EmailFacebookKontakt

Të vrazhdët, brutalët, egoistët

Kurdoherë kanë ekzistuar këta tipa. Po sot janë shtuar mjaft, dhe, sidomos, i ndesh mjaft në mjetet e komunikimit publik. Janë njerëz për të cilët përvoja njerëzore dhe, më shumë, Dituria Hyjnore, na kanë bërë paralajmërime mjaft të qarta, që të marrim masat tona e të ruhemi prej tyre.

Por, le të shohim konkretisht çfarë na thotë lidhur me këta tipa ligji hyjnor i Dhiatës së Vjetër. “Njeriu i vrazhdët, arrogant dhe egoist, – thotë Solomoni, në Fjalët e tij të urta (21, 24), – është kolerë”. Edhe vërtetë të tillë janë këta tipa: të rrezikshëm, mashtrues, prishës. I përkasin asaj kategorie njerëzish për të cilët edhe profetët e kanë thënë fjalën e tyre, madje do të shtonim se i kanë “fotografuar”.

Kështu, Davidi i madh, duke i treguar me gisht, thotë me dhimbje e zemërim: “Thonë, gjuhën tonë do ta shtojmë e do ta madhojmë, buzët tona i komandojmë vetë e i drejtojmë si të duam dhe fjalët tona i lëshojmë siç dëshirojmë. Kush mund të bëhet zot mbi ne? Kush mund të na e mbyllë gojën?” Asnjë s’ua mbyll gojën këtyre tipave. Gojën e kanë të zgjidhur. Frikë Perëndie nuk kanë” (Psalmi 13,3). As turp s’kanë. Janë të pacipë dhe të pandërgjegjshëm. Prandaj, me gjuhën e tyre shpifëse e të rreme sajojnë gjëra të liga dhe shpifje helmuese. “Helm nepërkash del nga buzët e tyre”. (Psalmi 13,3). Shtrembërojnë të vërtetën, ndërrojnë historinë, ndryshojnë ngjarjet, njollosin të pafajshmit, fyejnë tjetrin. Krijojnë përshtypje të rreme dhe kërkojnë të zhdukin, të dërrmojnë këdo që nuk miraton planet e tyre të errëta.

Dhe fjala e Perëndisë vazhdon: “Të vrazhdët fyejnë çdo gjë, hyjnore qoftë apo njerëzore; goja e tyre arrin gjer në qiell me blasfemitë e tyre kundër gjërave të shenjta dhe që andej gjuha e tyre zbret në tokë duke përhapur lumenj sharrjesh dhe shpifjesh”. Dhe me krekosjen e tyre, me arrogancën dhe mungesën e kulturës e të edukatës, me cinizmin e tyre, arrijnë shpesh, fatkeqësisht, të ndikojnë edhe ndër ata që janë të mirë e të rregullt. (Psalmi 72). Ja pse besimtarët, paralajmërohen nga fjala e Perëndisë që të kenë shumë kujdes e të ruhen prej hipokrizisë, prej frazeologjisë së bukur e sëmundjes ngjitëse të tyre.

Ndaj do të ishte mirë nga ana jonë të përpiqemi të mos u vëmë veshin këtyre lloj llafazanësh të paskrupuj, qofshin politikë, intelektualë apo dhe fetarë, që përpiqen të fyejnë e të nxijnë të tjerët. Por, edhe në i dëgjofshim, të kemi kujdes të mos i pranojmë menjëherë si të vërteta ato që deklarojnë, pa kontrolluar më parë saktësinë e atyre që thonë e pretendojnë. Pa dëgjuar, për të formuar një ide të qartë për to, edhe palën tjetër, të cënuarit.

Le të mos harrojmë se, sipas porosisë që na jep Zoti: “mësoni drejtësinë ju që banoni mbi dhenë” (Isaia 26,9), e kemi për detyrë si besimtarë të tij të jemi të drejtë dhe të sillemi me drejtësi në çdo rast. Nuk duhet që ne të gjykojmë dhe të dënojmë çdo njeri tonin vetëm pse e gjykojnë dhe e përndjekin të tjerët.

Dhe mjeti më i sigurtë që të mos tërhiqemi pas të tjerëve që fshihen pas qëllimeve të caktuara (pozita, para, famë etj.), është të veprojmë si të Krishterë Orthodhoksë të vërtetë e pa frikë. Të krishterë që kanë mendim të krishterë dhe zemër të krishterë, që ndriçohen përditë nga Shpirti i Shenjtë. Të jemi nga ata të krishterë për të cilët do të ketë fuqi fjala e Shën Joan Ungjillorit: “Ju jeni lyer me miro shpirtërore, me Shpirtin e Shenjtë, që morët në pagëzimin tuaj prej shenjtit, prej Iisu Krishtit”. (I Joani, 2,20). Të kujdesemi që, me jetën tonë të pastër dhe të panjollosur, të kemi vazhdimisht ndriçimin e Shpirtit të Shenjtë, që do të na japë mundësinë të dallojmë menjëherë gënjeshtrën dhe mashtrimin.

Një i krishterë orthodhoks i ndriçuar di të dallojë lehtë egoistin e mburavecin. Kur e dëgjon tjetrin që flet në erë, që flet të paqena, kur e dëgjon që nxjerr nga goja fjalë të ashpra e të ndyra dhe me qëllime hakmarrëse, pa shenja dhembshurie, menjëherë ai bindet se duhet t’u verë pikëpyetje atyre që dëgjon. Madje, kur kupton se nën ato shprehje ka gjëra të dyshimta – fenomen ky i zakonshëm për shpifësit – duhet të thotë “jo”-në e tij. Me këtë mënyrë ai jo vetëm që do të ndihmojë të akuzuarin padrejtësisht, por edhe akuzuesin, që të mos e vazhdojë rrugën e shtrembët që ndjek, do t’i jepet njëkohësisht dhe rasti që të largojë edhe të tjerë nga një ves i tillë.

Një pyetje me takt, një mendim i arsyeshëm, një pikëpamje e drejtë, e shfaqur nga njerëz seriozë, të paanshëm e me prestigj, është e mundur të krijojnë situata të drjeta midis përmbytjes prishëse të fjalës shpifëse e të pamenduar, që e nxiti të drejtin e Dhiatës së Vjetër të falet e të lutet: “Zot, shpëtona shpirtin prej buzësh të padrejta dhe prej gjuhe mashtruese”. (Psalmi 119,2).

Dhe lutjet tona nuk do të mbeten pa përgjigje. Sepse Perëndia i shenjtë dhe i drejtë e bën çdo të padrejtë dhe shpifës të përulet së fundi patjetër.

Dh.B.