Na shkruajnë lexuesit e “Ngjalljes”
Koço Zhegu, historian
Mes ndryshimeve rrënjësore që po ndodhin, vihet re se besimi i krishterë dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë po rigjallërohet në mbarë vendin tonë. Dhe, duhet thënë me plot gojën, se merita më e madhe dhe e lavdërueshme i takon ndihmës Hyjnore të Perëndisë dhe nëpërmjet Tij, Kryepiskopit Anastas dhe gjithë atyre që punojnë me devotshmëri në kryesinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Pengesat e mëdha dhe më kryesoret, duket se u kaluan me mençuri dhe pa rrjedhoja, në sajë të gjithë besimtarëve të krishterë, të cilët, me besim të sinqertë dhe të madh përkrahën dhe mbështetën në çdo rast Kryepiskopin e zgjedhur prej tyre dhe kryesinë e Kishës. Në përgjithësi mund të thuhet se ky ishte një fillim i mbarë, por duhet patur parasysh se probleme të shumta e me rëndësi të veçantë mbeten për t’u zgjidhur në kohën e ardhshme jo shumë të largët.
Meqenëse shkruesi i këtyre rreshtave nuk pretendon se është kompetent dhe nga ana tjetër, as që është në brendi të problemeve imediate apo në perspektivë, sa edhe të mundësive ekonomike dhe atyre organizative që mund të përballohen. Por, si besimtar, i nisur nga qëllimet e mira, e ndjen si detyrë që të shprehë disa mendime, të cilat mund të jenë të vlefshme në shtrimin drejt të problemeve që lidhen me vlerësimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë së luajtëshme e të paluajtëshme të kishave e manastireve të shenjta të vendit tonë.
Trashëgimia e pasurisë kishtare, megjithëse e përvetësuar, e dëmtuar dhe në shumë raste e shkatërruar qëllimisht nga vetë pushtetasit komunistë, prapëseprapë, mund të thuhet, për aq sa ka mbetur, është një trashëgimi me vlera të mëdha fetare e kombëtare!
Mjerisht, e gjithë kjo trashëgimi me vlera shpirtërore, arkitektonike, artistike e historike, ende edhe sot nuk është kthyer në pronësinë e kishës. Në këto rrethana, ajo rrezikohet të dëmtohet dhe të zhduket pa lënë gjurmë, sikurse edhe ka ndodhur në disa raste, nga të cilat mund të përmendet vjedhja e epitafit të Gllavinicës nga sallat e Muzeut Historik dhe vjedhja e shumë ikonave e objekteve të shenjta nga kisha dhe muzeume të tjerë. Nuk është rasti që të bëjmë fjalë për vlerat shpirtërore e monetare të gjithçkaje që është zhdukur nga pasuria kishtare, sepse kjo do të jetë një kapitull më vehte në historikun e kishës sonë për gjatë periudhës 45-vjeçare nën pushtetin ateist komunist.
Por, duhet nënvizuar se gjithë pasuria kishtare që ende nuk i është kthyer kishës është në rrezik të madh që të shkatërrohet e të humbet, për një periudhë shumë të shkurtër.
Eshtë nevojë e domosdoshme dhe e menjëhershme, që të bëhen të gjitha përpjekjet për ta kthyer të gjithë këtë pasuri në pronësi të kishës, sikurse është në të gjithë botën e qytetëruar. Kisha dhe besimtarët e krishterë, si në të kaluarën edhe sot do të dinë ta ruajnë me përkushtim këtë trashëgimi.
Nga ana tjetër, nga institucionet kishtare duhet të merren të gjitha masat e nevojshme, paraprakisht, për krijimin e mjediseve të posaçme dhe të personelit, i cili do të merret me ruajtjen dhe administrimin e gjithë pasurisë kishtare. Në radhë të dytë, do të ishte e nevojshme që të krijohej një atelje qendrore dhe më pas simotra në qendrat kryesore. Kjo atelje, fillimisht, do të përgatiste personelin e specializuar për restaurimin dhe meremetimin e kishave dhe objekteve të tjera.
Të dhënat historike tregojnë se në kohët e vjetra kishat dhe manastiret kanë qenë ndërtuar e pikturuar nga mjeshtra vendas, kështu që edhe në kishën tonë do të ishte me interes që të vazhdohej në gjurmët e traditave të të parëve tanë, të cilët me punimet në ndërtim, pikturë dhe në gdhendje në dru kanë qenë të njohur e të preferuar edhe në vendet fqinjë të Shqipërisë.
Ateljeja qëndrore fillimisht do të duhej të kishte katër sektorë kryesore, si Sektori i ikonografisë, Sektori i pikturës murale, Sektori i gdhendjes në dru, Sektori i muratorëve të specializuar.
Për krijimin e tyre, fillimisht duhet të ngrihen kurse dy-tre vjeçare me të rinj, të cilët do të marrin njohuri nëpërmjet leksioneve e punës praktike, sipas specialitetit të sektorëve përkatës. Pjesëmarrësit në këto kurse do të ishin të preferuar që të kenë mbaruar Liceun Artistik në degët e pikturës dhe punimit të drurit etj.
Këto ishin veç disa opinione personale, por për këto probleme do të ishte mirë të bëhej një tërheqje e gjerë e mendimeve të specialistëve, të debatohej rreth tyre, për të arritur në zgjidhje sa më efikase.