EmailFacebookKontakt

Ti shërbejmë Zotit të bashkuar

Ishte organizata botërore rinore orthodhokse “Syndesmos”, që, me bekimin e Fortlumturisë së Tij Anastas, mblodhi në Korçë të rinj, që vijnë nga vende të ndryshme, por të cilët i bashkon diçka shumë e rëndësishme: dashuria për Zotin.

Seminari i trajnimit “T’i shërbejmë Zotit të bashkuar”, i zhvilloi punimet nga 2 deri në 9 shtator në një nga pikat turistike të qytetit, në ish-kampin e punëtorëve. Qenë ditë të mbushura me diskutime, ku si tema më kryesore mund të përmendim Katekizmi në vendet ish-komuniste, Rreziku nga proselitizmi, Organizimi i të rinjve etj… Gjithashtu, pati vizita, ekskursione etj..

Ditën e parë, deri në orët e vona ishim në pritje të pjesëmarrësve. Dhe meqë ajo, mbart edhe lodhjen e rrugës, u mjaftua me prezantimin dhe me njohjen e programit.

Dita e dytë, filloi me lutjen e mëngjesit, kohën e heshtjes, studimin e Shkrimit të Shenjtë… Më pas, Elikia Kihali, nga Kenia, në diskutimin e tij trajtoi temën: “Thirrja për ungjillëzim”, si dhe bëri një panoramë e punës së të rinjve orthodhoksë atje. Mësimi i këngëve në gjuhë afrikane, e më pas në anglisht e shqip, gjallëroi takimin.

Mbasdite vizita e parë u bë në azilin e qytetit. Një godinë e ngritur që më 1931, ku strehohen rreth 40 persona. Ndërmjet tyre kishte dhe shumë fëmijë të braktisur, të cilët kishin etje për dashuri prindërore. Dhe të rinjtë e “Syndesmos”-it ndanë me ta një dashuri akoma dhe më të madhe; dashurinë e Zotit. Më vonë u nisëm drejt Boboshticës, një fshat me tradita të hershme orthodhokse. Vizjtuam kishat e Shën Joanit, Shën Marisë e Shën Dhimitrit. Tek kjo e fundit bëmë dhe mbrëmësoren.

Dita e tretë, në pjesën e parë të saj, kishte studimin me temë: “Ti shërbejmë Zotit të bashkuar”, mbajtur nga motër Sa-ra, nga Anglia. Mbasditja vijoi me vizitën dhe mbrëmësoren në Kishën e Burimit Jetëdhënës, që është kthyer në “Muzeun e Artit Mesjetar”.

Ditën e katërt, At Theologu preku dhe trajtoi probleme nga më të ndryshmet dhe më të rëndësishmet për rininë orthodhokse sot. Si problem i veçantë u trajtua dhe ngjarja e shëmtuar e Voskopojës.

Mbasditja vijoi në Voskopojë, me vizitat në kishat e Shën Kollit e Shën Mihailit. Shkuam aty për t’u njohur më nga afër me traditat e lashta të orthodhoksisë, por, padyshim, s’mund të qëndronim indiferentë e mos jetonim me dhimbjen dhe dramën e disa javëve më parë. “Monument kulture. Mbrohet nga shteti” – kështu shkruhej në një tabelë të ndryshkur, e cila qëndronte (ndoshta për ironi) në hyrje të kishës së Shën Mihailit. Brenda në kishë – afreske shenjtorësh të shkatërruara. 23 ikona, që kishin përjetuar këtë tmerr, 23 ikona, që vajtonin. Por jo vetëm ato…, lotët e dhimbja, mbizotëronin tek ne të gjithë.

Më pas grupi i “Syndesmos”-it me at Lukën, ishin të parët, që kryenin një ceremoni fetare në kishën e martirizuar.

Dita e pestë, u paraqit Përfaqësuesi i Përgjithshëm arkihieratik i KOASH, Protopresviter Jani Trebicka nga Korça: “Rindërtimi i Kishës Orthodhokse në Shqipëri”. Ai bëri një panoramë të gjerë, të asaj çka ndodhur e ç’ndodh aktualisht në kishën tonë. Në veçanti u fol dhe për aktivitetet e të rinjve të Korçës, ku u përmend kampingu i organizuar për dy javë në Vithkuq etj. Më tej vijoi një tryezë e rrumbullakët, në të cilën pyetjeve të pjesëmarrësve iu dha përgjigje nga personal, të cilëve u adresoheshin.

Mbasdite u nisëm në Liqenas. Kishim dëshirë të shkonim në kishën që ndodhet në ishullin e liqenit të Prespës, po kushtet atmosferike s’na lejuan. Ndaj shkuam në kishën e fshatit, ku kryem dhe mbrëmësoren… Pastaj, të gjithë morën pjesë në festën e lamtumirës, që vazhdoi deri në orët e vona të natës.

Ditën e gjashtë, pas një udhëtimi të gjatë arritëm në Gjirokastër. Vizituam kishën e Metamorfozës, ku prifti i saj na foli për jetën orthodhokse në qytet e kishat e shumta. U nisëm drejt Fierit, për të kaluar aty natën.

Ditën e shtatë dhe të fundit, grupi i “Syndesmos”-it ishte në Manastirin e Ardenicës. Kishin ardhur edhe shumë e shumë njerëz të tjerë, për të kremtuar Lindjen e Hyjlindëses. Kjo ditë e shënuar ishte tepër e veçantë, se ky kremtim bëhej për herë të parë, pas marrjes në pronësi të Manastirit nga Kisha. Në këtë ditë të shënuar erdhi dhe Kryepiskopi, Fortlumturia e Tij Anastasi, i Cili celebroi Liturgjinë Hyjnore.

Ndërkohë që atmosfera e festës mbizotëronte në të gjithë manastirin, Kryepiskopi priti grupin e të rinjve të “Syndesmos”-it. Duke rikujtuar, se ky seminar u zhvillua me bekimin e Tij, takimi në Ardenicë, ish te një bekim, edhe më i madh. Gjatë bisedës me të rinjtë Ai tha se: “Kur qëndroj tani mes jush vetja më duket se jam anëtar i ‘Syndesmos’-it” e më tej, kujtoi me mall hapat e tij të para me këtë lidhje rinore botërore etj. Pasi dëgjoi mendimet e të rinjve, Kryepiskopi i përgëzoi për hapat e ndërrmarra. U larguam me këngën “Jemi të Krishtit ambasadorë në këtë botë”, duke fiksuar një fotografi me Fortlumturinë e Tij, në shkallët e manastirit.

Duke çmuar punën e madhe të At Lukës dhe grupit organizues, për zhvillimin e këtij seminari, u larguam të mbushur me njohuri dhe përvojë dhe me shpresën se Zoti do të bekojë takime të tjera të tilla.

Pandi Gjata