EmailFacebookKontakt

Theofan Popa, një jetë kushtuar studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore

Theofan Popa lindi më 3 nëntor 1914, në lagjen “Kala” të Elbasanit. Pasi kreu arsimin fillor në shkollën “Konstandin Kristoforidhi”, me propozim të Imzot Visarionit, më 1933, fitoi të drejtën e studimit në Seminarin Hieratik “Jovan Teologu” të Cetinjës. Në vitin 1937, kthehet i diplomuar në Shqipëri, për të vijuar po atë vit studimet e larta në Fakultetin Teologjik të Athinës, me përkrahjen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe me bursë nga fondacioni “Jovan Banga”. Studimet e larta në Athinë i përfundoi më 1941, pas një ndërprerjeje të shkurtër (24 gusht-nëntor 1938), në kohën kur u dërgua për të ndjekur Kolegjin Anglikan të Ringjalljes në Londër. Njihte shkëlqyeshëm gjuhën greke e latine dhe zotëronte, gjithashtu, serbokroatishten, rusishten, anglishten dhe mjaft mirë frëngjishten.

Hapat e parë profesionalë Theofani i nisi në vitin 1942, në Liceun e Korçës, si profesor i gjuhës latine dhe po atë vit transferohet në Normalen e Elbasanit. Pas çlirimit, punon si përkthyes në Ministrinë e Kulturës, më pas si përkthyes i serbokroatishtes në Ministrinë e Financave (1948-1949), duke qenë njëherazi edhe pedagog i Teknikumit Financiar dhe përkthyes i rusishtes në hidrocentralin “Lenin” të Selitës (1951). Ndërkohë, për një periudhë dy-vjeçare Theofani punon pranë Kryesisë së Kishës, në kohën kur Kryepiskop ishte Pais Vodica.

Siç është e ditur, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, filluan edhe kufizimet e adhurimit fetar. Më 1949, Theofan Popa ishte caktuar në sektorin e Historisë së Artit e Arkitekturës pranë Institutit të Shkencave. Kësisoj, që nga viti 1959 deri më 1967, punoi pa u lodhur për gjurmimin, studimin dhe mbrojtjen e pasurive kulturore. Ky zell i madh e shoqëroi Theofanin gjatë gjithë veprimtarisë së tij, edhe atëherë kur lufta kundër fesë mori dimensione të thella, për të përfunduar me mbylljen definitive të vendeve të adhurimit fetar dhe në ndalimin e çdo shprehjeje të besimit fetar. Atë kohë, Theofani, së bashku me kolegë të tjerë, Gani Strazimirin, Aleksandër Meksin dhe Pirro Thomon, duke ndier përgjegjësinë historike, reaguan menjëherë dhe fort për ndalimin e shkatërrimit të mëtejshëm të monumenteve kishtare me vlerë, duke arritur të shpëtojnë thuajse të paprekura rreth 120 kisha dhe manastire.

Veçanërisht, Theofani, luftonte fort për të shpëtuar sa më shumë të mundte.

Ja si i kujton përpjekjet e Theofanit një nga bashkëpunëtorët e tij: “Shkonte dhe diskutonte me eprorët për të shpëtuar nga shkatërrimi qoftë edhe një monument të vetëm. U shpjegonte me hollësi vlerat dhe rëndësinë që ajo kishte, duke u përpjekur ta bindte bashkëbiseduesin. U thoshte se në kisha gjendet puna e piktorëve të shquar; atje takohemi me Onufrin, David Selenicën! Ata flasin për traditën e vendit tonë dhe duhet t’i ruajmë. Gjithmonë theksonte se kishat duhet të ruhen me ligj e të restaurohen. Arkitektura e tyre është objekt studimi jo vetëm për popullin tonë, por edhe për popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës. Të gjitha dëshmojnë historinë tonë dhe nuk duhet të tregohemi indiferentë”. E kur diskutohej të hiqej nga lista ndonjë monument, Theofani thërriste i revoltuar: “Jo, jo, jo! Në asnjë mënyrë!” Dhe, plot pasion, fillonte të argumentonte vlerat historike dhe artistike të monumentit, të fliste për kohën e ndërtimit, për piktorët ikonografë, për vlerat e ikonostasit dhe ikonave që përmbante etj. etj.

Gjithashtu, përveç kësaj pune të madhe, Theofanin e priste edhe regjistrimi e grumbullimi i ikonave dhe objekteve të tjera kishtare me vlerë nga kishat dhe manastiret, që nuk ishin karakterizuar si monumente kulture, punë që e mori përsipër i vetëm. Vetëm duke pasur parasysh numrin e ikonave dhe objekteve të tjera të mbledhura, vendndodhjen e kishave nga ku u morën këto objekte dhe kushtet e vështira nën të cilat u krye grumbullimi, vetëm atëherë do të mundte dikush të konceptonte punën e tij kolosale.

