EmailFacebookKontakt

TIRANË – sheshi përreth kishës ishte i pushtuar nga flakërimat e qirinjve

Java e Madhe, e cila u finalizua me festimin e Pashkës, ishte një ngjarje e shënuar për mbarë orthodhoksët shqiptarë. Dyzet ditët e Kreshmës u pasuan nga dy ditë të veçanta, të cilat zënë një vend të rëndësishëm midis Kreshmës dhe Javës së Madhe. Të shtunën, para Javës së pësimeve, Kisha kremtoi ditën e gëzimit, pra ngjalljen e Llazarit. Ndërsa të Dielën e Dafinave, Kisha festoi ditën e triumfit, festën e Krishtit-Mbret, të pritur nga fëmijët dhe populli në hyrje të Jerusalemit.

Me mijëra besimtarë morën pjesë në shërbesat në Kishën e Ungjillëzimit.

Të Hënën, ditën e parë të Javës së Madhe, u përkujtua patriarku Josif. Ndërsa të Martën tekstet liturgjike iu referuan kryesisht paravolisë së Dhjetë Virgjëreshave e asaj së talantave, duke u interpretuar të dyja si paravolitë e Gjykimit. Të Mërkurën e Madhe, qindra besimtarë përkujtuan gruan mëkatare, e cila leu me vajëra erëmira këmbët e Krishtit. Në mbrëmjen e po asaj dite u krye në Kishë misteri i lyerjes me vaj të shenjtë, Efqelia. Orthodhoksët lyen me vajin që shëron trupat dhe shpirtrat.

Të Enjten e Madhe, në Kishën e Ungjillëzimit, u kremtuan katër ngjarje: larja e këmbëve të dishepujve, institucionalizimi i misterit të Falënderimit Hyjnor në Darkën e Fundit, agonia në kopshtin e Gjethsemanisë dhe tradhtimi i Krishtit nga Juda. Aty u lexuan edhe të dymbëdhjetë Ungjijtë që tregojnë për këto çaste.

Ndërsa të Premten e Madhe u përkujtuan vuajtjet e Krishtit si: tallja, kurora me gjemba, etja, britma e braktisjes, të cilat Jisui i duroi mbi kryq. Gjatë gjithë ditës, besimtarë të shumtë kaluan poshtë Epitafit, të vendosur në qendër të Kishës, për të nderuar dhe për të kujtuar pësimet e Krishtit. Mbasdite, mijëra besimtarë prisnin jashtë Kishës së Ungjillëzimit daljen e Epitafit, që shoqërohej nga Kryepiskopi Anastas, klerikët kori dhe besimtarët që ndodheshin brenda saj. Kjo ditë pati si shqetësim, faktin se mungoi prania e zakonshme e policisë për të bllokuar trafikun në Rrugën e Kavajës, por falë këmbënguljes dhe entuziazmit të besimtarëve, gjithçka shkoi mirë.

Mesditën e së Shtunës së Madhe, në anekset e Kishës së Ungjillëzimit, në Tiranë, Kryepiskopi Anastas pagëzoi 18 të rinj, të ardhur nga Tirana dhe qytetete të tjera të Shqipërisë.

Mbrëmjen e po asaj dite (policia kësaj radhe ishte e pranishme dhe shumë korrekte dhe e përkushtuar), kisha dhe sheshi rreth saj u mbushën nga dhjetëramijë besimtarë. Në orën 23.00, nisi Shërbesa e Ngjalljes dhe u këndua Tipikoja e mesnatës. Të gjithë prisnin çastin kur dritat brenda kishës do të fikeshin dhe Kryepiskopi bashkë me priftërinjtë e dhjakonët do të dilnin jashtë prej hierores me qirinj të ndezur, që tregon dritën e Krishtit të Ngjallur. Jashtë, në rrugicë dhe në Rrugën e Kavajës njerëzit prisnin… Pastaj erdhi thirrja “Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon”, dhe qindra e qindra besimtarë u afruan pranë Kryepiskopit, për të ndezur llambadhet e tyre nga llambadha e Fortlumturisë së Tij, duke ia transmetuar më pas flakën e Ngjalljes njëri-tjetrit, si një zinxhir dritash shpirtërore, duke i dhënë kishës, dhe gjithë mjedisit rreth e rrotull një pamje vërtet spektakolare.

Pastaj Kryepiskopi, i shoqëruar nga klerikët dhe kori, u drejtuan jashtë tek podiumi i ngritur si çdo vit në Rrugën e Kavajës, për t’i dhënë Mesazhin e Pashkëve popullit besimtar orthodhoks dhe gjithë vendit, nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në TV Shqiptar. Ai tha: “Triumfin e pushtetit të Perëndisë po kremtojmë sot. Fuqia e pakonceptueshme e Perëndisë u zbulua në mënyrë ngazëllyese me Ngjalljen. Ngjallja e Krishtit solli një frymë shprese. Le të na ngrejë optimizmin e lënduar për të ardhmen e botës. Vite të bekuara e të gëzuara! Prania e Krishtit të Ngjallur le të na mbushë me shpresë dhe paqe në çdo rrethanë që ndodhemi” (Fjala e plotë botohet në faqet 1-6-7), të këtij numri të gazetës.

Pas këtij mesazhi përshëndetës, bashkë me tingullin ngazëllyes të kambanave të gjithë thanë me zë të lartë: “Krishti u Ngjall!”, dhe më tej u këndua nga të gjithë himni i Pashkëve: “Krishti u Ngjall së vdekuri, me vdekje vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali”, që u përcoll në shumë gjuhë edhe nga kori.

Në atmosferën e ndezur festive, sheshi përreth kishës ishte i pushtuar nga flakërimat e qirinjve vezullues, të cilat më pas do ndriçonin çdo cep të kryeqytetit. Duke përplasur vezët e kuqe, të gjithë njerëzit në një zë uronin njëri-tjetrin për paqe, shpresë, dashuri e harmoni në familjet e tyre me bekimin dhe dashurinë e Perëndisë.

I.K.