EmailFacebookKontakt

Tije i nevojshëm!

Shoqëria ku jetojmë ka sot një ritëm shumë intensiv, me të cilin ne jemi përshtatur. Megjithëse zhvillimi i mjeteve të teknologjisë së komunikacionit ka arritur rezultate fantastike, është shfaqur tashmë një tendencë për të nxituar. Njerëzit gjithmonë e më shumë vrapojnë për të arritur në destinacionet e tyre. Edhe pse mjetet e transportit kanë shkurtuar ndjeshëm kohën dhe distancat përsëri nuk kanë mundur të heqin ankthin për të arritur në kohë dhe ndjesinë kapitëse se jemi gjithmonë me vonesë.

Këto lloj reagimesh nuk janë të rastësishme. Ato lidhen sa me epokën, ashtu edhe me një thirrje shekullore që duket se është e vjetër sa njeriu, nevoja për tu ndjerë i nevojshëm. Kuptimi shkon edhe më gjerë, kur me të qënit i nevojshëm nënkuptohet vendosja e një qëllimi dhe dhënia kuptim e qenies tënde, si dhe kthimi i interesave jetësore drejt një synimi final.

Që të tregojmë se sa pasoja shkatërrimtare ka tek të rinjtë ndjesia e të jetuarit mjafton të përmendim se nga një studim i bërë, ka dalë se të rinjtë që kanë më shumë tendenca për të përdorur drogë janë ata prindërit e të cilëve jepen më shumë pas karrierës, biznesit apo interesave meskine, duke lënë mënjanë fëmijët. Gjithashtu, një mësuese, tregon se një nxënës i saj, përdorues droge, ka filluar një jetë normale, menjëherë pas frekuentimit të grupit të teatrit të shkollës. Mund të kuptohet lehtë ilaçi i përdorur gjatë kësaj terapie. Arsyeja pse të rinjtë janë të prirur drejt bandave kriminale, lidhet edhe me faktin se ata ndihen të panevojshëm dhe të braktisur. Kjo shfrytëzohet nga profesionistët duke i bindur të rinjtë se kanë një talent të madh në vjedhje apo veprime të tjera të kësaj natyre.

Ndaj, duhet të kemi shumë kujdes, sepse edhe pa dashje, duke i bërë të tjerët të ndihen të pavlerë, ne i traumatizojmë ata seriozisht.

Pikërisht jemi ne që duhet të kuptojmë se ku ndihemi të nevojshëm dhe se çfarë mund të bëjmë në këtë kohë që na është lënë në dispozicion dhe që quhet jetë. Për ta bërë këtë duhet të bëjmë diçka që nuk është shumë e lehtë: t’i flasim vetes me sinqeritet dhe të bëjmë një marrëveshje, në “nenet” e së cilës të shkruhen të gjitha ato që ne mund ose nuk mund të bëjmë. Por kjo nuk mjafton. Që të ndjehemi të nevojshëm, duhet që ajo që bëjmë të sjellë një dobi për të gjithë komunitetin.

Shkrimi i Shenjtë përdor një fjalë shumë të bukur (efkristos) për të shprehur nocionin “i dobishëm” ose “i nevojshëm”. Fjala të jep edhe idenë e një përdorimi të mirë i cili ka gjithmonë rezultat. Në letrën e dytë që Pavli i dërgon Timoteut ndër të tjera i shkruan: “Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë” (2 Tim. 2:21). Më poshtë ai do të vlerësojë dobishmërinë e njërit prej nxënësve të tij: “Merre Markun dhe sille me vete sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë” (2 Tim. 4:11).

Shembull tjetër tronditës përbën deklarata e Pavlit për Filemonin, padronin e skllavit Onesim, i cili nga një skllav ishte kthyer në një person të rëndësishëm me ndihmën e apostullit: “i cili dikur s’kishte fare vlerë për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty e për mua” (Fil. 1:11).

Nën rrezatimin e Pashkës, të ndjerit i nevojshëm merr një dimension krejt ngazëllyes. Jisu Krishti mishërohet, kryqëzohet dhe ngjallet për të shpëtuar të gjithë ata sa kanë jetuar dhe do të jetojnë, sepse për Të, të gjithë ne jemi të nevojshëm. Vetëm kjo siguri se edhe nëse të përbuzur nga të gjithë ne jemi të nevojshëm dhe të dashur tek Ai, i Cili është Burimi i jetës, i çdo dhurate dhe mirësie, do të na ndihmojë që kurrë të mos i dorëzohemi pesimizmit dhe dorëheqjes prej të jetuarit. Ne duhet të marrim plotësisht frerët e jetës në duart tona, madje edhe me një farë “kokëfortësie” pozitive t’i japim asaj ngjyra edhe kënaqësi, edhe kur përreth nesh gjithçka mund të duket e errët dhe e pashpresë. Ngjarja më kulminante e historisë së njerëzimit, është Ngjallja e Krishtit, që i dha goditjen deçizive dhe vdekjeprurëse forcave të errësirës, forca këto që janë të interesuara të na bindin se jemi të panevojshëm, për të na hedhur në dëshpërim kështu që të kenë mundësi të na tërheqin drejt rrugës së humbjes.

Me ngritjen e Krishtit nga varri, jeta jonë merr një tjetër kuptim. Nëse të krishterët rrezatojnë optimizmin edhe kur kanë probleme shqetësuese, këtë e bëjnë sepse e dinë që janë të dobishëm dhe të nevojshëm dhe se jeta e tyre dhe ajo çka ata bëjnë janë shumë të çmuara dhe të pallogaritshme në sytë e Atij, tek i Cili ata besojnë, tek Ai i cili dërrmoi vargonjtë e vdekjes dhe i dha botës Jetën.

C.A.