EmailFacebookKontakt

Tiranë – Festim përvjetori në Kishën e Ungjillëzimit

Në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, në ditën e kremtimit të Lindjes së Joan Pagëzorit, në prani të shumë besimtarëve u kremtua me gëzim 12-vjetori i caktimit të Fortlumturisë së Tij Anastasit si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në këtë përvjetor në emër të Sinodit të Shenjtë të klerikëve dhe besimtarëve përshëndeti Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, Protopresviter Jani Trebicka. Ai vlerësoi punën e madhe dhe kontributin që ka dhënë Kryepiskopi Anastas në ringritjen kanonike të Kishës sonë në ndërtimin e shumë kishave të reja dhe të objekteve të ndryshme social-kulturore në të gjithë Shqipërinë. Ai theksoi vlerësimin që i bëjnë personalitete të shumta në mbarë botën figurës së lartë të Kryepiskopit Anastas, duke e nderuar me tituj dhe dekorata të ndryshme edhe emërime në shumë fusha të ndryshme të jetës kishtare dhe shoqërore. Duke përfunduar përshëndetjen, uroi që Fortlumturinë e Tij ta kemi në krye të Kishës edhe për shumë vite.

Në fjalën e Tij, pasi falënderoi për urimet, Kryepiskopi përmendi vështirësitë e para që u hasën në vite, por, me ndihmën e Perëndisë, ato u kaluan dhe Kisha ka ecur e vazhdon të ecë përpara. Ai vlerësoi punën dhe ndihmën që i kanë dhënë të paharuarit Dhimitër Beduli, Teodor Papapavli, si dhe klerikët e laikët e tjerë, duke e mbështetur në punën e tij për forcimin e vazhdueshëm të Kishës sonë.

Kostandin Bozaxhiu