EmailFacebookKontakt

Tendencioziteti është faj i ndërgjegjshëm

Të Enjten e Madhe para Pashkëve, një televizion privat dha një kronikë që deformonte realitetin. Të njëjtën gjë bëri edhe një gazetë, me pak lexues, por me shumë tërbim ndaj çdo arritjeje të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Me pak fjalë, historia ishte kjo: Disa pjesëtarë të familjes Gjinali, pasi humbën gjyqin, për cënimin flagrant që i kishte bërë territorit të Kishës së Ungjillëzimit në Tiranë, u përpoqën të mobilizonin disa miq gazetarë ekstremistë, për të krijuar turbullime dhe incidente (siç kishin bërë dhe herë tjetër).

Ato rezononin me interesat e disa organeve të shtypit ekstremist, i njohur për ndjenjat e tij të hapura antiorthodhokse dhe të drejtuara ndaj një publiku të “zgjedhur”. Po ju tregojmë, për respekt edhe të këtij publiku specifik, një episod, që dëshmon “objektivitetin” e këtyre gazetarëve:

Në rrugicën e Kishës së Ungjillëzimit një trupë televizive, e përbërë nga një kameraman dhe një gazetar tepër i ngrysur, si të mos u pëlqente atmosfera e festës që ndihej ngado, po xhironin me këmbëngulje dyert e paligjshme, të mbyllura me vendim gjyqësor dhe veçanërisht sportelin nëpërmjet të cilit ishte tentuar të kthehej territori i kishës në një vend për të tregtuar birrë. Edhe ky i mbyllur me urdhër të Përmbarimit. Kjo mënyrë të vepruari i ra në sy një punonjësi të shtypit të Kishës sonë. Ai u afrua për të ofruar ndihmë dhe informacion. Por kameramani deklaroi shpejt e shpejt, në mënyrë aspak bindëse, se ishin të TV… dhe kishin ardhur për të xhiruar festimet (!), ndërsa gazetari, ktheu krahët dhe urdhëroi atë të vazhdonte fiksimin në kamera të portave të mbyllura nga Përmbarimi.

Në darkë, rezultati u duk në një… televizion tjetër, nga ai që ishte deklaruar. Një kronikë që falsifikonte plotësisht realitetitn, tendencioze dhe e anshme. Argumentat ishin vetëm të palës që kishte humbur gjyqin…

Por, çfarë i kishte shtyrë këta punonjës të mediave të pavarura, të gënjenin? Shefat e tyre apo diku më lart e më larg?… Sidoqoftë, ata kishin ardhur me tendencën për të folur me çdo kusht keq për Kishën Orthodhokse.

Kjo mënyrë veprimi, fatkeqësisht, nuk është diçka e re. Janë të shumta rastet kur gazetarë të disa organeve të caktuara kanë shkruar të pavërteta për Kishën tonë dhe Kryepiskopin Anastas, duke qenë të ndërgjegjshëm se po gënjenin. Madje edhe duke e justifikuar këtë me një patriotizëm fals dhe të pansinqertë, sepse patriotizmi nuk mund të jetë kurrë i shkëputur nga e vërteta.

Një gazetar tregonte para disa kohësh, se bashkë me disa kolegë kishin qenë në tryezë me një person që ka shkruar mjaft herë kundër Kishës dhe Kryepiskopit. Dikush, nga të pranishmit e kishte kundërshtuar dhe ishte përpjekur t’i dëshmonte sinqeritetin dhe ndershmërinë e veprës së Fortlumturisë së Tij. Por, përgjigjja kishte qenë e shkurtër dhe aspak premtuese: “Edhe po të jetë ashtu, aq më keq për të…”, duke lënë të nënkuptonte, se sulmet do vazhdonin pavarësisht nga e vërteta.

Janë këto vetëm disa fragmente, që dëshmojnë, të vërtetën e hidhur, se shpesh gazetarët kthehen në vegla urrejtjesh të verbëra e interesash meskine, duke harruar detyrat që u dikton profesioni i tyre. Dhe, se shkarja në pozicione ekstremiste, pa dashuri dhe mirëkuptim për të afërmin, të çon në mënyrë të pashmangshme tek tendencioziteti dhe gënjeshtra e ndërgjegjshme, tek cënimi i dinjitetit të tjetrit, pavarësisht në është individ a një komunitet i tërë.

ToDi