Fortlumturia e Tij, Mitropoliti Theodhor (i Zimbabves), u zgjodh unanimisht Patriarku i 115-të i Patriarkanës së vjetër të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës.
13 Mitropolitët e Sinodit të Shenjtë, të mbledhur në Manastrin e Shën Savës, e zgjodhën njëzëri si pasues të Patriarkut Petro VII, që ndërroi jetë pas një aksidenti. Zgjedhja e një kryetari me përvojë në veprën baritore e misionare në Afrikë, dëshmon vendosmërinë e Kishës së Aleksandrisë për të vazhduar në rrugën e zhvillimit të një orthodhoksie të lidhur ngushtë me kontinentin afrikan.
Patriarku i ri u lind në Kretë, në Heraklion, në vitin 1954. Ai u diplomua për theologji në Universitetin e Selanikut. U dorëzua dhjak në vitin 1975 dhe prift në vitin 1978. Nga viti 1985 ai ishte caktuar Eksark i Patriarkanës së Aleksandrisë në Odesë. Në vitin 1990 u zgjodh Episkop i Kirenës dhe u caktua përfaqësues patriarkal në Athinë deri në mars 1997, kur u caktua Patriark Vikar i Aleksandrisë. Në shtator 1997 u zgjodh Mitropolit i Kamerunit dhe në tetor 2002 Mitropolit i Zimbabves.
Fronëzimi i Patriarkut të ri të Aleksandrisë u krye më 24 tetor, në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses, në Aleksandri. Në të morën pjesë rreth 2000 besimtarë, që kishin mbushur kishën dhe galeritë e saj, si dhe mjaft autoritete të ftuara. Morën pjesë edhe Kryepiskopi i Greqisë, Kristodhulos dhe Kryepiskopi i Shqipërisë, Anastasi. Ishin të pranishëm edhe mjaft hierarkë të lartë nga Kishat e tjera Orthodhokse dhe përfaqësues nga kishat Kopte e Katolike.
Në një intervistë dhënë gazetës greke “Elefterotipia”, menjëherë pas zgjedhjes, Patriarku Theodhor II deklaroi se dëshiron të marrë për model Kryepiskopin Anastas të Tiranës, i cili përpara se të bëhej primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë i kishte kushtuar shumë vite veprës misionare në Afrikën e zezë.
Patriarku i Aleksandrisë zë historikisht, sipas urdhrit kanonik, vendin e dytë mes Kishave Orthodhokse, menjëherë pas Patriarkut Ekumenik. Kjo kishë numëron sot rreth 300 mijë besimtarë, mjaft prej të cilëve janë vendas. Funksionojnë disa seminare, që përgatisin klerin afrikan dhe sot ka mbi 150 priftërinj dhe dy episkopë vendas.