EmailFacebookKontakt

Thirrje për pajtim

Duke vajtuar “mëkatet e të shkuarës”, Papa Gjon Pali II i nxiti katolikët e Romës, më 2 maj 95, të gjejnë një gjuhë të përbashkët me ritin kristian Lindor Orthodhoks në Europën Lindore dhe në Lindjen e Mesme. “Mëkati i ndarjes sonë është shumë serioz. Si mund të jemi plotësisht të besueshëm, në qoftë se rrimë të ndarë?” – tha Papa në një letër apostolike të quajtur “Orientale Lumen” (Drita e Lindjes). Letra avancon kërkesën e Papës për lidhje më të afërta dhe se “këto mëkate të së kaluarës fatkeqësisht akoma na rëndojnë dhe mbeten prezente”. Papa i apelon katolikëve të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të respektojnë Kishat Lindore.

Por, dokumenti eviton të përmendë disa nga ndryshimet themelore të parimeve të kristianizmit midis katolikëve dhe orthodhoksëve, që çuan në ndarjen e tyre në shek XI, si shtesën e “filioque” në Besore, kuptimet themelisht të ndryshme për figurën e të Virgjërës Mari, pagabueshmërinë dhe primatin e Papës etj. Gjithashtu, Papa vazhdon t’u japë rolin e një “ure bashkimi” midis Lindjes dhe Perëndimit atyre komuniteve Lindore që u bashkuan me Romën në të kaluarën (Uniatëve), megjithëse orthodhoksët i shohin pikërisht këto komunite uniate si një nga pengesat më serioze për bashkim dhe dialog – një pozicion ky i konfirmuar edhe nga komisioni Ndërkombëtar i Dialogut Teologjik Orthodhoks-katolik më 1993.

Lidhjet midis kishave Orthodhokse dhe Romës janë përmirësuar në dekadat e fundit. Papa Pavli VI dhe Patriku Ekumenik Athenagora I shfuqizuan më 1971 mallkimet e vëna nga kishat për njëra-tjetrën në 1054.