EmailFacebookKontakt

Tryeza e familjes

Thuhet se pajisja më e rëndësishme e shtëpisë është tryeza e familjes. Edmund Barbotin e quan atë “… furnizimi social. Ajo është bashkimi i familjes. Duke u ulur rreth e rrotull saj, ajo na bashkon të gjithë. Pikërisht që nga tryeza, familja shpërndahet dhe bashkohet çdo ditë”. Sido që të jetë, e pasur ose e varfër, tryeza është thesari i shtëpisë. Mbledhja rreth tryezës për çdo vakt shihet si kungim përmes ndarjes së ushqimit, përmes bashkëbisedimeve dhe lutjeve tona. Të kremtet më të mëdha fetare të Dhiatës së Vjetër festoheshin dhe vazhdojnë të festohen edhe sot nga judenjtë, rreth tryezës së familjes. Shpesh harrojmë se ne të krishterët orthodhoksë kemi dalë nga Dhiata e Vjetër. Rrënjët tona i kemi atje.

Është e nevojshme të rivendosim praktikën e kremtimit të festave të mëdha kishtare rreth tryezës së familjes në shtëpitë tona. Në këtë mënyrë, ato përjetohen dhe bëhen të pazëvendësueshme për fëmijët tanë. Shën Joan Gojarti, në një predikim të tij, i udhëzon burrat për sa i përket vaktit të ngrënies në familje: “Pasi të kenë ngrënë, ata duhet të ngrihen me gratë e tyre dhe me fëmijët e të këndojnë himne së bashku. Gjithçka duhet të mbyllet me një lutje…”. Disa familje vendosin një ikonë të vogël të Jisuit në tryezën e darkës, me një kandil para saj. Fëmijët me radhë e ndezin kandilin. Ata i mbajnë duart të bashkuara, ndërsa babai bën lutjen. Pas darkës kanë një kohë përkushtimi dhe diskutimi, ku flasin për besimin dhe tregojnë për vlerat e krishtera. Gjithashtu, ata lexojnë fjalën e Perëndisë së bashku dhe e mbyllin me lutje.

Dr. Lee Salk, një psikolog i njohur për fëmijë, shkruan: “Vakti ushqimor është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në të shkuarën, njerëzit e kishin zakon të bisedonin dhe të dëgjonin njëri-tjetrin gjatë ngrënies, ndërsa sot ata ulen përballë televizorit, që të hanë darkën e tyre televizive. Nuk më intereson ta di sa të zënë jeni; këtë kohë duhet ta shpenzoni me fëmijët tuaj. Ju mund të flisni rreth ëndrrave tuaja, rreth ditës suaj, rreth mërzitjeve tuaja etj. Sa më shumë kohë kaloni me fëmijët, aq më i vlefshëm bëhet vakti i ngrënies për ta. Nëse nuk e shpenzojmë këtë kohë me fëmijët, ata nuk do të fitojnë zakone të shëndetshme për jetën në familje.

– Liturgjia rreth tryezës familjare

Ajo që ndodh rreth tryezës familjare gjatë vaktit të ngrënies, mund të përshkruhet si “liturgjia” e familjes. Ajo fillon dhe mbaron me lutje. Gjatë vaktit mund të lexohen pjesë nga Shkrimi i Shenjtë, nga literatura kishtare ose nga jetët e shenjtorëve. Duhet ta shohim vaktin ushqimor të familjes si një vend mësimdhënieje, shkëmbim përvojash dhe lutjeje. Për disa nga ne, kjo është koha e vetme ku e gjithë familja mblidhet së bashku. Këtu fëmija mund të ndërveprojë me të rriturit; të mësojë artin e të biseduarit, të folurin dhe të dëgjuarin; të kuptojë çfarë ndodh në jetën e vëllezërve, motrave dhe prindërve; të festojë ditët e shënuara për familjen dhe ato të jetës së krishterë, si për shembull: ditëlindjet, mbarimin e provimeve, ditën e parë të punës, ditët e festave të mëdha, daljen e dhëmbit të ri e shumë ngjarje të tjera që kanë më shumë kuptim kur i festojmë me njerëzit tanë të afërm.

– Një prind shprehet kështu:

Gjatë ngrënies, çdonjërit nga ne i takon të thotë diçka për të cilën është mirënjohës, diçka që ka ndodhur te ne gjatë ditës”. Në këtë mënyrë, vakti i familjes është një kohë ideale për bashkim familjar, për lutje dhe përkushtim. Për këtë arsye, gjërat më të shkëlqyera të jetës familjare janë vaktet e ngrënies, kungimi dhe shoqëria që i ofrojmë njëri-tjetrit. Vaktin që ndahet me të gjithë pjesëtarët rreth tryezës së familjes, mund ta quajmë “misteri” i familjes, një mjet hiri, që bashkon familjen me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin. Ndërsa një tjetër shkruan: “Vakti ushqimor ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për mua, sepse pika qendrore e gjithë ditës është tryeza e ngrënies, një parashijim i banketit qiellor. Koha e ngrënies është kohë misteri për mua, një kohë falënderimi për këdo që gjendet në atë tavolinë, për ushqimin, për të qenit pjesë e historisë së madhe të Krijimit. Ne ndajmë ngjarjet e ditës, tregojmë histori, shikojmë për fjalë në fjalorë; është vakt që zgjat shumë më tepër, pasi ngrënia ka mbaruar dhe qirinjtë janë djegur.

Marrë nga:
“Familja Orthodhokse – Kisha e Perëndisë”
Anthony M. Coniaris.