Kur u përmbys diktatura, hapat e parë të lirisë fetare ishin vizitat e vendeve të shenjta për të kremtet. Kështu, më 15 gusht 1990, besimtarë të shumtë u mblodhën te manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë. Vizitat në vendet e shenjta nisën të shpeshtoheshin në gjithë vendin. Më 12 dhjetor, për të kremten e Shën Spiridhonit, besimtarët u mblodhën në Berat e Dervician, ku u psal dhe thanë lutje nga atë Mihal Doko dhe dhjaku Vangjel Xoxe. Filluan të kryhen Liturgjitë e para Hyjnore, si p.sh. në Dervician. Kisha “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, e kthyer në palestër sportive, u mor dhe nisi shërbesat në mars të vitit 1991. E gjithë kjo veprimtari shpirtërore mori hov pas ardhjes së Ekzarkut Patriarkal, Imzot Anastasit, në korrik 1991.
Një nga kremtimet më mbresëlënëse ishte ai i kryer në Korçë për Theofaninë. Më 6 janar 1991 u mbajt Shërbesa e parë e Shenjtërimit të Ujërave në Shqipëri pas komunizmit. Ajo u bye në vendin ku kishte qenë më parë kisha e Shën Triadhës, në varrezat e qytetit. Që herët në mëngjes, mijëra besimtarë orthodhoksë, por edhe të besimeve të tjera, të gëzuar dhe me emocione të jashtëzakonshme, u drejtuan për nga varrezat. Shërbesa u krye nga një klerik që kishte vuajtur përndjekjet e sistemit komunist bashkë me familjen, papa Kostë Kotnani, i cili ishte në një moshë të madhe, 85 vjeç. Papa Kosta veshi rrobat e qepura nga motrat Cico disa ditë më parë, me bezen e fshehur e të vjetruar nga koha. Atje u dëgjua dhe predikimi i parë i thjeshtë nga Sotir Bambulla, një ndër nismëtarët e rihapjes së kishave.
Ishte shumë emocionuese të dëgjoje Papa Kosten, që, pavarësisht nga mosha e thyer, psalte me zërin e tij melodioz pas 23 vitesh, i shoqëruar edhe nga besimtarë të tjerë. Pastaj besimtarët mundën të merrnin përsëri ujin, për ta çuar bekimin në shtëpitë e tyre dhe në gjithë qytetin.
Thoma Dhima