të vazhdonim bashkëpunimin me muzikantët dhe korin e mrekullueshëm këtu, si një Kishë e mrekullueshme. Bashkë me shqiptarët ne do të dëshironim të vizitonim fshatrat dhe lokalitetet malore, ku shumë njerëz të zotë jetojnë shumë të izoluar.

– Përveç dhënies së koncerteve, çfarë lloje të tjera shkëmbimesh kulturale mund të krijoni?

– Kryesisht do të shkruajmë rreth përvojës sonë. Gjithashtu, do të përpiqemi të mbledhim para për të ndihmuar klerin dhe rindërtimin e kishave. Ne kemi ftuar disa nga studentët muzikantë shqiptarë që janë jashtë Shqipërisë të qëndrojnë në shtëpinë tonë kur ata vijnë për studime në Amerikë.

– Çfarë ngjashmërish shikoni midis Shqipërisë dhe Rusisë, ku, gjithashtu, keni dhënë mjaft koncerte?

– Shqipëria dhe Rusia janë përfshirë në përpjekje të ngjashme për të mëkëmbur vendet e tyre, mbas shkatërrimit që pësuan nga shtypja totalitare komuniste. Pas një eksperience të tillë është e vështirë për çdo popull të mësojë që të ketë besim tek aftësitë e tij. Komuniteti botëror duhet të tregojë një respekt më të madh dhe mirëkuptim për këto kultura të lashta dhe të tregojë ndjeshmëri më të madhe për problemet dhe nevojat e tyre. Shumë gabime janë bërë në Rusi, nga shkaku i dëshirës për të ndihmuar pa njohur mirë të kaluarën dhe ndjeshmërinë kulturale.

– Çfarë përshtypjesh kanë amerikanët në drejtim të Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse këtu?

– Për fat të keq, deri para pak kohe amerikanët kanë dëgjuar shumë pak si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kishën Orthodhokse këtu. Amerikanët që ne njohim, të cilët vijnë në Shqipëri, kanë dëshirë të madhe për të ndihmuar, por me qëllim që të jenë efikase për këtë gjë, kanë nevojë të rrijnë shumë afër me udhëheqësit orthodhoksë shqiptarë, të cilët kanë vuajtur për Krishtin dhe t’i pyesin ata, me shumë përulje, se si mund t’i shërbejnë më mirë Kishës dhe vendit.

– Cilat janë planet tuaja të ardhshme në lidhje me udhëtimet dhe shërbimet që ju do të kryeni?

– Ne kemi në plan të bëjmë një udhëtim në Rusi në muajin shtator për të nderuar martirizimin e At Aleksandër Menn, një prift i shquar orthodhoks rus dhe intelektual i vrarë në vitin 1990. Përveç kësaj ne do të udhëtojmë në gjithë Amerikën, për të realizuar shumë koncerte, në të cilat do të tregojmë eksperiencën tonë të re personale dhe ngjarjeve nga Shqipëria.

Intervistoi: Presvitera Fotini Veroni