Nga kremtimet e Javës së Madhe të Pashkës
Tropari i Kasianisë
Të Martën e Madhe pasdite kryhet në Kishë shërbesa e mëngjesit e së Mërkurës së Madhe. Ndërmjet himneve dhe troparëve të bukur e pendimnxitës, që psallen në këtë shërbesë, psalet dhe tropari i Kasianisë. Ky tropar është shumë i njohur ndër besimmtarët tanë orthodhoksë për përmbajtjen e tij të lartë.
Në të bëhet fjalë për një grua, e cila – sipas tregimit ungjillor – kish rënë në shumë mëkate dhe që, pak ditë para varrimit të Shpëtimtarit, kish marrë vendimin e madh të braktisë jetën prej prostitute, të paraqitet para Diellit të drejtësisë, të qajë hidhur, të rrëfejë dhimbjet, që të lehtësohej shpirti i saj i rënduar, të ndjehej e të pastrohej, që të fillonte një jetë të re, të bëhej njeri i ri. Deshi me zemër të flaktë dhe me vullnet të fortë të groposë në varrin e harresës barrën e rëndë të mëkateve. U zgjua atë ditë të bukur me këtë vendim të prerë në të cilin e kishin nxitur qortimet e ndërgjegjes dhe rruga pa krye që kish ndjekur. Dhe, kjo grua, e zhytur në mëkate dhe e dëshpëruar për veprat e saj të dobta, kërkonte liman shpëtimi. Dhe e gjeti. E gjeti pranë Shpëtimtarit, pak ditë para varrimit. Dhe i sjell miro e lotë pendimi. Dhe duke vajtuar, varros njeriun e saj të vjetër. Hedh në harresë mashtruesin e parë dhe shfrytëzuesin e jetës fundit. Ndërron rrugë. Shpëton.
Zoti ka rrugica që bashkojnë rrugën e së ligës me rrugën e së mirës, në mënyrë, që ta ketë më lehtë kushdo që dëshiron të ndërrojë jetë. Këto rrugica janë rrugicat e pendimit. I ka hapur njeridashja e Zotit, që të shpëtojnë pasardhësit e të parëkrijuarve të Tij. Janë rrugicat që shpëtuan dhe gruan mëkatare.
Kjo është shkurtimisht tema e troparit të Kasianisë.
Dhe tani disa të dhëna për Kasianinë, autoren dhe kompozitoren e këtij tropari.
Kasiania, e njohur dhe me emrat Kasia, Ikasia dhe Taisia, është e vetmja femër poete dhe kompozitore e periudhës bizantine. Koha e lindjes së saj dhe e ndërrimit të jetës nuk dihet me saktësi. Dihet sa ka jetuar gjatë shekullit të IX-të. Në Sinaksarët përmendet si “një vajzë jetime nga Bizanti, prej një familjeje fisnikësh, e bukur dhe e ditur, një askete oshënare dhe monake shpresëtare”. Dihet gjithashtu me siguri se kish ndërtuar në rrethet e Konstandinopojës një manastir, ku kaloi kohën më të shumtë të jetës duke u ushtruar shpirtërisht dhe duke shkruar shumë himne, poezi, hirmose e të tjera. Vdiq në moshë të madhe. Kisha e përkujton si oshënare më 7 shtator.
Ndër himnet, poezitë, hirmosët, epigramat e shkrimet e tjera të saj, dy shquhen si nga më të spikaturat: tropari i shumënjohur i Kasianisë, të cilin po e japim më poshtë të plotë të përkthyer shqip dhe tropari “kur mbretëronte mbi tokë Augusti…”, që psallet në shërbesën e mbrëmjes të Krishtlindjes, të cilin bizantinologu i shquar gjerman Krumbacher e karakterizon krejt origjinale dhe ku bëhet një paralelizëm tepër i goditur midis pushtetit romak të kohës dhe mbretërisë që do të themelonte Krishti i lindur.
Krumbacheri, duke folur për Kasianinë në veprën e tij mbi letërsinë bizantine, thotë se: “në himnet e saj ajo tregon liri të madhe dhe një ndjenjë të thellë, se të gjithë himnet e saj shquhen nga origjinaliteti i ideve dhe nga një shprehje e fuqishme”.
Shtojmë se, lidhur me Kasianinë, dy kronikanë bizantinë, i pari Jorgji Mëkatari (vdekur rreth v. 914 pas Kr.) dhe i dyti Simeon Magjistri (fundi i sh. X) flasin për një incident që paska ndodhur midis Kasianisë dhe perandorit të Bizantit Teofil (829-842), incident i cili është përdorur si subjekt nga mjaft shkrimtarë e tregimtarë për të shkruar romane e tregime nga më fantastiket. Po për këtë do të merremi një herë tjetër.
O Zot, gruaja që ra në shumë mëkate,
duke njohur Hyjninë tënde,
merr detyrën e mirasjellëses e duke vajtuar,
të sjell miro para varrimit. Dhe thotë:
E mjera unë, se jetoj në një natë të errët e të pahënë,
në dashuri mëkati që si zekth më shtyn në ndyrësi.
Po Ti që ngre lart ujin e detit dhe e kthen në re,
Prano burimet e lotëve të mi.
Përkulu para rrënkimeve të zemrës time,
Ti që përkule
qiejt me zbritjen tënde të patreguar.
Do të puth këmbët e tua të kulluara dhe do t’i fshij
me gërshetat e kokës time.
Trokëllimën e këtyre, kur e dëgjoi në mbrëmje
Eva në parajsë t’i oshëtijë në vesh,
nga frika u fsheh.
Mëkatet e mi të shumtë, por edhe thellësinë e pafund
të gjykimeve të tu,
kush do t’i gjurmojë o Shpëtimtari im shpirtshërbyes?
Mos e hiq vështrimin tënd prej meje shërbëtores tënde,
Ti që ke mëshirë të pamatur.
Dh. B.