Pas vitit 1967, Theofani grumbulloi nga i gjithë vendi rreth 10.000 ikona, të cilat më vonë u vendosën në muzetë e artit ikonografik të Beratit, Korçës e Tiranës. Dhe, pavarësisht rraskapitjes e mundimeve që hiqte, gjithmonë ishte i qeshur e optimist dhe ndante me kolegët informacionet për sasinë e ikonave që kishte mbledhur dhe vlerat e reja që kishte evidentuar.

Më 1963, kohë kur filloi puna për hartimin e inventarëve të Arkivit Qendror Shtetëror, atje nuk kishte punonjës të specializuar për të lexuar gjuhë të huaja, e aq më pak gjuhët e vdekura apo të rralla, si greqishtja, latinishtja dhe osmanishtja. Për këtë arsye u ftuan të punonin si bashkëpunëtorë të jashtëm njohës të atyre gjuhëve, mes të cilëve dhe Theofan Popa. Puna e Popës konsistonte në hartimin e skedave përmbledhëse për dokumentet e shkruara në greqisht, në mënyrë që këto t’i përdornin më pas arkivistët gjatë procesit të përpunimit tekniko-shkencor të dokumenteve dhe për hartimin e mjeteve të informimit (katalogët, treguesit emërorë, gjeografikë etj.). Pa njohjet gjuhësore të Popës dhe ekspertizën e tij teologjike dhe historike, do të kishte qenë i pamundur përpunimi tekniko-shkencor i një pjese të madhe të dokumenteve të AQSh-së shkruar në greqisht, përfshirë dhe Fondin “Koleksioni i Kodikëve”. Qëllimi i Theofanit nuk ishte hartimi i një katalogu analitik të dorëshkrimeve, por nxjerrja e elementeve praktike përmes përshkrimeve të shkurtra për çdo kodik, që, nga njëra anë, të tregonte rëndësinë që ato kishin, në mënyrë që të shmangej shkatërrimi i tyre për shkak të moskujdesit apo indiferentizmit dhe, nga ana tjetër, të plotësonte nevojat e arkivit për indeksimin dhe sistemimin e fondit arkivor. Kështu, Th. Popa hartoi skeda përshkruese për 97 dorëshkrime të koleksionit, të cilat u botuan në formë katalogu post mortem në vitin 2003.

Paralelisht me punën për hartimin e katalogut në fjalë, Th. Popa u mor edhe me studimin e pikturës në miniature të kodikëve bizantinë. Kjo vepër e rëndësishme për studimin e artit bizantin pa dritën e botimit pas vdekjes, në vitin 2006, nga Akademia e Shkencave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Pavarësisht mangësive e rikonsiderimeve të mëvonshme të datimeve, “Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri (shek. VI-XIV)” mbetet vepra e parë dhe më e plotë e kësaj gjinie në vendin tonë.

Megjithatë, portreti i Theofanit do të ishte i mangët pa përmendur edhe veprën e tij shkencore. Janë botuar dhjetëra artikuj të tij shkencorë që lidhen me çështje të artit bizantin dhe pasbizantin, të pikturës murale, të kodikëve dhe miniaturave. Artikujt e tij kanë hedhur dritë për piktorët dhe familjet e piktorëve që kishin kryer veprimtaritë e tyre artistike në monumentet e vendit tonë. Ka shkruar artikuj për Onufrin e Nikollën, Joanin e Onufër Qipriotin, David Selenicën dhe vëllezërit korçarë Kostandin e Athanas Zografi, Kostandinin nga Shpati dhe Çetirët nga Grabova, si dhe për shumë piktorë të tjerë. Por një vend të veçantë zë puna e tij monumentale për mbledhjen e të gjitha mbishkrimeve të kishave dhe krijimin e një corpusi mbishkrimesh, vlera e të cilit mbetet e padiskutueshme për shumë disiplina shkencore. Ky punim i vyer i Theofan Popës konsiderohet si i pakapërcyeshëm nga botimet e mëvonshme të mbishkrimeve si për nga numri, ashtu edhe për nga përpunimi i përmbajtjes së mbishkrimeve. Ai ka vlerë të rëndësishme historike, artistike, gjuhësore, ekonomike e sociale, duke pasur parasysh sintezën e popullatës vendore, ku ndodhen monumentet si edhe mungesën ende edhe sot të studimeve të thelluara sistematike të monumenteve të shpëtuara të kultit të krishterë.

