EmailFacebookKontakt

Transplantimi i parë në trup njerëzor

Ngjarjen e mëposhtme e shkëputëm nga jeta e doktorëve të shquar dhe martirëve të besimit Kozma dhe Damian, kujtimin e të cilëve e kremtojmë më 1 korrik:

Këmba e djathtë e një burri nga qyteti i Sebastianisë ishte gangrenizuar. Harxhoi gjithë pasurinë e tij nëpër doktorë për të gjetur shërim por më kot. Gjendja e tij sa shkonte dhe keqësohej.

Kur i ranë në vesh mrekullitë e Anargjendëve të lavdishëm Kozma dhe Damian i vizitoi në shtëpinë e tyre, duke u thënë: “Ju lutem, Shenjtë, në emrin e Zotit tonë Iisu Krisht, të tregoni mëshirë edhe për mua mëkatarin, që të më shëroni këmbën time të djathtë”. Kur iu afruan Shenjtorët zunë hundët nga era e keqe e këmbës së tij.

Kjo gjëndje tregonte se eshtrat e këmbëve të tij ishin kalbur. Atëhere Shenjtët i thanë: “Nuk mund të të shërojmë dot plagën, vetëm po qe se Zoti ynë Iisu Krisht do të mbulonte me hirin e Tij shërues”. Atëhere i huaji tha duke qarë: “Shenjtë, tregoni mëshirë edhe për mua mëkatarin”. Shenjtët u përgjegjën: “Eja brenda në shtëpinë tonë të çlodhesh dhe t’i lutesh Perëndisë me gjithë intensitetin e zemrës sate. Dhe ne do t’i lutemi Perëndisë që të na tregojë Zoti çfarë të bëjmë”.

Kur arriti ora e dymbëdhjetë e natës u shfaq engjëlli Rafail dhe u tha Shenjtëve: “Shkoni në Kishën e shënjtit dhe martirit Koinoviarh. Aty vdiq para katër ditësh një njeri të cilin e vunë në varr. Prisni këmbën e tij të djathtë dhe ia vendosni njeriut që kishte gangrenë, me qëllim që të rregullohet gjendja dhe kur të vijë dita e Ardhjes së Dytë, kur do të ngjalien të gjithë të vdekurit, atëhere do t’i jipet secilit këmba e vet. Dhe këto do të bëhen, sepse Zoti dëshiron që së bashku me shërimin të lavdërojë edhe shën Anargjendët”.

Atëhere Damiani i tha Kozmait: “Vëlla Kozma, kam frikë se mos na mashtron djalli që të bëhemi shkaktarë të vdekjes së njeriut?” Kësaj pyetjeje Kozmai iu përgjegj: “Jo, mos fol ashtu, sepse ai që na foli ishte engjëll”. Atë çast erdhi përsëri engjëlli i Zotit dhe tha: “Atë që ju thashë bëni”. Atëhere prenë këmbën e djathtë të të vdekurit. Pastaj prenë këmbën e atij që kishte gangrenën, që nga gjuri e poshtë. Pastaj i vunë të sëmurit këmbën e të vdekurit, duke evokuar emrin e Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Me këtë thirrje i sëmuri u bë mirë. Dhe Shenjtorët lavdëruan Perëndinë.

Por edhe ai i cili vuante nga gangrena shikonte se prenë këmbën e tij të djathtë dhe në vend të tij vunë këmbën e djathtë të tjetrit. Dhe i shikonte këto si në endërr.

Në vazhdim Shenjtët morën këmbën e gangrenizuar dhe e çuan te i vdekuri, duke thirrur emrin e shën Triadhës. Dhe kur e vendosën në vend të këmbës tjetër, Shenjtët thanë: “Lavdi Mbretërisë sate, o Zot; lavdi mirësisë sate, o Zot”.

Njeriut të sëmurë Shenjtët i thanë: “E pe vëlla? Kush të shëroi?” Dhe ai u tha Shenjtëve: “Unë pashë në gjumë të gjitha sa ndodhën, se erdhën njerëz që prenë këmbën time dhe në vend të tij vunë këmbën e njeriu tjetër dhe tani shikoj këmbën time të shëruar. Ajo që më la mbresa më të mëdha ishte prerja e këmbës sime”. Shenjtët iu përgjigjën: “Shko tani vëlla, mrekullitë e Perëndisë u realizuan, besimi yt të shpëtoi”.

Atëhere i shëruari iku për në shtëpinë e vet me gëzim të madh. Por, fqinjët dhe të njohurit e tij nuk besonin se i zëvëndësuan këmbën. Vetëm kur vajtën te varri dhe panë aty këmbën e sëmurë, besuan se ato që u kishte thënë ishin të vërteta. Kështu lavdëruan edhe ata Perëndinë, i Cili u jep shërim të tillë atyre që shpresojnë te Perëndia. Atij i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.