EmailFacebookKontakt

Theofania (Uji i Bekuar)

(Uji i Bekuar)

6 JANARI është e kremtja e Theofanisë. Fillimisht ishte vetëm një festë e “shfaqjes së Perëndisë” në*botë, në formë njerëzore. Ajo përfshinte kremtimin e Lindjes së Krishtit, adhurimin e Magëve dhe gjithë ngjarjet e fëmijërisë, si rrethprerjen dhe paraqitjen në Tempull, si edhe pagëzimin prej Joanit në Jordan. Nuk ka dyshim, që kjo festë, si edhe Pashka dhe Pentikostia, u kuptua si përmbushja e një feste të mëparshme judaike, në këtë rast, Festa e Dritave.

Epifani do të thotë shfaqje e sipërme. Festa quhet shpesh, sikurse është në librat e shërbesave orthodhokse, Theofani, që do të thotë shfaqje e Perëndisë. Theksi në këtë festë është në shfaqjen e Jisuit, si Mesia njerëzor i Izraelit dhe Bir hyjnor i Perëndisë, Njëri nga Trinia e Shenjtë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë.

Kështu, në pagëzimin prej Joanit në Jordan, Jisui e identifikoi vetveten me mëkatarët, si “Qengji që ngre mëkatin e botës” (Jn. 1:29), i “Dashuri” i Atit, detyra mesianike e të cilit është t’i çlirojë njerëzit prej mëkateve të tyre (Llk. 3;21, Mark. 1:35). Dhe Ai është zbuluar si Njëri prej Trinisë së Shenjtë, i dëshmuar nga zëri i Atit dhe prej Shpirtit në formën e pëllumbit. Kjo është epifania qendrore, që lavdërohet në himnin kryesor të festës.