EmailFacebookKontakt

“Të vdes për Krishtin tim i etur dhe i uritur”

Kristo ishte një shqiptar që banonte në Stamboll. Ka mundësi që të ishte nga Përmeti, sepse atje gjendej në atë kohë një komunitet i madh përmetarësh, të cilët punonin si kopshtarë dhe bahçevanë. Nuk dimë shumë rreth jetës së tij në Shqipëri, por dimë vetëm se ishte 40 vjeç kur la Shqipërinë dhe shkoi në Stamboll, ku filloi të punonte si kopshtar.

Një ditë ai po shiste fruta në pazar dhe një turk donte t’i blinte të gjitha mollët; por ata nuk ranë në ujdi për çmimin. Kristo nuk pranoi t’ia shiste mollët me atë çmim qesharak që kërkonte turku. Kështu që ky turk kapadai u zemërua dhe për hakmarrje shpifi kundër Kristos së drejtë, duke thënë se ai dëshironte të bëhej mysliman. Dhe turku, i ndihmuar nga disa shokë të tij e kapi Kriston dhe me forcë e çoi në gjyq. Ai së bashku me shokët e tij, dëshmitarë të rremë, dëshmuan padrejtësisht që Kristo donte të bëhej mysliman. Gjykatësi e pyeti martirin në lidhje me këtë çështje. Ai u përgjigj me burrëri që ishte i krishterë dhe që kurrë nuk kishte menduar të mohonte fenë e shenjtë të krishterë dhe që askush nuk mund ta detyronte që të shkelte fenë e të parëve, sikur të mblidheshin edhe njëmijë dreqër.

Gjykatësi kur dëgjoi këto fjalë urdhëroi që shenjti të rrihej ashpër me kamzhik. Mbasi e rrahën në mënyrë çnjerëzore, atë e goditën aq rëndë në kokë me një dru sa që i shkaktuan një çarje të madhe. Pastaj e çuan në burg të lidhur dhe ia vunë këmbët në pranga të rënda druri. Në të njëjtën kohë ishte në burg edhe murgu i njohur Qezar Daponte (i cili shkroi edhe martirizimin e tij). Ai, kur e pa martirin në atë gjendje, i dha kurajo dhe fshehtaz mundi t’ia çlironte këmbët nga ajo morsë torturuese. Ai i afroi Kristos pak ushqim që të merrte pak fuqi, por martiri nuk pranoi duke thënë: “Përse duhet të ha? Unë nuk kam më shpresë të jetoj. Prandaj do të jetë më mirë të vdes për Krishtin tim i etur dhe i uritur”.

Pastaj martiri i dha murgut disa monedha, të cilat i kishte në brez duke ju lutur që t’i linte në kishë dhe kur të meshonin ta kujtonin atë mbas vdekjes. Nuk vonoi shumë dhe erdhën xhelatët dhe e morën. Në një vend jashtë burgut i prenë kokën. I tërë martirizimi i tij ndodhi në një ditë. Kështu, i bekuari Kristo, mori kurorën e martirit në 12 shkurt të vitit 1748. Nga lipsanet e tij u bënë shumë mrekulli. Zoti i nderon kurdoherë shenjtët dhe martirët e tij.

Kisha jonë e kujton në 12 shkurt, ndërsa në sinaksaret sllave përmendet në 28 nëntor.