EmailFacebookKontakt

Tradita dhe vizioni i bashkëjetesës së komuniteteve fetare në Shqipëri

Si çdo të mërkurë të parë të muajit, më 1 mars, në Kishën Katedrale të Tiranës u zhvillua takimi i 5-të i ciklit “Ligjërata të intelektualëve” me një pjesëmarrje shumë të gjerë.

Edhe kësaj radhe ligjërues qe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastas, që trajtoi pjesën e parë të temës “Tradita dhe vizioni i bashkëjetesës paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri”.

Kryepiskopi Anastas, pasi trajtoi çështjen sipas periudhave të ndryshme historike të vendit, u ndal në veçanti në veçoritë dhe perspektivat e periudhës së sotme. Sot në Shqipëri, -theksoi ai, ndërgjegjja dhe mendimi fetar zhvillohen përsëri, në një kohë që gjatë dekadave të fundit në botë, është kultivuar dialogu ndërmjet kishave të krishtera, janë përmirësuar konsiderueshëm marrëdhëniet midis orthodhoksëve e katolikëve dhe në rajone të ndryshme të botës janë zhvilluar dialogje kristiano-islamike, me synim që të studjohen bashkarisht çështje teorike të vjetra, por edhe probleme të përbashkëta bashkëkohore. Kryepiskopi Anastas përfundoi ligjëratën e tij duke theksuar se: “Çdo fe thërritet të zhvillojë gjënë më autentike, më të mirë, më të thellë dhe më të bukur që disponon dhe të afrojë me to njeriun dhe shoqërinë. Dhe më tej në mënyrë paqësore dhe konstruktive t’i ofrojë ato për tërësinë më të gjerë shoqërore”.

Fakti se cikli tashmë është i afirmuar dhe i mirëpritur dëshmon se veprimtaria e intelektualëve rritet dhe stabilizohet gjithmonë në funksion të gjallërimit të jetës së Kishës. Ky aspekt, në kuadrin e zgjerimit dhe thellimit të punës së saj është i një rëndësie primare dhe është theksuar në veçanti nga Kryepiskopi Anastas që në fjalimin e Fronëzimit të Tij 2 gusht 1992 kur u drejtohej intelektualëve: “Të marrin pozita përgjegjësie dhe inisiativa, të venë në përdorim dijet, përvojën e autoritetin e tyre në përpjekjen përtëritëse të Kishës sonë”.