EmailFacebookKontakt

Tiranë – si një dallgë e pambarim gëzimi

Edhe herë të tjera, kemi shkruar në kronika për lumin e pafund të besimtarëve të kryeqytetit. Edhe herë të tjera kemi folur se ka pasur më shumë besimtarë se një vit më parë. Ndaj është e vështirë që të gjesh fjalët për të përshkruar Pashkën e Sivjetshme, vershimin dhe përkushtimin e njerëzve që duan të kremtojnë Ngjalljen e Zotit.

Megjithkëtë diçka veçohet – Pjesëmarrja më e gjerë në çdo ditë, në çdo shërbesë, paradite apo në mbrëmje. Dëshmi se tashmë shumica e njerëzve kanë filluar ta ndjejnë vërtetë çdo të thotë të qenit orthodhoksë, jo vetëm kaq, por kanë filluar ta njohin në thellësi e ta praktikojnë rregullisht besimin e tyre.

Dhe atmosfera e krijuar ishte po kaq e veçantë. Nga e Diela e Daflnës e në vazhdimësi të dukej sikur edhe ti ndodheshe në hyrjen me lavdi në Jeruzalem, sikur merrje pjesë në Darkën Mistike, sikur ecje e vuaje bashkë me Të në rrugën e mundimshme drejt Golgotasë, sikur bashkë me Epitafin të rëndonte mbi supe vetë Zoti i Vdekur. Po, a mund të vdesë Perëndia? Ndaj shpërthimi i gëzimit të Ngjalljes, natyrshëm rrezatoi në fytyrat e mbi 30 mijë pjesëmarrësve, që bashkë me dritën e llambadheve, e çuan në çdo kënd të qytetit, duke marrë me vete edhe Mesazhin e Pashkës të Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit.

E diela e Pashkës, pas Shërbesës së Dashurisë, u karakterizua nga vizitat e urimit të personaliteteve zyrtare, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, partive, e shoqatave politike, trupit dipllomatik etj. Për t’i uruar Pashkën besimtarëve orthodhoksë erdhi edhe Presidenti i Republikës z. Sali Berisha, që iu drejtua Kryepiskopit se “dua t’Ju shpreh edhe një herë vlerësimin tim të madh për kontributin tuaj dhe klerikëve të të tre komuniteteve, që në këtë periudhë të rilindjes kombëtare shqiptare dhatë një ndihmesë shumë të çmuar në rilindjen e vlerave fetare, pa të cilat shpirti është një shkretëtirë.” Fortlumturia e Tij, pasi e falenderoi Presidentin, tha ndër të tjera se: “Për shumë dekada kisha në Shqipëri zbriti gjer në ferr dhe këto 5 vjetët e fundit, jetuam ngjalljen e saj, ngjalljen e besimit fetar, që lidhet me ngjalljen e demokracisë në përgjithësi”.