Nga data 16-18 janar 2026, u organizua konferenca ndërkombëtare me temë “Theologjia si Dëshmi – Vizioni Hierapostolik dhe Eklesiastik i Kryepiskopit Anastas” nga shoqata “Kujtesë dhe Inovacion” në bashkëpunim me dy Departamentet e Theologjisë Sociale dhe Studimeve Fetare të Universitetit Kombëtar të Athinës dhe me Kolegjin “Shën Ignati” me seli në Suedi.
Kjo konferencë nderoi personalitetin emblematik të Kryepiskopit të lumur Anastas, i cili shërbeu për shumë vite si Profesor i Studimeve Fetare në Departamentin e Theologjisë Sociale dhe, në shumë mënyra, mbajti gjithmonë lidhje me Universitetin Kombëtar të Athinës. Konferenca u nderua me praninë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Athinës dhe Gjithë Greqisë, z. Jeronimi II, i cili mbajti një përshëndetje. Ajo u përshëndet dhe u nderua nga prania e përfaqësuesve të Patriarkut Ekumenik, të Patriarkut të Jerusalemit dhe autoriteteve për Çështjet Administrative dhe të Diplomacisë Publike.
Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla, përfaqësues i Kishës sonë në këtë konferencë përcolli fillimisht fjalën përshëndetëse të Kryepiskopit Joan, i cili nuk mund të ishte i pranishëm se ndodhej në Bruksel për një tjetër konferencë në nderim të Kryepiskopit të lumur Anastas. Kryepiskopi Joan, në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i falënderoi përzemërsisht për këtë iniciativë të shkëlqyer. Në fjalën përshëndetëse theksoi që Kryepiskopi Anastas është një pjesë integrale e historisë dhe jetës akademike të Universitetit, të cilit i shërbeu me nder për shumë vite si Profesor i Historisë së Feve dhe Studimeve Hierapostolike. Me punën e tij mësimore dhe kërkimore, ai frymëzoi breza studentësh dhe hodhi themelet për theologjinë moderne hierapostolike orthodhokse. Siç është theksuar me të drejtë: “Pas shekujsh, falë Anastasit, ndodhi zgjimi hierapostolik i Kishës Orthodhokse, hapja e horizonteve të saj për të gjithë botën”. Vepra e tij i tejkaloi kufijtë e theologjisë teorike. Librat, esetë dhe artikujt e tij, megjithëse të shkruar në kohë të ndryshme dhe për audienca të ndryshme, dallohen nga uniteti dhe koherenca e brendshme. Kjo tregon se këto nuk janë tekste të rastësishme, por mendimi i pjekur dhe i kthjellët i një theologu, kujdesi i dashur i një bariu shpirtëror, si dhe përkushtimi i një të krishteri përgjegjës për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit – theksoi Kryepiskopi Joan në përshëndetjen e tij.
Hirësi Nikolla mbajti fjalën kryesore të ditës së parë të konferencës me temë: “Vizioni theologjik i Kryepiskopit Anastas dhe rëndësia e tij për epokën tonë”. Ndërsa në ditën e dytë të konferencës, akademikë dhe studiues nga Suedia, Kenia, Rumania, Shqipëria dhe Greqia morën pjesë me punime origjinale. Të dielën, në ditën e tretë të saj, në katedralen “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, të Kryepiskopatës së Athinës, u krye Liturgjia Hyjnore kryepriftërore dhe Shërbesa e Përshpirtjes në kujtim të Kryepiskopit tonë të lumur Anastas, e cila u drejtua nga Hirësi Nikolla.
***
Për ne që patën bekimin e madh të bashkëpunonin, por edhe të jetonin pranë Kryepiskopit Anastas, themi me siguri të plotë se jeta dhe bashkëpunimi me të përbënin Universitetin më të madh të jetës sonë. Kështu, do ta shohim vizionin e tij theologjik përmes jetës dhe veprës së tij të shkruar, e cila u botua në libra, dhe veçanërisht përmes asaj që u gdhend në jetën e Kishës Orthodhokse. Në shekullin e 20-të, gjatë dhjetëvjeçarëve të viteve 1960, Kryepiskopi Anastas i Shqipërisë ishte një nga pionierët, i cili me studimet, botimet dhe shërbesën e tij në kishat misionare i zgjoi anëtarët e Kishës së Greqisë ndaj detyrës së hierapostullimit të jashtëm.
Kryepiskopi Anastas thekson se misioni është porosia e fundit e Zotit drejtuar të njëmbëdhjetëve, i cila “nuk kishte të bënte vetëm me dishepujt e tij konkretë, por me të gjithë Kishën”. Kisha Orthodhokse, nga natyra e saj, nga qenia e saj, është hierapostolike; iu dha porosi nga Kreu i saj, Krishti: “Shkoni dhe bëni dishepuj në të gjitha kombet” (Mt. 28:19), “Shkoni në të gjithë botën… te çdo krijesë” (Mk.16:15), “deri në skajet e tokës” (Vep.1:8), që nga fillimi i saj dhe në vazhdim, ajo është angazhuar në hierapostullim dhe tani nuk mund ta harrojë këtë rrjedhë të jetës së saj, traditën e saj: “Hierapostullimi ka qenë gjithmonë traditë e Orthodhoksisë”.
Çdo gjë që Kisha ka bërë në të kaluarën dhe po bën të tashmen “është një ofrim i përpjekjes kolektive”. Kështu, hierapostullimi është vepër e gjithë trupit të Kishës. Çdo anëtar i Kishës jo vetëm jeton dhe ushqehet nga ky Trup, por duhet të kontribuojë në veprën dhe shërbesën e Trupit. Kryepiskopi Anastas vazhdon në vijën patristike dhe e konsideron Eukaristinë e Shenjtë jo vetëm si “zemrën e Trupit të Krishtit”, Kishës, por e vlerëson atë edhe si qendër të jetës misionare.
I gjithë cikli liturgjik i Kishës Orthodhokse ka si qendër të tij, pikërisht të kremten e Pashkës. Kryqi dhe Ngjallja janë të pandashëm dhe shkojnë së bashku: “Ngjallja nuk është diçka që vjen pas kryqit. Ngjallja është brenda kryqit”. Mesazhi i Ngjalljes është bërë motoja e shërbesës së tij misionare në Afrikë dhe në Shqipëri. Emri dhe motoja e tij u bënë një, sepse Kryepiskopi Anastas thekson se dëshira më e madhe e të gjithë njerëzve është të festojnë Ngjalljen dhe ‘parajsëbërjen’ e jetës. Shërbesa e tij baritore në Afrikë dhe në Shqipëri, për aq sa është e mundur dhe për aq sa mund ta kuptojmë, ishte një udhëtim kryqngjallësor. Me veprën e tij, ai jo vetëm që arriti të ringjallë Kishën Orthodhokse në Shqipëri, por e bëri atë një “Kishë të Ngjalljes”.
Kontributi i madh i Kryepiskopit Anastas në çështjen e hierapostullimit është:
a) themelimi i tij mbi një bazë theologjike dhe kishtare,
b) kujtesa në Kishën Orthodhokse për detyrën e madhe të misionit,
c) ngjallja e flakës së hierapostullimit me tekstet dhe mbi të gjitha me kontributin personal në Afrikë dhe në Shqipëri.
Asnjëherë në historinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk ka pasur një epokë të shkëlqyer si ajo që ka pasur këto 33 vitet e fundit me shërbesën baritore të hierapostullit par excellence Kryepiskopit Anastas.
(Nga fjala e Mitropolitit Nikolla)