Besimtarëve të Kishës së Ungjillëzimit në Tiranë, prej disaj muajsh i është shtuar edhe një grup simpatik, i përbërë nga prindërit dhe 5 fëmijë. Edhe më të veçantë i bën fakti se, fëmijët janë të racave të ndryshme të globit. Është familja Linderman misionarë orthodhoksë nga SHBA, që kanë ardhur të kontribuojnë pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Për të ditur diçka më shumë rreth tyre, iu drejtuam kryefamiljarit, z. Çarls, me profesion kirurg, i cili ka nisur tashmë të ndihmojë pranë Qendrës Diagnostike Orthodhokse.
– Së pari, një prezantim për lexuesit e “Ngjalljes”…
– Emri im është Çarls Linderman. Kam lindur në SHBA, në Ohajo. Dëshira e jetës sime ishte të jem doktor dhe të ndihmoj njerëzit, të zbus dhimbjet dhe vuajtjet.
Kur ndiqja John Carroll University, në Cliveland, u takova me gruan time, Marian. Aty u gradova në biologji e më pas nisa shkollën mjekësore. Maria u diplomua për Edukim elementar. Pas pak kohësh u martuam dhe them se ky ka qenë bekimi më i madh i jetës sime. Patëm shpejt, në vitin 1991, një djalë.
Në vitin 1992 u diplomova në shkollën mjekësore e nisa trajnimin e përgjithshëm si kirurg për 5 vjet. Ndërkohë patëm dhe një djalë tjetër dhe adoptuam dhe tre fëmijë.
– Si vendosët të hynit në rrugën e misionarizmit, kur jeta juaj rridhte në një shtrat kaq solid?
– Në fund të trajnimit kisha vendosur të nisja shërbimin tim si kirurg i përgjithshëm, por Zoti nuk kishte rezervuar këtë për mua. U sëmura shumë rëndë, i mbijetova një sëmundje shumë të rëndësishme të zemrës. Qe një mrekulli e vërtetë, sepse 99% e atyre që u ndodh vdesin. Falë Zotit shpëtova dhe vendosa t’ia dedikoja jetën time Krishtit.
Pas një praktike private 3-vjeçare, kalova provimet dhe u bëra anëtar i shoqatës amerikane të kirurgëve. Por, bashkë me Marien kuptuam që Zoti donte ta ndiqnim.
Kishim një stil jete që çoheshim në 9 të mëngjesit dhe ktheheshim në 9 të darkës, pa ndërhyrë kurrë me familjen time, duke u kujdesur për pacientë dhe bërë një punë, që në SHBA mund ta bëjnë shumë vetë. Ndërkohë që në vende të tjera mund të ndihmonin me ato që kishim mësuar.
Kështu, bashkë me Marien shkuam në Qendrën e Misionit Orthodhoks (OCMC), bëmë aplikimin dhe u bëmë misionarë për Kishën Orthodhokse. At Martini, që e drejton qendrën, ishte shumë i dashur dhe i duruar me ne dhe ndjeu e na sugjeroi se mund të ndihmoja këtu, në Shqipëri, nën Kryepiskopin Anastas, në Qendrën Diagnostike të Kishës, për të bërë një sektor kirurgjie, për ndërhyrjet e vogla.
– A patët vështirësi në rrugën e re që ndërmorët, për t’iu kushtuar veprës misionare në shërbim të Perëndisë?
– T’i përkushtosh kohën tënde të punës Zotit do të thotë t’i gjesh të gjitha dyert të hapura. Kur përgatiteshim për të ardhur dhe bëmë një fushatë për të mbledhur fonde, shumë veta na shikonin me çudi, që po linim një veprimtari të suksesshme për të ikur jashtë vendit, por thirrja e Zotit ishte aq e fortë sa s’kishte zgjidhje tjetër.
Ne shitëm çdo gjë, makinat tona, shitëm shtëpinë dhe mblodhëm aq para sa na nevojiteshin për të ardhur në Shqipëri. Në qershor 2000, lamë SHBA dhe erdhëm të shërbenim si misionarë për një kohë të gjatë. Është një eksperiencë e bekuar. Ne do të rrimë aq sa Perëndia do dëshirojë. Po mësojmë me intesitet shqipen dhe planifikojmë të qëndrojmë këtu të paktën 3 vjet.
Falë Zotit, fëmijët e kanë pritur me gëzim gjithë këtë gjë. Madje, edhe ata dëshirojnë të jenë misionarë të vegjël, veçanërisht të mëdhenjtë, që shpejt do munden edhe ata t’i shërbejnë Perëndisë.
Fillimi ishte faza e përshtatjes me vendin, mënyrën e jetesës dhe mësimin e gjuhës. Tani unë kam nisur në Qendrën Diagnostike dhe jam në fazën e projekteve e propozimeve për krijimin e një sektori të vogël kirurgjie në të, ku do të trajtohen problemet e vogla me mikrokirurgji.
– Shohim se ju keni adoptuar edhe 3 fëmijë të tjerë, megjithëse kishit tuajt?…
– Ne kemi dy djem dhe jemi të bekuar prej tyre, por në shumë anë të botës ka fëmijë, të cilët janë plotësisht të braktisur dhe që rriten pa ndjerë dashuri dhe shumë prej tyre vdesin si pasojë e këtij moskujdesi. Ne vendosëm të kemi më shumë fëmijë në shtëpinë tonë, duke i shpëtuar ata nga situatat e këqia, në të cilat jetonin, duke u dhënë atyre një shtëpi në të cilën ata gjetën dashuri dhe Krishtin, si dhe mundësi për të bërë një jetë më të mirë se më parë.
Xhoana, që është nga Kina, qe në një jetimore dhe ishte shumë e sëmurë dhe e ushqyer keq, aq sa doktorët në SHBA thanë se ajo do ta kishte të vështirë të zhvillohej edhe mendërisht. Por, falë Zotit, ajo tani është shumë mirë në të gjitha drejtimet.
E njëjta gjë edhe me fëmijët afroamerikanë, të rritur në një situatë dhunimesh nga e cila shpëtuan dhe me Hirin e Perëndisë ne qemë në gjendje t’i sillnim në shtëpinë tonë dhe në rrugën e krishterë.
– Faleminderit!