Të gjithë psalmet, veç dy të parëve, kanë si titull nga një mbishkrim. Ato janë të ndryshme e të vjetra. Në përgjithësi mund të thuhet se mbishkrimet tregojnë llojin poetik të psalmit ose rastin, në të cilin ai është shkruar, ose personin që e ka kompozuar apo lidhet me të dhe, së fundi, mënyrën e zbatimit muzikor të tij.
Mbishkrimi më i zakonshëm, që e takojmë herë vetëm dhe herë me mbishkrime të tjera, është fraza “në fund”. Është shënuar në 57 psalme. Rreth kuptimit të saj, Etërit e Kishës kanë dhënë interpretime të ndryshme. Përgjithësisht kemi të bëjmë me një term muzikor, me “finalen”, si quhet në gjuhën e sotme muzikore.
Gjashtë psalme kanë si mbishkrim frazën “stilografi”, që tregon vlerën e psalmit, kuptimet e të cilit duhen skalitur në kujtesën tonë, siç skaliten shkrimet nëpër shtylla.
Njëzet psalme kanë si titull frazën “aliluia”, “lavdëroni Zotin”, që është vënë për të treguar se psalmi ose është një dhoksologji për Perëndinë, ose se në fund të çdo vargu, duhet përsëritur shprehja “aliluia”.
Pesëmbëdhjetë psalme kanë mbishkrimin “ode e shkallarëve”, që tregon se këto psalme këndoheshin nga grupet e pelegrinëve hebrenj që, ngjitnin shkallaret për në tempullin e Solomonit, sidomos pas kthimit të tyre nga robëria babilonase.
Trembëdhjetë nga psalmet mbajnë mbishkrimin “urtësi”, e cila tregon ndoshta se psalmi është didaktik.
Disa nga psalmet kanë mbishkrimin, që tregon, mënyrën me të cilën duheshin kënduar. Mbishkrimet “ode”, “lavdërim” ose “lavdi”, tregojnë se ato psalme këndoheshin vetëm me gojë, pa u shoqëruar me vegla muzikore. Mbishkrimet “Psalmi ode” apo “Ode psalmi” tregon se pjesa që duhej kënduar më gojë, të shoqërohet dhe me instrumentet përkatës. Vetë fjala “psalm” nënkupton ekzekutimin me shoqërimin e instrumentave muzikore. Ka mbishkrime që tregojnë rastin kur është kompozuar psalmi, kur duhej kënduar, llojin e tij etj.
Përveç sa më sipër, shumë psalme kanë të mbishkruar emrin e njeriut të frymëzuar që e ka kompozuar ose lidhet me psalmin. Kështu, 87 psalme mbajnë emrin e Davidit, 12 të Asafit, 10 të bijve të Koresë, 4 të Agjeut e të Zaharisë dhe nga 1 të Moisiut, të Solomonit, të Emanit e të Athamit.
Psaltiri si tekst liturgjik
Psaltiri është një nga tekstet liturgjikë më të hershëm që është përdorur në himnografinë kishtare qysh me themelimin e Kishës. Në Kishën tonë nuk ka shërbesë të Shenjtë ku psaltiri të mos ketë vendin e vet. Në shërbesat e Mbrëmjes, të Pasdarkës, të Mesnatës dhe në atë të Mëngjesit, në Orët dhe në vetë Liturgjinë Hyjnore, në shërbesat e misterit të Martesës dhe të Efqelisë, në Shërbesat e Varrimit dhe në atë të Përurimit, në Ajazma e në të gjitha faljet e tjera, lexohen me shpresëtari pjesë nga psaltiri.
Me të drejtë, Shën Vasili i Madh thotë se “Psaltiri është zëri i Kishës” dhe Shën Joan Gojarti shton: “Çfarë mund të them për të lumurin David, për të cilin Hiri i Shpirtit të Shenjtë bëri që të përmendet çdo ditë e çdo natë! Sepse të gjithë e kemi si miro në gojë. Bëhen në Kishë agripnira tërë natën? Davidi është edhe në fillim, edhe në mes, edhe nga fundi i shërbesës. Ndër himnet e Mëngjesit, Davidi është në fillim, në mes, edhe nga fundi. Në shërbesat e varrimit po Davidi është përsëri edhe në fillim, edhe në mes, edhe nga fundi”.
Kaq i dashur dhe i njohur ka qenë psaltiri ndër të krishterët e vjetër, saqë, jo vetëm në Kishë e në shërbesat e saj, por edhe gjatë jetës së tyre të përditshme ai shenjtëronte mendjen dhe gjuhën e tyre. Kur bënin udhëtime të gjata në tokë apo në det, kur ishin në punët e tyre në fshat apo në qytet, kur qenë të sëmurë etj., në vend që të lexonin e të thoshin vjersha e këngë të tjera, ata përdornin meloditë e ëmbla të psaltirit.
Dhe del pyetja: pse Psaltiri pati një përhapje kaq të gjerë në Kishë e midis besimtarëve? Përgjigjen e japin po Etërit e Shenjtë të Kishës, të cilët thonë se shkaku kryesor është shumëllojshmëria e kuptimeve që përfshihen në to, e cila kënaq çdo njeri, si dhe dobia e madhe që përfitohet.
Libri i psalmeve, – thonë ata, – është si një lëndinë shumë e bukur dhe e stolisur me lloj-lloj lulesh, nga të cilat, seicili këput atë që i pëlqen dhe e kënaq. Është një lum qiellor që mbush Kishën dhe vadit me ujërat e tij shpirtrat e besimtarëve, që të japin fryte e prodhim të bollshëm. Kudo që të pikojë kjo çurgë e shenjtë, shpirtin që është dekurajuar dhe thyer nga ballet e jetës, e ngre më këmbë, atë që është tronditur e qetëson, atë që është hidhëruar e ngushëllon, kurse shpirtin që është trim e fisnik, e nxit dhe e ngjit lart. Agustini i hirshëm e quan Psaltirin thesar mësimesh, ku seicili gjen e merr atë që i nevojitet.
Psaltiri, në fillim ishte ndarë në pesë pjesë. Çdo pjesë mbyllej me fjalët: Amin, Amin, që do të thotë “ashtu qoftë”. Kjo ndarje përdorej më tepër në kultin ebraik.
Kisha jonë e ka ndarë Psaltirin në njëzet pjesë të quajtura “Kathizma” ose “Ndenjësore”, të cilat lexohen sipas një rregulli të caktuar. Çdo kathizmë përmban gjashtë, shtatë ose më shumë a më pak psalme dhe ndahet në tre qëndresa ose lavdi. Në kohën midis kathizmave psalen tropare dhe urata të ndryshme sipas tipikos së Kishës.
Përkthyen e përgatitën: Dh. Beduli, Th. Qendro