EmailFacebookKontakt

Tër shumë vjet, o Kryezot

Me gëzim dhe emocion të ligjshëm nisi mëngjesi i së dielës së pestë të Llukait. Meshë Hyjnore në kishën e Shën Gjergjit më 31 tetor 1993, e cila u celebrua me madhështi nga Fortlumturia e tij Anastas Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Do të vijë Kryepiskopi! Sa mirë, sa bukur do të jetë. Kemi kohë që nuk e kemi pranë. Ai rend kudo në çdo vend për të kërkuar ndihma për kishën tonë që ajo të lulëzojë si më parë. Ndjejmë mall, dëgjoheshin besimtarët atë mëngjes të bukur vjeshte. Të dëgjojmë zërin e tij zërin e së vërtetës, zërin e vetë Krishtit tonë. T’i shprehim atij nga zemra urimet tona të sinqerta. Ne përgatiteshim që çdo gjë të ishte gati dhe në vendin e vet. Gjithmonë e më shumë e ndiejmë që Kryepiskopi është yni është pjesë e jetës tonë, pasues i denjë i raditës së shenjtë Apostolike. Kori i fëmijve që merr pjesë në të gjithë Meshën Hyjnore shprehte emocionet e veta. “Kujdes fëmijë, i kontrollon ata drejtuesi tashmë i njohur dhe mësues i katekizmit, z. Kozma Plepi. Kujdes dhe përshëndetjen që duhet të këndojmë kur Kryepiskopi të na bekojë dhe përsëritin lehtë. Për shumë vjet, o Kryezot. Embëlsia e muzikës së bukur bizantine përhapet dhe mbush tërë kishën. Zërat e tyre fëminorë të emocionojnë, të duket sikur të ngrenë lart në qiell e sikur këndojnë bashkë me engjëjt. Ato cicërima të bukura dhe plot harmoni mallëngjejnë zemrat e besnikëve, të cilët bashkë me lutjet u japin dhe uratat e tyre – Ruaji, o Zot, këta janë vërtetë drita në Kishën tonë. Bie kambana gëzueshëm me ritmikën e saj tradicionale kur në oborrin e kishës hyn Kryepiskopi ynë.

– Si jeni? Zoti me ne! Janë fjalët e tij të para. Flet në gjuhën shqipe.

– Të gjithë përgjigjen si një kor:

Dhe ne me Zotin. Na bekon të gjithëve në kryq në dorë dhe kori këndon Për shumë vjet, o Kryezot.

Nis Mesha e Shenjtë. Gëzimin e asaj dite e shtoi dorëzimi në dhiak i njërit prej studentëve të seminarit Teologjik në Durrës, Mihal Zingo. Sa prekëse është, por dhe sa e vështirë është ta quash veten shërbëtor i denjë i Zotit. Të jesh bari në enori në tufën e zgjedhur e të përcjellësh shqetësimet, hallet dhe lutjet që ata me shumë shpresë e frikë i shprehin. Por besimi shpresa dhe dashuria në Iisu Krishtin, janë virtute që duhet ta karakterizojnë çdo klerik, këto janë shkallët që të çojnë drejt qiellit. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë. E nis dorëzimin Fortlumturia e tij dhe në momentin final të Hirotonisë vendos dorën e tij mbi kokën e kandidatit dhe kur sipas traditës Apostolike drejton lutjen që Hiri i Shpirtit të Shenjtë të zbresë mbi kandidatin, e gjithë Kisha si një trup i vetëm gjunjëzohet dhe luten për të. Mendimi të shkon në traditën e Shenjtë, mendon për Apostujt e Shenjtë, episkopët e parë të Mitropolisë së qytetit tonë të lashtë, të Shenjtët e Kishës tonë Shën Qesari e Shën Asti, dëshmorët e parë të martirizuar, e deri tek Etërit tanë të Shenjtë. E sholiim të vërtetën të gjallë ashtu siç është. Ndjejmë të bashkëjetojmë me vetë engjëjt.

– I denjë, i denjë. I vyer, i vyer. I meritueshëm, i meritueshëm. Eshtë ky dialogu tradicional midis Kryepiskopit dhe besimtarëve. Dhiaku i ri bën betimin përpara Perëndisë dhe përshëndetjen drejtuar Fortlumturisë së Tij dhe popullit. Vahdon Mesha. Fillon Kungimi, kungohet dhe dhiaku i ri. Kryepiskopi del përpara Derës së Bukur dhe nis predikimin e Ungjillit të ditës. Paravolinë e bukur të të pasurit të shthurur e zemërlig dhe Llazarit të varfër e të drejtë. Sa bukur e sa ëmbël, sa me kurajo na flet. Si ati me bijtë. Thirrja: Të mos i ngjasojmë Llazarit lypës e me dorën e shtrirë të paravolisë së sotme. Na zgjoi nga ai gjumë i thellë e letargjik i të së kaluarës. Le të kërkojmë ato që na grabitën, ato që janë tonat, ato që janë ngritur e mbrojtur me djersë e me gjak, ato që sot nuk na i rikthejnë. Ato janë tonat, i takojnë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Mbaron Mesha e Shenjtë Hyjnore e kësaj të diele të paharruar. Kryepiskopi ndan Naforën e Shenjtë: Bekimi e mëshira e Zotit ardhtë mbi ju! Përgjigjja: – Për shumë vjet o Kryezot! Të rroni ju që Kisha jonë të ngrihet lart. Të rroni për gjithçka bëni për ne. E takojnë e çmallen me atin e tyre shpirtëror besimtarë të shumtë, e përkrah tij dalin të lumturuar së bashku nga Kisha. – Mirupafshim me paqe, me besim, me dashuri, me shëndet. Të fala të gjithëve, – përshëndet bukur në shqip Kryepiskopi ynë.

at Petro Thanasi
Durrës