EmailFacebookKontakt

Thesare për jetën, jo thjesht stendë me libra!

Me bekimin e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Joan, në Panairin e Librit 2025, u vendos stenda me botime të Kishës sonë, te Pallati i Kongreseve, nga 12-16 nëntor. Aty u praraqitën mbi 170 tituj librash theologjikë, historikë, kulturorë, të cilët transmetojnë përvojën shumëshekullore të Besimit të Krishterë Orthodhoks, i cili në vendin tonë daton që në kohët apostolike. Klerikë, mësues të edukimit të krishterë (katekistë) dhe stafi i Zyrës së Botimeve të Kishës sonë organizuan programin dhe shërbyen gjatë ditëve të panairit. Stenda e botimeve dhe shërbimi i ofruar për lexuesit ishin dëshmi për Besimin tonë dhe pasurinë e tij të çmuar. Dëshmi të tjera u dhanë nëpëmjet Radios “Ngjallja”, Medias “Ngjallja” dhe mediave të tjera. Atë Grigor Pelushi, përgjegjës i Radios “Ngjallja” informoi publikun në lidhje me botimet e Kishës sonë dhe vlerën e tyre shumëdimensionale. Atë Emanuel Lusha, Dhjakon Aleksandër Dimroçi, Dhjakon Mihal Mihali, gjatë shërbimit të tyre në stendën e librave të Kishës sonë, takuan dhjetra persona me dëshirë për të mësuar dhe për të përforcuar lidhjen me Kishën. Interesimi i lexuesve për librat në stendën e Kishës sonë dëshmoi etjen që ka njeriu për Zotin dhe të vërtetën e Tij.

Kisha jonë, duke njohur mirë nevojën që ka vendi ynë për mësimet e Ungjillit të Shenjtë dhe shembullin e jetës së shenjtorëve, që prej viteve të para të Ringritjes së saj pas regjimit komunist disponon shtypshkronjën e saj. Ajo boton libra me tematika të shumëllojshme që i vijnë në ndihmë lexuesit të çdo moshe dhe përballjes së tij me çështjet bashkëkohore. Për 33 vjet me radhë ajo boton çdo muaj gazetën “Ngjallja”, e cila sot numëron 385 botime, revistën për fëmijë “Gëzohu” dhe libra për fëmijë me metodologji bashkëkohore të mësimdhënies. Stendën e Kishës sonë e pasuronin libra me udhëzime për jetën në familje, rritjen e fëmijëve dhe njohjen e vetes. Po ashtu libra dhe broshura me mësime të çmuara për jetën nga njerëz që jetuan sipas mësimeve të Ungjillit të Shenjtë, shenjtorët, që nga shekujt e parë deri më sot. Mësimet e tyre e drejtojnë lexuesin të jetojë me urtësi dhe të ecë në rrugën e virtytit.

Përveç paraqitjes së librave, stenda me botimet e Kishës sonë inkurajoi leximin si një zakon i mirë për njeriun, sepse leximi sjell rritje në njohuri, pastrim në mendje, rritje në dashuri dhe rritje shpirtërore. Shën Isaak Siriani mëson që këmbëngulja në lexim pastron mendimet dhe sjell ëmbëlsi në zemër; leximi e kënaq edhe e gëzon shpirtin. Shën Joan Gojarti nxit ta zhytim mendjen dhe zemrën në libra shpirtërorë dhe do të jemi gjithmonë të mbushur, sepse leximet shpirtërore na japin themel në Perëndinë. Në Lutjen para leximit kërkojmë që jo vetëm t’i çmojmë ato gjëra që janë shkruar, por t’i zbatojmë; që duke lexuar jetën, veprën dhe fjalët e shenjtorëve, të mos mëkatojmë, por që ato të shërbejnë për restaurimin, ndriçimin dhe shenjtërimin tonë, për shpëtimin e shpirtit dhe trashëgiminë e jetës së përjetshme. Kështu, stenda e Kishës sonë në panair ishte stendë me thesare për jetën, jo thjesht një stendë në panair!

A. Baba