Por, duhet theksuar se kjo punë e Theofanit është kryer nën kushte shumë të vështira ideologjike dhe politike të regjimit të asaj kohe, të cilat e vendosnin cilindo që merrej me monumentet e kultit, edhe kur ishte pjesë e organikës shkencore, në shënjestrën e të dy shuarit brenda regjimit ateist. Ky fakt shpjegon edhe arsyen pse një vepër e përmasave të tilla (mbledhja e materialeve epigrafike kishte filluar që më 1949 dhe vazhdoi deri në vdekjen e mbledhësit, më 1985), ende nuk kishte parë dritën e botimit. Vetëm më 1998, pasi regjimi ateist komunist kishte shtatë vjet që ishte përmbysur, ndërmerret botimi i tij nga Akademia e Shkencave – Instituti i Historisë.

Përveç këtyre, duhet të theksojmë edhe kushtet e pavolitshme teknike dhe të transportit, me të cilat u përball ky kërkues i admirueshëm: udhëtonte me orë të tëra pa mjete transportuese drejt fshatrave të izoluara, kopjonte mbishkrimet që gjendeshin në pjesë të larta të monumenteve arkitekturore pa mjete teknike, nuk dispononte mjete ndriçuese apo pajisje të riprodhimit pamor, përveç aparatit të tij shumë të çmuar fotografik, filmat e të cilit i kishte me numër të kufizuar, madje, shpeshherë i blinte me paratë e pakta të rrogës së tij. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj periudhe Theofani mbeti shembull i rezistencës, i durimit, i optimizmit, gjithnjë i qeshur, gjithmonë do të gjente diçka, ndonjë shaka për të harruar lodhjen dhe dëshpërimin. “Kur ktheheshim pas një dite të tejlodhshme – kujton miku dhe bashkëpunëtori i tij i afërt prof. Pirro Thomo, dhe teksa secili dremiste në makinë, Theofani papritur ia fillonte këngës. Në fillim avash-avash, herë njëri dhe herë tjetri, dhe në vazhdim të gjithë së bashku e shoqëronim dhe menjëherë ndërronte e gjithë atmosfëra e zymtë”. I tillë ishte Theofani: gazmor, shoqëror dhe, para së gjithash, njeri. Dinte të kërkonte dhe të gjente të mirën tek çdo njeri, nga çdo shtresë shoqërore, krahinë apo besimi fetar dhe me këtë mënyrë fitonte besimin dhe dashurinë e të tjerëve.

Njeriu që meritonte çdo falënderim dhe mirënjohje për kontributin e tij në shpëtimin e thesarit kulturor, vlera e të cilit tejkalon kufijtë e një vendi dhe klasifikohet në tërësinë e vlerave botërore, u gjend në bankën e të akuzuarve përpara “gjykatës popullore”, si të ishte keqbërës. Në dosjen e tij i ishin ngarkuar shumë akuza të pabazuara, si shfrytëzimi i punës së tij shkencore për të bërë propagandë fetare në vendet ku shkonte, ushtrimi i fshehtë i besimit etj… Më 1980 iu konfiskuan dorëshkrimet dhe iu ndalua çdo lloj hulumtimi dhe veprimtarie kërkimore për monumentet. Më 1985, Theofani ndërroi jetë i përulur dhe i harruar nga bashkatdhetarët e tij, duke parë, nga njëra anë, djalin e tij të vetëm të burgosur për propagandë fetare dhe ta çonin në minierat e Spaçit, ndërsa, nga ana tjetër, familja e tij të përndiqej për mungesë përkushtimi ndaj partisë.

Jeta dhe veprimtaria e Theofan Popës ngjet me një diamant të cilin edhe po ta hedhësh në baltë nuk e humbet vlerën dhe shkëlqimin e tij. Botimi nga Akademia e Shkencave e veprave të vyera studimore të Theofanit besojmë se do të përbëjë hapin e parë në rimëkëmbjen e personalitetit të harruar të Theofan Popës, martir të shkencës. Si kundërpohon me të drejtë studiuesi i Artit Bizantin Joan Vitalioti: “Theofan Popa duhet të vlerësohet si protagonisti i padukshëm i shpëtimit të shumë monumenteve kulturore në Shqipëri, por edhe si një studiues nismëtar i artit të krishterë në vend, me një vepër voluminoze, të cilën studiuesit e mëvonshëm e kanë të pamundur ta anashkalojnë”.

Në një nga ato mbledhje, mbas akuzave absurde se shfrytëzonte pozitën e tij zyrtare për të bërë propagandë fetare, pasoi një pyetje e drejtpërdrejtë dhe tepër e rrezikshme: “Le të na thotë Theofani, beson apo jo në Zot?”. Të gjithë mbetën pa frymë. Luhej jeta dhe karriera shkencore e tij dhe Theofani e dinte shumë mirë këtë. Megjithatë, pa dredhuar, pa u justifikuar dhe pa iu trembur syri, u përgjigj: “T’ju them se nuk besoj do t’ju gënjeja dhe gënjeshtra nuk është në karakterin tim…”. Mjaftojnë këto pak fjalë për të portretizuar karakterin e Theofanit: trim, konsekuent në bindjet e tij, besim te Zoti.