EmailFacebookKontakt

Të tjerë shpëtoi…

“Të tjerë shpëtoi…”

Përulësia e skajshme

Gjatë gjithë kohës që Krishti veproi në tokë, janë thënë kundër Atij plot shpifje. Cmira i shpuri deri në atë shkallë, sa të quajnë bashkëpunëtor të Veelzevulit dhe të përhapin “se me anën e kreut të demonëve nxjerr demonë” (Mark 3,22; Matth 9,34) dhe me fuqi satanike kryen çuditë e tij.

Nuk qenë kënaqur me aq. Cmira i shtyri ta ngjitin të gjakosur gjer në Golgota e në Kryq. Me mashtrim e arrestuan në Kopshtin Gjethsimani, e lidhën si kriminel, e çuan te Anna e te Kaifa, pastaj te Pilati, ku masa nga populli, të nxitura nga vetë shkruesit e farisenjtë, kërkonin kryqëzimin dhe zhdukjen e tij. Kënaqeshin, kur e shikonin të rrihet, të fyhet, të vihet në lojë… dhe i dërmuar të çojë mbi supet e tij kryqin për në Golgota. E shohin të varur, të mbërthyer më gozhda, të gjakosur nga kurora me gjëmba, të ketë dhimbje e të ketë etje. Të kënaqur tepër për “suksesin”, përsëritnin vazhdimisht vargun nga psalmet e Davidit “e gëlltitëm atë” (Psalm 34, 25).

Po, as me kaq nuk qen të kënaqur. Që të tregonin dhe të plotësonin ligësinë e tyre, siç e shikonin sipër Kryqit, nisën ta ironizojnë. Dhe, ndërsa “ata e shoqëronin – thotë Ungjillori i Shenjtë – e blasfemonin, kryepriftërinjtë së bashku me shkruesit e farisenjtë duke u tallur, thoshin: të tjerë shpëtoi, veten e tij s’mund ta shpëtojë” (Mat. 27, 39-42).

Shpëtoi të tjerë! Po, vërtet shpëtoi të tjerë. Sado që cmira të kish verbuar sytë e tyre, ata nuk mund të mohojnë çuditë e shumta dhe shpëtimtare që ai kish bërë: të verbërve u dha dritë, të çalëve e doracëve këmbë e duar, leprozët i pastroi, ulogë ngriti në këmbë, ngjalli të vdekur. Me dhjetëramijra njerëz gjetën shërim trupi, ngushëllim e shpresë, shërim të shpirtit dhe ndjesën e mëkateve të tyre. Po “të tjerë shpëtoi”.

Dhe po të donte “të shpëtonte” veten – ai tha – do të mund të paraqitte më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh” (Mat. 26, 53), për të dërmuar cilindo kundërshtar dhe grup armiqsh me, në krye kryepriftërinjtë, shkruesit e farisejtë… Dymbëdhjetë legjione? Vetëm një engjëll do t’ishte i mjaftë për të zhdukur nga faqja e dheut dhe një ushtri prej luftëtarësh të stërvitur. Për këtë na bind e kaluara (IV Mbr. 6,15 e poshtë).

Po. Vetën nuk e shpëton! Shikoni sa bukur e interpreton këtë një shkrimtar: “Jisui s’mund të zbriste prej kryqit që të shpëtojë veten, sepse atje mbahej i mbërthyer jo nga gozhdët po nga dëshira e tij për të shpëtuar ata…”. Për të shpëtuar të gjithë edhe ata vetë, natyrisht në qoftë se edhe ata, si edhe të tjerë, do të vraponin pranë Atij dhe do të kërkonin ndjesë dhe shpëtim. Po ata e ironizonin. “Shpëtoi të tjerë”.

“Shpëtoi të tjerë”. Po! Nga Kryqi dhe me anën e Kryqit Ai shpëton vazhdimisht. Natyrisht, jo ata që s’besojnë, cilëtdo qofshin nga pozita dhe titujt që kanë dhe që në forma të ndryshme e përbuzin, e fyejnë, e blasfemojnë dhe e “kryqëzojnë”. Siç nuk shpëtoi dhe kusarin fyes. Mirëpo, kusarin mirënjohës që u pëndua, e shpëtoi. Dhe, me anën e Kryqit, shpëton të gjithë sa gjatë shekujve vijnë me besim dhe shpresë e kërkojnë ndihmë, ngushëllim, ndjesë dhe shpëtim.

Shikoni sa të rinj gjatë shekujve qëndruan ndënë Kryqin dhe kërkuan hir e ndihmë dhe arritën të ecnin me ligjin e tij hyjnor, modestë, të pastër dhe të lumtur. Sa luftëtarë të jetës, burra dhe gra, e njohën si Shpëtimtar e shpërblyes dhe me anën e Kryqit morën hir edhe mëshirë. Sa njerëz të mëdhenj të shkencës dhe të artit, mbretër dhe udhëheqës, shtruan para këmbëve të tij të mbërthyera mirënjohjen e tyre, e njohën si Shpërblyes dhe morrën shpëtim. Sa të rënduar me mëkate e të penduar shkarkuan para kryqit fajet apo krimet e tyre të rënda dhe nëpërmjet misterit të Pendimit e të Rrëfimit, morën ndjesën e shpëtimin. Një ushtri e tërë gjatë shekujve me Kryqin në dorë dhe të kryqëzuarin në zemër ecën në rrugën e jetës së tyre dhe gjetën shpëtimin me anën e Jisuit të Kryqëzuar dhe i Kënduan himne falenderimi dhe mirënjohjeje.

Zoti ka shpëtuar, shpëton dhe do të shpëtojë ata që i afrohen, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të gjithë. Sepse është shpëtimtar, i cili vullnetarisht e nga dashuria u trupëzua, mori formë robi, u mundua, u kryqëzua dhe mori vendin tonë që të bashkojë me Atin qiellor, të na hapë parajsën dhe të na bëjë të lumtur për jetë. O vëllai im, të jemi edhe ne midis atyre, që do të mund të thoshim, jo “të tjerë shpëtoi”, por dhe mua më shpëtoi.

Sa i përshtatshëm më këtë rast është himni i mëposhtëm i së premtes së Madhe.

U kryqëzove për mua, që të burosh për mua ndjesën;
U shpove në brinjë, që të burosh për mua çurka jete;
U mbërtheve me gozhda, që unë, me thellësinë e pësimeve të tua, të bësoj e të thërras:
O Krisht jetëdhënës dhe Shpëtimtar, lavdi Kryqit dhe pësimit tënd.